Aktori i madh lindi më 4 janar 1924, në krahinën e Mallakastrës
Më 4 janar të vitit 1924, në Mallakastër lindi njëri prej burrave që lartësoi jo vetëm emrin e krahinës nga vinte, por edhe të vendit të tij. Kadri Roshi, gjeniu i skenës shqiptare, në këtë fillim janari do të mbushte plot 86 vite nga dita e lindjes. Kadri Roshi, aktor i madh i teatrit e kinematografisë shqiptare, përfundoi studimet e larta në Pragë, në vitin 1951. Ai e filloi karrierën e tij si aktor në Teatrin Popullor në moshën 21-vjeçare, duke qenë një ndër krijuesit e këtij teatri. Që nga ajo kohë ai numëron rreth 180 role në skenë dhe kinematografi, të cilat përbëjnë një jetë të madhe artistike, ku ndërthuren vështirësitë e një jete prej jetimi, çiraku, portieri kinemaje dhe deri tek aktori origjinal, me portretin e njeriut të fisëm. Në vitin 1995 është nderuar me çmimin e Karrierës në Festivalin e Filmit Artistik, në vitin 1997 me çmimin e Madh të Nderit. Ai është "Nderi i Kombit" nga viti 1999. Emri i Kadri Roshit është i lidhur ngushtë si me teatrin, ashtu edhe me kinematografinë, ku ai la figura të spikatura që nuk do të harrohen kurrë. Kadri Roshi ndërroi jetë më 6 shkurt të vitit 2007, në Tiranë.