E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptaret rekordmene te cmimeve

Fundviti Shtrenjtësia arrin kulmin, prenotimet variojnë nga 110 deri në 150 euro për person

Nata e madhe e ndërrimit të viteve sa vjen e po afrohet, ndërkohë që të gjitha familjet shqiptare janë duke planifikuar se ku do ta kalojnë këtë mbrëmje të shumëpritur.

Ndonëse ka nga ata që nuk kanë vendosur ende se ku do ta festojnë mbrëmjen e madhe të 31 dhjetorit, ka edhe nga ato familje, stafe pune apo grupe shoqërore që e kanë prenotuar lokalin apo restorantin ku do të festojnë në shoqërinë e të afërmve apo miqve të tyre më të mirë, edhe pse afro një javë përpara mbrëmjes së Vitit të Ri.

Duket se tendenca e këtij viti për pjesën më të madhe të kryeqytetasve është trokitja e gotave mes urimesh të pafundme jashtë dyerve të shtëpive të tyre. Numri i prenotimeve nga njëri lokal në tjetrin është tepër i madh, madje vërehet se edhe familjarët kanë preferuar ta kalojnë mbrëmjen e 31 dhjetorit në ambiente të hapura mes zhurmës, humorit dhe muzikës së lartë. Edhe pse çmimet që qarkullojnë së fundmi në kryeqytet janë më shumë sesa të “kripura” për xhepat e shqiptarëve, të dhënat tregojnë qartë se kur bëhet fjalë për festa apo qejfe, të gjithë preferojnë të zgjedhin më të mirën e mundshme, duke bërë kështu pakt me çmimet e shtrenjta.

Në shifra kjo përkthehet mjaft lehtë, në euro nata e Vitit të Ri,  kushton jo pak, por minimumi 110 të tilla vetëm një personi, ndërkohë që për familjarët, ndonëse ofertat duhet të jenë më lehtësuese duke marrë parasysh numrin e tyre, në realitet pagesa për ta është edhe më e lartë.

Hotelet

Hotelet konkurrojnë njëra-tjetrin denjësisht. Jo vetëm në çmime, por edhe në meny e oferta. Të gjithë kanë përzgjedhur muzikën, qoftë atë live apo playback, madje në hotelet më luksoze të kryeqytetit janë përzgjedhur këngëtarët më në zë të muzikës së lehtë dhe popullore shqiptare. Tek-tuk ka edhe humoristë, të cilët synojnë të rrisin sadopak adrenalinën e të ftuarve gjatë mesnatës së 31 dhjetorit. Sipas të dhënave, në katër prej hoteleve më të shtrenjta të Tiranës ofrohen meny të shumëllojshme në përputhje me shijet e qytetarëve, ndonëse njëri prej tyre do t’u japë të drejtën klientëve që njërën prej pjatave ta përzgjedhin sipas dëshirës së tyre, brenda të njëjtit çmim.

E përbashkëta mes tyre, ndonëse konkurrent të fortë, është oferta për çmimin e dhomës, në rast se do të ketë çifte apo familjarë që dëshirojnë të pushojnë pas festës. Përveç çmimit bazë, atyre do t’u duhet të paguajnë 50 mijë lekë të vjetra më shumë.

Menyja

Kjo është një nga elementet më të rëndësishme të kësaj mbrëmjeje. Të paktën kështu pohojnë menaxherët, por edhe specialistët e kuzhinave në restorante, të cilët kanë përgjegjësinë më të madhe që në këtë mbrëmje gjithçka të jetë konceptuar në mënyrë perfekte, duke i kushtuar sidomos rëndësi maksimale ushqimit dhe servirjes së tij.

Shefi i kuzhinës, në njërin prej hoteleve më në zë të vendit tregon se do të ketë shumëllojshmëri gatimesh, por më të shumta do të jenë ato tradicionale shqiptare, si për t’u kujtuar shqiptarëve që edhe vendi ynë gëzon kuzhinë tejet të pasur.

E megjithatë, ato pohojnë se nuk do të mungojnë specialitetet perëndimore, siç është peshku i egër me brokoli, rosa me reçel kumbulle, miks djathërash italian me reçel fiku, apo fileto kaprolli me salcë boronice e gështenja.

Çmimet e menyve janë nga më të ndryshmet, ato përcaktohen në varësi të rëndësisë dhe frekuentimit që ka një restorant i caktuar, nga llojshmëria e pjatave, por edhe nga këngëtarët e ftuar. Aktualisht, nga një vëzhgim që kemi bërë në restorantet e vendit, shifra më e lartë për të festuar natën e Vitit të Ri arrin deri në 150 euro personi.

Klubet e natës

Për ata që nuk kanë zgjedhur restorantet apo hotelet, alternativa e vetme mbeten diskotekat apo klubet e natës.

Çmimet që ofrojnë pronarët e këtyre aktiviteteve janë të ndryshme. Disa prej tyre kanë preferuar që pagesa të përfshijë argëtimin, por edhe pijet pa limit, ndërsa të tjerë e kanë parë më të arsyeshme që të vendosin një çmim fiks për hyrjen, ndërsa pijet të paguhen me lekë në dorë nga secili klient në varësi të xhepit të tij. I tillë është edhe vendimi që ka marrë pronari i një prej klubeve më të frekuentuara në zonën e ish-bllokut.

“Paraprakisht, klienti duhet të bëjë prenotimin përkatës në klubin që unë kam në pronësi, ndërsa mbrëmjen e Vitit të Ri ai bashkë me miqtë e tavolinës do të duhet të paguajnë 10 mijë lekë të vjetra për person vetëm për të hyrë brenda, ndërsa pijet do të merren parasysh nga vetë ata”, thotë Bledar Doçi, pronar i një prej klubeve më të frekuentuara nga të rinjtë. Sipas tij, kjo praktikë pune është shumë më e logjikshme, sepse open bar është i rrezikshëm për situatat apo problemet e ndryshme që mund të krijohen kur njerëzit janë të dehur. Bledi shton se duke paguar çdo pije, të rinjtë apo edhe familjarët e kanë në kontroll veten, kështu që edhe ambienti krijon sigurinë dhe kënaqësinë që e gjen rrallëherë në lokalet apo klubet që ofron kryeqyteti.

Nga ana tjetër, ka edhe nga ata pronarë që nuk e kanë vrarë shumë mendjen për shëndetin e njerëzve apo sigurinë që ofron ambienti i tyre sesa për fitimin marramendës që u rezervon ajo mbrëmje.

Tarifat që ofrojnë ata me kushtin që të porosisin pije pa limit gjatë gjithë mbrëmjes deri në të gdhirë variojnë nga 50 mijë lekë të vjetra minimumi deri në 100 mijë lekë maksimumi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›