E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët rikthehen tek makinat e përdoruara

Shqiptarët, sipas statistikave doganore, sërish u janë rikthyer makinave të përdorura. Kjo duket në doganën e Durrësit nga ardhjet e çdo jave, por edhe në tregun e makinave në ish-Nish-Tulla në Shkozet. Sipas doganierëve, “ka një rritje të ndjeshme të importit të automjeteve të përdorura në portin e Durrësit, edhe pse vlera e doganës për këto mjete është rritur në mënyrë të ndjeshme përsëri ato mbeten më të preferuarat në tregun e brendshëm”.

Vetëm në muajin korrik në doganën e Durrësit janë zhdoganuar mbi 200 automjete të përdoruara. Rreth tre vjet më parë vlera e doganës për makinat e përdorura u trefishua në një kohë që për makinat e fabrikës ajo u eliminua fare. Për një kohë relativisht të gjatë një masë e tillë arriti që ta ulte në shifra fare minimale importin e makinave të përdorura si dhe të asfiksojë tregun e makinave të përdoruara në Durrës.

Arsyet

Pjesa më e madhe e tregtarëve të këtyre makinave hoqi dorë nga ky lloj biznesi. Ndërsa sot, pas tre vjetësh nga vendimi për rritjen e vlerës së doganës për makinat e përdorura, situata ka ndryshuar përsëri. Tragetet që mbërrijnë nga portet italiane ka disa muaj që transportojnë përsëri sasi të konsiderueshme automjetesh të përdorura.

Ato imbarkohen kryesisht në tragetet e Ankonës dhe të Triestes. Vetëm gjatë muajit korrik 2008, prej këtyre trageteve zbarkuan mbi 200 autovetura të përdorura, të porositura nga qytetarë të ndryshëm.

Në krahasim me të kaluarën kur mjetet e përdorura bliheshin nga tregtarët e më pas nxirreshin në shitje duke e rritur vlerën e tyre për shkaqet e fitimit, sot skema ka ndryshuar. Ata që kanë nevojë të blejnë një makinë të përdorur, fjala bie, në Gjermani, e cila është edhe furnizuesja e vendit tonë me mjete të përdorura, i porosisin ato direkt në vendin e origjinës.

Çmimet

Një Benz, prodhim i pas viteve 2000, gjendet atje me çmime që variojnë nga 5000 euro deri në 10000 euro. Në portin e Durrësit këto mjete zhdoganohen me shuma nga 250 mijë lekë deri 300 mijë lekë. Ndërkohë, është edhe një kategori tjetër të cilët porositin makina të markave më të thjeshta, të cilat atje gjenden me vlera nga 700 euro deri 1500 euro.

Në doganë këto mjete zhdoganohen brenda vlerave nga 180 mijë lekë deri në 240 mijë lekë në vartësi të viteve të prodhimit. Çdo ditë në portin e Durrësit pranë sheshit të trageteve dhjetëra njerëz presin mjetet e porositura prej tyre.

Pas mbërritjes së këtyre automjeteve me tragete, shumica preferon të kryejë procedurat e zhdoganimit po në doganën e Durrësit, si dhe procedurat e sigurimit të parashikuara me ligj. Gjithsesi, nga zhdoganimi i këtyre automjeteve dogana ka arkëtuar miliona lekë në arkën e shtetit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›