E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Shqiptarët një komb në Bashkimin Europian"

01/09/2009  Teza e kombit shqiptar

Kryeministri Sali Berisha ka theksuar se shqiptarët kudo që ndodhen do të bashkohen mbi bazën e idealit europian, i cili është edhe ideali i vetë shqiptarëve. Kreu i qeverisë ka thënë se procesi i bashkimit të shqiptarëve në Bashkimin Europian është i pandashëm dhe prej të cilit shqiptarët do të tejkalojnë pasojat e dhimbshme të padrejtësisë më të madhe që i është bërë kombit tonë, atë të copëtimit. “Nuk mund të ketë asnjë ekuivok. Do të bëj çdo përpjekje së bashku me qeverinë e Kosovës dhe atë të Maqedonisë që të vendosim standardet që gëzojnë qytetarët në Bashkimin Europian, ku shqiptarët të ndihen një e vetëm një”, - theksoi ai. Sipas kreut të qeverisë, kjo situatë nuk ka asnjë lidhje me sovranitetin e shteteve, pasi kombi shqiptar është një i vetëm. “Kush udhëhiqet nga fobia e kombit shqiptar, të lehtësohet. Unë jam kundër platformave të ndarjeve. Në qoftë se ka mendje të sëmura se ekzistojnë 2, 3 apo 4 kombe shqiptare, kjo është jashtë çdo logjike, është një donkishotizëm”, - ka thënë kryeministri Berisha. Gjatë konferencës për shtyp të pasdites së djeshme ai i është përgjigjur edhe pyetjes nëse në territorin e Shqipërisë mund të ndërtohet zona e mbrojtjes raketore nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila nuk do të bëhet në Poloni. Berisha u shpreh se nga Uashingtoni nuk ka pasur asnjë kërkesë për këtë gjë. “Ka një qëndrim konstant të kryeministrit, sipas të cilit Shqipëria është e vendosur për bashkëpunimin më të ngushtë me Shtetet e Bashkuara në fushën e sigurisë”, - theksoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›