Shqiptarët zhyten në borxhe për të përballuar jetesën, 11 për qind e buxhetit financohet nga borxhi
Kostoja e jetesës për shqiptarët në tre muajt e parë të vitit është rritur me 11. 8 për qind, ndërkohë që çmimet e konsumit kanë regjistruar një rritje për 19. 29 për qind. E thënë ndryshe, ekonomive familjare u duhet të financojnë me borxhe një pjesë të konsiderueshme të buxhetit për të mbyllur shpenzimet mujore.
Vështirësitë financiare të buxheteve familjare shënojnë një kurim në pritje për 45.10 për qind. Treguesit janë analizuar nga Banka e Shqipërisë, e cila në një raport për tremujorin e parë të vitit 2010 pasqyron se ekonomia në pritje regjistron vlera negative në masën 26. 82 për qind. Në faqen zyrtare të Bankës së Shqipërisë ku është publikuar edhe raporti, janë analizuar edhe disa tregues të tjerë të ekonomisë në terma tre mujor. Në të njëjtin dokument paraqitet edhe raporti shpenzim-kursim, i cili për këtë periudhë është në shifra negative.
Shpenzimet
Një familje shqiptare për të përballuar koston e jetesës në një muaj duhet që të mbulojë me borxhe të paktën 11 për qind të buxhetit familjar. Ndërkohë që pritshmëritë për përmirësimin e gjendjes financiare regjistrojnë vlera negative. Kështu treguesi i ekonomisë në pritje është në vlera negative, rreth 27 për qind. Në analizën sa Banka e Shqipërisë ka pasqyruar vetëm treguesit por pa shpjeguar faktorët që kanë sjellë gjendjen e vështirë të ekonomive familjare. Tregues tjetër negativ është edhe raporti shpenzim-kursim, që do të thotë se shqiptarët nuk mund të kursejnë asnjë para nga të ardhurat e tyre mujore. Por deficiti përkeqësohet më tej duke pasur parasysh faktin se ekonomitë familjare jo vetëm që nuk mund të kursejnë por financohen me borxhe, të cilat akumulohen periudhë pas periudhe. Mungesa e kursimeve, rritja e çmimeve të pritshme, rritja e kostos së jetës, për më tepër mbulimi i shpenzimeve mujore me borxhe zhytin më thellë në krizë konsumatorët.
Faturat
Rritja e çmimit të energjisë, rënie e remitancave, rritja e akcizave dhe e çmimeve të konsumit në treg janë katër faktorët kryesorë që pasqyrohen në tregues negativ në ekonominë shqiptare. Specialistët e ekonomisë pohojnë se një pjesë e konsiderueshme e ekonomive familjare në vend financohen nga remitancat, dërgesat e emigrantëve nga jashtë, të cilat kanë pësuar një rënie të ndjeshme gjatë muajve të parë të vitit duke u pasqyruar drejtpërdrejtë vështirësi për përballimin e jetesës për këtë shtresë. Një tjetër kosto për ekonomitë familjare ishte shtrenjtimi i faturës së energjisë elektrike. Masa e rritjes prej 13 për qind të çmimit të energjisë ka dhënë efektet negative dhe më të ndjeshme këto efekte janë në familjet në nevojë, të cilat deri tani nuk kanë përfituar asnjë kompensim.
Remitancat
Gjatë pesë muajve të parë të këtij viti remitancat kanë pësuar një rënie prej 7 për qind. Në Shqipëri përfitojnë dërgesa nga jashtë rreth 180 mijë familje dhe banka e Shqipërisë thotë se nëse këto dërgesa nuk do të ekzistonin 40 për qind e këtyre familjeve do të jetonin nën kufirin e varfërisë me më pak se dy dollarë në ditë. Në uljen e të ardhurave nga emigrantët ka ndikuar ndjeshëm ulja e dërgesave nga emigrantët që punojnë dhe jetojnë në Greqi. Burime nga Banka e Shqipërisë bëjnë të ditur se për të dytin tre mujor radhazi remitancat kanë pësuar rënie. Sipas Bankës gjatë tremujorit të parë, shqiptarët që punojnë dhe jetojnë jashtë dërguan në formën e transfertave në Shqipëri rreth 170 milionë euro, ose 13 milionë euro më pak se sa një vit më parë. Burime nga banka bëjnë të ditur se dërgesat e emigrantëve po shfaqin një tendencë të qartë rënëse, që ka nisur që prej vitit 2007. Krahasuar me tre muajt e parë të 2007-ës, dërgesat ishin tremujorin e parë të këtij viti 26.7 për qind më të ulëta. Vitin e kaluar dërgesat e emigrantëve ishin në total rreth 782 milionë euro ose gati 10 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto, duke qenë një nga burimet kryesore të financimit nga jashtë. Sipas një studimi të kryer dy vjet më parë nga banka e Shqipërisë, rezultoi se dërgesat e emigrantëve kanë qenë një nga faktorët kryesorë të zbutjes së varfërisë në vend.
Treguesit e BSH
Kursimi (T7 A) - 52, 21 për qind
Kostoja e Jetesës (T 3P) -11.08 për qind
Çmimi pritës (T 4P) 19. 29 për qind
Kursimi në pritje (T 7P) -45.10 për qind
Ekonomia në Pritje ( T 2P) -26.82 për qind
Shpenzim-Kursim (T 8 ) 8.31 për qind
Ornela Manjani