“Metropol” me dy shfaqje për spektatorin e vogël
2010. Gjatë vitit që lamë pas qendra Kulturore Tirana ka sjell një larmi aktivitetesh pran publikut kryeqytetas, duke bërë kështu një nga qendrat më të dashura me veprimtari gjithëpërfshirëse dhe edukative. Pas sprovës së parë me pjesën "Gracka", e cila u prit shumë mirë nga spektatori i vogël, Teatri i Metropolit për Fëmijë hap sezonin e ri me dy shfaqje premierë, dy pjesë të përshtatura nga dy përralla të shkrimtarëve të mëdhenj botërorë. Bëhet fjalë për pjesët "Në ballon e luleve", përshtatur nga përralla "Lulet e Idës së vogël" e autorit H. K. Andersen dhe "Druvari i mirë", përshtatur nga përrallat e vëllezërve Grim. Ndonëse kushtuar të vegjëlve, përkushtimi është maksimal. Një staf i tërë po punon për të realizuar këto vepra dhe për t’ia përcjell spektatorit të vogël me kënaqësi. Pjesa "Druvari i mirë" risjell një variant tjetër të përrallës së njohur të peshkut magjik që plotëson dëshirat e njeriut që e shpëton nga grepi. Një druvari të varfër, i bie sëpata në lumë. Është aty, ku ai zë me grep peshkun e fatit, i cili është gati t'i plotësojë çdo dëshirë në këmbim të lirisë. Pasi bëhet i pasur, druvari ndjen se nuk është i lumtur dhe i kërkon peshkut t'i kthejë jetën e mëparshme, të varfër, por të lumtur. Regjisori i ri Genti Deçka, i cili është edhe përshtatësi në shqip i veprës, dëshiron t'u bëjë pak "moral" fëmijëve, duke u mësuar se pasuria nuk është gjithçka në jetë. (Interpretojnë Endri Çela në rolin e druvarit, Ledian Papagjoni në rolin e vëllait dhe Arbër Islami si narratori).
Pjesa tjetër me regji të Adelina Muçës, "Në ballon e luleve", është më pak moraliste dhe vë më shumë në punë fantazinë dhe lojën. (Interpretojnë Drilona Zalli në rolin e Idës, Genti Deçka në rolin e studentit, Lorenc Kaja në rolin e Adolfit, Ina Limani në të Jonës, Lindita Alliu si mamaja e Idës dhe Grupi i baletit për fëmijë, që sjellin kopshtin me lule).
Ida është një vajzë 10-vjeçare që kujdeset shumë për lulet e kopshtit të saj, madje u rrëfen atyre dhe të gjithë ndodhitë e ditës. Nga biseda, fantazia e vajzës shkon më tej. Ajo krijon një ballo imagjinare, ku mbreti dhe mbretëresha janë trëndafili dhe karafili e më tej vijnë të gjithë obortarët me radhë me veshjet e tyre ngjyra-ngjyra. Bota e luleve i ngjan asaj të njerëzve. Çdo lule, përfaqëson një karakter të ndryshëm. Në këtë ballo mund të gjenden zambakë ëndërrimtarë, lule këmbajka aventuriere, bozhure kapriçoze, lule kacavjerrëse, tulipanë fisnikë, luledele të brishta, manjola bukuroshe etj. Është një shfaqje e gjallë, plot ngjyra dhe ritëm, ku aktrimi gërshetohet me koreografinë. Janë fëmijët e trupës së baletit, nën koreografinë e Llaqi Nakos, që do ta bëjnë edhe më të gëzueshme këtë pjesë. Këto dy vepra do të shfaqen çdo të shtunë dhe të diel në orën 10.30, në sallën "Çehov", të alternuara. Janë parashikuar 25 shfaqje për secilën. Drejtuesit e Qendrës Kulturore "Tirana", kanë menduar që kjo shfaqje të ofrohet edhe për ata fëmijë që nuk kanë mundësi të paguajnë biletën e teatrit, apo për organizime kolektive. Është menduar që mesjava t'i kushtohet shfaqjeve për kopshtet dhe për fëmijët në nevojë.
12 Janar 2010