E Diel, 1 Nëntor 2026

Lumi Pavllo, vendbanimi “i preferuar” i lundërzës në Evropë

Ministria e Mjedisit

Lumi Pavllo, në skajin më jugor të vendit (Sarandë) rezulton të jetë i pastër dhe i qetë, parametra këto të rëndësishme për praninë e gjallesës ujore të llojit L. Lutra, e njohur ndryshe si lundërza.

Monitorimi i kryer nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave për praninë e këtij lloji, si indikator i gjendjes së botës së lumenjve, tregon se lundërza ndodhet në të gjithë gjatësinë e lumit Pavllo deri në grykëderdhje (pjesa shqiptare), dukuri e cila dëshmon për pastërtinë e këtij lumi. Për këtë flet gjithashtu dhe prezenca e llojeve të tjera të gjallesave, sidomos lloje të ndryshme të amfibeve dhe peshqve, që janë në të njëjtën kohë ushqimi kryesor i lundërzës. Të dhënat nga monitorimi tregojnë se përgjatë gjatësisë së lumit Pavllo pothuajse nuk ka fare aktivitete antropogjene.

Burime nga MMPAU thanë se monitorimi i lundërzës është kryer edhe në rrjedhjen e mesme dhe të poshtme të lumenjve Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Pavllo. Sipas tyre, mungesa e L. Lutra (Lundërza) në grykëderdhjen e lumit të Ishmit, Gjolës (Rinas dhe në afërsi të Fushë Krujës), tregon për nivelin e lartë të ndotjes. Në këto zona, nga të dhënat e monitorimit, rezulton se aty mungojnë dhe gjallesa të tjera si peshq, amfibë etj., që janë dhe bazë ushqimore për lundërzën. Ndërsa lumi Zezë, degë e lumit Ishëm, rezulton të jetë më pak i ndotur se Ishmi. Në të janë gjetur gjurmë të lundërzës. Këtu evidentohet dhe një dukuri negative, vrasja dhe balsamosja e këtij lloji, për t’u vendosur nëpër restorante.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›