29 Nëntori i Ilir MetësNga Brizida GjikondiKatër deputetë mund t’i zgjasin jetën politike anti të majtit dhe anti-shtetarit më shembullor të Ballkanit. Katër deputetë mund të shërbejnë për t’i dhënë jetë një qeverie që s’do kish dot jetë pa bashkëngj
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
29 Nëntori i Ilir MetësNga Brizida GjikondiKatër deputetë mund t’i zgjasin jetën politike anti të majtit dhe anti-shtetarit më shembullor të Ballkanit. Katër deputetë mund të shërbejnë për t’i dhënë jetë një qeverie që s’do kish dot jetë pa bashkëngjitjen e tyre. Katër deputetë mund të shërbejnë për të thyer zemrat e miliona shqiptarëve, pavarësisht se ata mund të jenë votuar nga mijëra syresh. 4 deputetë mund t’i shërbejnë në mënyre shembullore frymëmarrjes së shtetit të Gërdecit, shtetit të zhdukjes së Remzi Hoxhës, shtetit të rrahjes së Ndre Legisit, shtetit të vëllavrasjes së ‘97-ës, shtetit të ARMO-s korruptive, shtetit të anti-ligjit, shtetit të Gjirit të Lalzit, shtetit të Spilesë, shtetit të uzurpimit të çdo vlere materiale dhe shpirtërore me dhunë dhe me ligj mafioz. 4 deputetë mund të trishtojnë pa fund miqtë dhe të ardhmen e tyre dinjitoze. 4 deputetë mund të bëjnë kurban fatet e një kombi për hir të pazarit të tyre të vogël, e kjo është e dhimbshme, pasi rrugëtimi i tyre si të majtë nuk duhet të mbërrinte dhe përfundonte aty…, pasi ata përfaqësonin me mijëra shqiptarë të majtë dinjitozë që guxuan për 5 vjet të ishin në krah të tyre. Guxuam për 5 vjet që me idealizëm dhe përkushtim në xhunglën e politikës shqiptare të ishim përballë dhe kundër çdo monopoli antivlere kombëtare si me Nanon, Ramën dhe sidomos Berishën. Ne nuk ishim shumë, por ndjeheshim të tillë, edhe pse ishim kundër të gjithëve, ne kishim moralin, besimin dhe të drejtën me vete, por që në momentin që morali, besimi nxirren dhe konvertohen në ngritje dhe ulje pazari, që në atë moment lëvizja progresive dhe kurajoze shpërbëhet dhe bashkë më të dhe historia e pashkruar dhe e mbyllur me turp e një të majte ndryshe ose e një të majte të vërtetë. E ç’rëndësi ka emri i sekserit, shkuesit dhe vajtje-ardhjet e tij nga një familje në tjetrën.. mua pak më intereson, pasi unë s’jam për t’u shitur…. Mua më vjen keq që gjuha e sharjes, fyerjes, shpifjes imorale përdhos dhe përbalt këdo që në integritetin, individualitetin dhe respektin ndaj vetes zgjedh të rrijë apo të ikë nga rrugëtimi i zhgënjimit. Prej muajsh miq të mi që kemi ndarë idealet, bukën, kafen, netët dhe zemrat e revoltave po përbalten në mënyrë të paprinciptë nga “shokët e armëve” dhe më besoni, kjo është pjesa më e shëmtuar e shpërbërjes së një ideali. Me LSI në vitet 2004-2009 u bashkuan shumë të majtë idealistë e kurajozë, them idealistë, pasi dihet që pragmatistët synojnë kryesisht forcat e pushtetit, ndaj klisheja e fundme e saj demotivoi dhe shpërbëri palcën e saj kurrizore. Pavarësisht luftës së egër me PS jam e bindur se mos-bashkimi i 4 deputetëve të saj me Berishën, përpos çuarjes imediate në zgjedhje të parakohshme, do i jepte LSI dhe spektrin e së vërtetës dhe provës së saj si e vetmja e majtë e vërtetë vetë-sakrifikuese e rrjedhimisht dhe hapësira të pafundme materialiste për pragmatistët e saj të duruar.., por jo gjithmonë morali ecën në një kah me idealin dhe etjen për të mira materiale. I mbyll këto rreshta duke shprehur reflektimin, keqpërdorimin, keqardhjen time për mundin, sakrificën dhe përkushtimin e mijëra të majtëve që besuam te një e majtë ndryshe. I mbyll këto rreshta me të vetmen qetësi që, pavarësisht sakrificave të mëparshme dhe ato që më presin, unë dhe shumë si unë ende s’ia kemi shitur shpirtin shejtanit, unë dhe shumë si unë s’kanë turp para paraardhësve, as para pasardhësve, pavarësisht financave tona modeste, unë, ashtu si dhe të parët e mi, ndryshe nga dhunuesi agresiv i së majtës, anti-shtetari dhe çmendaraku Berisha, do shkoj qetë-qetë në krah të babait tim më 29 Nëntor pranë Varrezave të Dëshmorëve.