Dede akuzon Ne Lac na ndali gjyqtari
Barazimi 1-1 në Laç ndaj vendasve u konsiderua nga të gjithë si një frenim i Tiranës së Nevil Dedes në ngjitjen e saj spirale drejt kreut të renditjes. Por për trajnerin bardheblu, kjo ndalesë, më shumë se sa nga kundërshtari u shkaktua nga gjykimi, i cili ishte komplet jashtë standardit ose me dy standarde. “Mohoi një 11-metërsh të sigurt, kur një prej lojtarëve kundërshtarë e preku topin me dorë në zonë dhe gjyqtari, edhe pse ishte aty pranë, nuk e dha”, e nis akuzën e tij tekniku i Tiranës. “Osmani u nxor me karton të kuq, edhe pse nuk e preku fare kundërshtarin. Në pjesën e dytë një futbollist i Laçit shkaktoi një faull me taka të ngritura në kokë ndaj një futbollistit tim, por Jorgji nuk dha asgjë. Që në fillim të ndeshjes nisi të jepte shumë karton për lojtarët e mi, ndërsa ishte më shumë se i kursyer për rastet kur kundërshtarët meritonin kartonë. Po ashtu në fushë u hodhën kapsolla dhe fishekzjarrë. Ky nuk mund të quhet futboll”, ka përfunduar radhitjen e rasteve Dede, i cili duket se i kushton një analizë edhe lojës së ekipit të tij. Barazimi 1-1 mund të kishte ndryshuar, pasi, sipas trajnerit, edhe pse bardheblutë ishin me 10 lojtarë, kishin raste për të shënuar.