E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët të krijojnë “Albasferën”Nga “Lajm”Shtetet nga ish-Federata Jugosllave po bashkohen në një federatë të re të ashtuquajtur “Jugosfera”, por kësaj radhe ndryshe nga aspekti politik ata janë bërë tok për interesa ekonomike. Shqiptarët, edhe ps

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Shqiptarët të krijojnë “Albasferën”Nga “Lajm”

Shtetet nga ish-Federata Jugosllave po bashkohen në një federatë të re të ashtuquajtur “Jugosfera”, por kësaj radhe ndryshe nga aspekti politik ata janë bërë tok për interesa ekonomike. Shqiptarët, edhe pse kanë liberalizuar tregun, edhe pse është formuar shteti i Kosovës, sërish kanë mbetur në dilemë, nga cila anë t’ia mbajnë. Të shkojnë sërish me ish-Jugosllavinë apo të formojnë union të vetin, ku do t’i prezantojnë vlerat e tyre. Ekonomistët kërkojnë bashkim të shqiptarëve. “Shqiptarët duhet të bëjnë integrimin brenda vetvetes, sepse pesëdhjetë vjet ata në ish-Jugosllavi nuk ishin të barabartë. Duhet të bëhen përpjekje që integrimi brenda trojeve shqiptare të jetë sa më i fort dhe jo të jetë vetëm integrim deklarativ”, - tha Nasir Selimi, profesor në UEJL.

Kosova dhe shqiptarët e Maqedonisë duhet të futen në një union me Shqipërinë. Fillimisht duhet të kihet parasysh struktura ekonomike e këtyre shteteve, do të thotë që t’i jepet përparësi ekonomisë së një vendi, në krahasim me ekonominë e një shteti tjetër. “Nga struktura ekonomike duhet të shihet se cilat janë kërkesat e blerësve në Shqipëri, e konsumatorëve në Kosovë dhe cilat janë ato në Maqedoni. Po qe se kemi një analizë të tillë, atëherë do të mund secili të përqendrohet në prodhimin e atyre mallrave, për të cilat do të ketë përparësi kooperative”, - thotë Selimi.

Sipas tij, problemi kryesor që pengon këtë integrim është infrastruktura. “Integrimin mbarëshqiptar do ta ndihmonte ndërtimi i infrastrukturës, lidhja e këtyre trojeve me rrugë, me aeroporte, të cilat do t’i ndihmonin zhvillimit të ekonomisë. Është mirë që u investua në qarkullim, rruga e cila lidh Kosovën me Shqipërinë, por akoma Kosova duhet të punojë ta përfundojë krejtësisht këtë rrugë. Nga Maqedonia duhet të bëhet shumë shpejt Rruga e Arbrit, pastaj rruga që lidh Kosovën me Maqedoninë etj.”, - tha profesori i ekonomisë në UEJL. Sa i përket “Jugosferës” shqiptarët nuk kanë pasur një të kaluar të mirë, faktikisht një bashkëpunim i tillë ka qenë vetëm në interes të republikave të tjera e jo në interes të trojeve shqiptare. “Shqiptarët kanë kapacitet që t’i ofrojnë produkte dhe shërbime tregut ndërkombëtar dhe rajonal. Këto gjëra duhet të avancohen. Konkurrenca duhet gjithmonë të vihet në bazë të cilësisë së prodhimit dhe kërkesës për treg të huaj”, - tha Selimi.

Gazeta londineze, “Economist”, në artikullin për “Jugosferën” ka thënë se shqiptarët, sidomos të Kosovës, edhe pse realisht kanë qenë të shtypur nga vendet e deritanishme të Jugosllavisë, sërish mund të jenë pjesë e këtyre shteteve. “Nëse shqiptarëve u thua të pinë qumësht italian, ata sërish do të vazhdojnë të pinë qumështin slloven”, - shkruan “Economist”. Sipas gazetës angleze, ata lehtë mundë të udhëtojnë edhe për pushime në Mal të Zi, edhe pse nuk shikojnë televizione sllave, por vetëm shqiptare.

Pse shqiptarët pinë ende qumështin slloven?

“Është e vërtetë që edhe pas diskriminimit të Kosovës nga shtetet sllave, Kosova prapë ble nga tregu i Serbisë dhe Sllovenisë. Shkaku kryesor është se konsumatorët për një kohë të gjatë kanë pasur qendër pikërisht rajonin e ish-Jugosllavisë, e cila ka lënë gjurmë dhe nuk mund të shlyhet shumë shpejt. I tillë është edhe rasti i qumështit nga Ljubljana, që nuk hiqet kollaj nga mentaliteti i konsumatorit”, - tha Selimi.

Shqiptarët të blejnë prodhime shqiptare!

Shqiptarët duhet të mësohen të blejnë produkte që shërbehen ose prodhohen nga trojet shqiptare. Duhen blerë prodhime vendore, edhe pse prodhuesit duhet t’i kushtojnë rëndësi cilësisë së mallrave, t’i kënaqin nevojat e konsumatorëve dhe të fokusohen edhe në marketin. Konsumatorët duhet të binden që prodhimeve të vendit duhet t’iu jepet rëndësi. Nasir Selimi thotë se ky nuk është nacionalizëm, pasi edhe maqedonasit, por edhe vetë amerikanët e kanë parullën që të blihen prodhime vendore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›