Shqiptarët sulmohen sërish në Maqedoni, dy vajza në spital
Tension në Kuvendin e Shkupit, LSDM kundër Ditës së Flamurit shqiptar.
Shqiptarët e Maqedonisë u tronditën nga një tjetër sulm i shëmtuar kundër dy nxënëseve shqiptare, të cilat po udhëtonin me një autobus linje. Autobusi u sulmua dhe vajzat u goditën me gurë nga persona ende të paidentifikuar. Ato u shtruan menjëherë në spitalin e Lubodragut të Kumanovës, qyteti ku ndodhi sulmi rreth orës 19:30 të mbrëmjes së të martës. Vajzat, të cilat janë në shkollë të mesme, po udhëtonin në zonën ku jeton një shumicë serbe-maqedonase dhe u bënë pre e valës së urrejtjes etnike. Sipas dëshmitarëve, sulmi është kryer nga tre persona. Incidenti është konfirmuar nga Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoni, e cila ka deklaruar se po punon për zbardhjen e rastit. Ky është rasti i dytë që sulmohen nxënës shqiptarë që udhëtojnë me një autobus linje. Rasti i parë ndodhi më shtatë mars në fshatin Çiflik, ku mbi 20 persona me maska hynë në një autobus linje me të cilin po udhëtonin të rinj shqiptarë duke i goditur ata me gurë, shkopinj dhe shufra hekuri. Pesëmbëdhjetë nxënës u plagosën, pesë prej të cilëve në gjendje të rëndë. Një vajzë pesëmbëdhjetëvjeçare hyri në koma, por tani thuhet se është jashtë rrezikut për jetën. Urrejtja etnike në Maqedoni filloi të ndizej sërish në fund të janarit, me festën e karnavaleve, ku maqedonasit u tallën me fenë islame dhe me etninë shqiptare. Më pas dy shqiptarë u vranë në Gostivar nga një polic maqedonas, 15 nxënësit shqiptarë u sulmuan në autobusin e linjës së Shkupit, u vra një biznesmen shqiptar në qendër të kryeqytetit maqedonas dhe janë sulmuar vazhdimisht nëpër parqe të rinj të etnive të ndryshme nga grupet etnike rivale. Si për ti hedhur benzinë zjarrit, dje në Kuvendin maqedonas, shënimi i 100-vjetorit të flamurit shqiptar u refuzua nga partia LSDM në opozitë. Gjatë këtij muaji, në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni digjet flamuri maqedonas, që është simbol i të gjithë qytetarëve. Është e papranueshme që të shënohet Dita e Flamurit shqiptar nën ombrellën e qeverisë. Kjo thjesht nuk mund të kalojë, deklaroi deputeti i LSDM-së, Gordan Georgiev. Partia shqiptare BDI theksoi se 100-vjetori i flamurit nuk mund tu mohohet shqiptarëve, sepse paraqet Mekën e shqiptarëve. Ndërsa PDSH denoncoi faktin se u rezervuan nga qeveria vetëm 5 mijë euro për këtë eveniment.
Reagimi i Tiranës
Incidentet e vazhdueshme etnike kanë dërguar në Maqedoni pak ditë më parë edhe ministrin e Jashtëm shqiptar, Edmond Haxhinasto, i cili kërkoi zbardhjen e incidenteve etnike ku kanë mbetur të plagosur dhjetëra të rinj shqiptarë. Incidentet janë dënuar nga zyrtarët e të gjitha palëve etnike, ndërsa lëvizjet Vetëvendosje dhe Zgjohu kanë denoncuar politikat diskriminuese të qeverisë së Shkupit për nxitjen e urrejtjes etnike në këtë vend.Arrestimet
Pak ditë më parë, autoritetet maqedonase kanë arrestuar rreth 30 persona që sipas tyre ishin përfshirë në incidente etnike në Maqedoni. Pjesa më madhe e tyre ishin të moshës 18-vjeçare dhe kanë sulmuar nxënës të tjerë të shkollave të mesme, shqiptarë, të cilat po udhëtonin me autobusin e linjës së Shkupit si dhe akuzohen për sulme në parqet e Shkupit.