Gjykata vendos lirimin e Limajt dhe 9 ish-ushtarëve të UÇK-së

Fatmir Limaj
Deputeti Fatmir Limaj dhe nëntë ish-ushtarë të UÇK-së u liruan dje nga akuzat e EULEX-it mbi rastin Kleçka, pasi Gjykata vendosi se dëshmia e dëshmitarit X nuk ishte e vlefshme. Deklaratat dhe ditarët e Agim Zogajt, i njohur si dëshmitari X, i cili vrau veten në një park të Gjermanisë vitin e kaluar, u cilësuan të papranueshme pasi ekspertiza vërtetoi se ato ishin shkruar nga katër persona të ndryshëm. Gjykatësit kanë vlerësuar se prokuroria nuk i ka përmbushur disa standarde të caktuara procedurale dhe për këtë arsye, dëshmia e Agim Zogajt është e papranueshme, thuhet në njoftimin e EULEX-it. Në rastin Kleçka, Limaj dhe nëntë ish-ushtarët akuzoheshin për krime kundër popullatës civile gjatë luftës së vitit 1999. Gjykatësi kryesues ka urdhëruar lirimin e të pandehurve nga paraburgimi. Mbrojtja dhe prokuroria do të kenë të drejtën e ankesës pasi të shpallet aktgjykimi. Pas përfundimit të seancës gjyqësore, avokati mbrojtës, Tahir Rrecaj, ka thënë se më në fund drejtësia triumfoi. Ai pret që edhe aktgjykimi të jetë lirues dhe dëshmitarët të shpallen të pafajshëm. Aktvendimi pritet të jepet brenda disa ditësh.