E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blegtoria, çdo kokë gjedh, në regjistër

Një fermer në vendet evropiane nëse do të tregtonte një bagëti, nuk do të mundej kurrë ta shiste nëse ajo kafshë blegtorale nuk mbante një numër matrikulimi në vesh.

Ai numër tregon se kafsha është e regjistruar pranë institucioneve përkatëse dhe se konsumi i mishit të saj është i sigurt. Një gjë e tillë do ndodh edhe në vendin tonë. Tregtimi i produkteve blegtorale tashmë do të garantojë sigurinë për shëndetin e konsumatorëve. Shqipëria, e vendosur të plotësojnë standardet e BE-së, të kërkuara për sektorin e bujqësisë, është e detyruar të plotësojë një ndër kushtet e vendosura për të regjistruar çdo kokë gjedh. Ministria e Bujqësisë është ajo që do të zbatojë këtë projekt. Burime zyrtare pranë MBUMK bënë me dije se ka nisur në shkallë vendi procedurat për regjistrimin e blegtorisë. Në fillim të muajit gusht ka nisur të hidhet një regjistër, numri i çdo kokë gjedhi. Ky projekt bëhet i mundur me financimin prej 1.2 milion dollarësh nga buxheti i shtetit. Burime nga MBUMK-ja bënë të ditur se ky projekt ka për qëllim krijimin e kartelave shëndetësore të kafshëve bujqësore, me të gjitha të dhënat e nevojshme për sigurinë ushqimore që plotësojnë, në prodhimet blegtorale. Ky proces që parashikon të përfundojë në dhjetor të këtij viti do të shërbejë për rritjen e sigurisë së prodhimeve blegtorale në tregjet e vendit.

Matrikulimi i blegtorisë është një pikë e përmendur në raport-progresin 2007, që Shqipëria duhet të plotësojë. Pasi një ndër kushtet e eksporteve drejt BE-së të shtazëve është matrikulimi. Ndaj vendi ynë është i detyruar të plotësojë këtë kusht, pasi ne ende nuk mund të eksportojmë produkte shtazore. Specialistët theksojnë se

matrikulimi është shumë i rëndësishëm për sigurinë ushqimore në tërësi, si një proces, si një zinxhir i cili fillon nga stalla tek tavolina. Në kuadër të programit të ri të mbështetjes së BE-së, që titullohet IPA 2008, do të realizohet edhe një projekt për matrikulimin dhe identifikimin e fermave blegtorale. Për vitin 2008 nga buxheti i shtetit janë dhënë 1.2 milion dollarë për matrikulimin e gjedhit. Do fillohet me 700 mijë krerë gjedhë dhe në projektin e IPA-s ka dhe një të tillë edhe për të imtat. MBUMK ka siguruar paratë dhe po synon të bëjë një proces identifikimi, i cili të jetë i qëndrueshëm dhe funksional. Pas fazës së parë të regjistrimit që do të bëhet nga shteti, fermeri do të jetë i detyruar ta bëjë atë në vijimësi.

Perimet dhe frutat ruajnë çmime stabël

Perimet dhe frutat e stinës po vazhdojnë të ruajnë çmime stabël në tregun vendas, pas uljeve që kanë pësuar javët e fundit. Tregtarët po shesin më lirë këto produkte, pasi edhe sezoni i tregtimit të tyre po i vjen fundi. Shtimi i prodhimeve të produkteve bujqësore vendase ka mundur të ndikojë në uljen e çmimeve. Në fillim të kësaj jave, në tregjet e shitjes së ushqimeve, çmimet në përgjithësi kanë regjistruar të njëjtat vlera sa një javë më parë. Sipas burimeve nga Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit, në Tiranë çmimet e produkteve bujqësore janë ulur me rreth 2%, ndërkohë që për një pjesë të konsiderueshme të ushqimeve të shportës janë ruajtur çmime të pandryshuara me javën e kaluar. Prodhimet e sezonit, domate, kastravecë, patate etj., u tregtuan gjatë kësaj jave me rreth 20 lekë/kg më lirë, ndërsa prodhimet e bulmetit si djathi i bardhë, gjalpi, veza u shitën përkatësisht me 346.1 lekë/kg, 321 lekë/kg dhe 10 lekë/kokrra. Ndërsa mishi i viçit u shit 657 lekë/kg, i pulës 289 lekë/kg dhe i derrit 600 lekë/kg. Sipas burimeve të mësipërme, çmimet e produkteve bujqësore, veçanërisht të perimeve të vendit, për shkak të sezonit të prodhimit pritet të ruajnë qëndrueshmëri të çmimit të shitjes së tyre edhe gjatë kësaj jave.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›