E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis beteja për plazhin e Lalësit, bum investitorësh



Duket se prej disa muajsh ka nisur mes investitorëve ajo që quhet “beteja” për Gjirin e Lalësit dhe bregdetin e tij të virgjër. Por edhe qeveria shqiptare, veç lehtësirave ndaj tyre, po tregohet mjaft korrekte ndaj ligjit dhe normativave që përfshihen në marrëveshjet e lidhura mes subjekteve private që duan të investojnë dhe dikasterit të turizmit. Madje dy prej subjekteve private, tashmë janë skualifikuar pas shkeljes së afateve dhe marrëveshjeve të nënshkruara me qeverinë. Ky gjithsesi mbetet një shembull i mire për ata që nisen me mendimin se “me shtetin edhe abuzohet” në afate dhe akt-marrëveshje. Por tashmë që pjesa bregdetare e plazhit të Durrësit dhe ajo e Golemit janë pothuajse të pushtuar, investitorë të fuqishëm kanë hedhur vështrimin e tyre nga Gjiri i Lalësit. Një pjesë e mirë e bregdetit të kësaj zone është ruajtur mirë dhe ende dora e njeriut nuk ka shkaktuar dëme si në pjesën tjetër të bregdetit. Vija bregdetare e Lalësit, konsiderohet edhe si pjesa më tërheqëse për zhvillimin e industrisë së turizmit që i ka mbetur bregdetit të Durrësit. Atje mund të realizohen investime për të ndërtuar fshatra turistikë apo komplekse vilash e hotelesh të standardeve të larta në bazë të një projekti i cili do të vendoste raporte të drejta në mes të sipërfaqeve të gjelbra dhe ndërtimeve.

Por ka kohë që Gjiri i Lalësit është vënë në shënjestrën e personave të fuqishëm të cilët duan ta gllabërojnë atë. Është në dorën e shtetit ruajtja e kësaj pasurie natyrore.

Gjiri i Lalësit bën pjesë në komunën e Ishmit që gjendet në pjesën veriore të Durrësit. Ishmi ka një reliev kodrinor të butë rrëzë të cilit shtrihen plazhe shumë të bukur më rërë dhe pisha ku lartësia e kodrave nuk i kalon të 250 metrat. Ato janë pothuajse gjatë gjithë vitit të gjelbëruara për shkak të shkurreve dhe pemëve të cilat e përballuan periudhën e tranzicionit me mjaft dëme ngaqë dora e njeriut kreu mbi to një masakër ekologjike duke prerë mijëra drurë dekorativë. Ishmi ka edhe një trashëgimi të pasur historike e cila kulmon në periudhën mesjetare. Gjurmët e këtij zhvillimi pasqyrohen më së miri në objektet historike si Bazilika e Gjuricës, Kalaja e Skënderbeut, Kisha e Shën Ndout, Kalaja e Ishmit si dhe objekte të tjera rreth fshatrave të cilat përbëjnë komunën. Sipas një studimi të realizuar nga ana e Këshillit të Qarkut të Durrësit, Gjiri i Lalësit ka një gjatësi prej 8,2 km dhe zë një sipërfaqe prej 660 hektarësh. Gjiri ka një strukturë ranore e cila shtrihet 200 m nga vija e detit. Pas rërës gjendet një brez me drurë halorë të cilët arrijnë deri 20 m lartësi. Pas pishave shtrihen arat e fshatrave të cilat gjenden përgjatë vijës bregdetare. Nga studimi i kryer rezulton se rëra zë një sipërfaqe prej 125 ha, pylli 345 ha dhe toka arë 190 ha. Pylli dhe rëra janë të ruajtura mjaft mirë dhe nuk janë dëmtuar gjatë viteve të tranzicionit. Në këtë zonë ka edhe një larmi bimësie, shkurresh si dhe shpendësh të llojeve të ndryshme.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›