Ferrari: Alonso mund ta mposhtë Shumin

Stefano Domenikali mendon se prezenca e gjermanit do të jetë një stimul më shumëTransferimi i Mikael Shumaker te Mercedes GP ka qenë padyshim një goditje e rëndë për Ferrarin. “Tashmë duhet ta hedhim pas shpine të kaluarën. Prezenca e tij në pistë si kundërshtar do të shërbejë si një stimul më shumë dhe të gjithë në skuadër kërkojnë t’i tregojnë edhe Mikaelit se jemi më të fortët. Tashmë, të gjithë ne kërkojmë të fitojmë me çdo kusht”, deklaroi drejtori sportiv i “kokëkuqes”, Stefano Domenikali. Mbetet e vështirë që ta imagjinosh Ferrarin pa Shumin: fytyra e shtatë herë kampionit të botës është e lidhur ngushtë me prodhuesin nga Maranelo, megjithatë, situata e krijuar nuk duhet parë si një dramë. “Personalisht mendoj që është e gabuar të mendosh se ajo që ndodhi nuk ka lënë shenjë nga pikëpamja emocionale, shtoi Domenikali. Tifozët e Ferrarit nga e gjithë bota mbeten shumë të zhgënjyer për zgjedhjen e Shumakerit. Gjithsesi, nuk duhet të harrojmë atë që Mikael ka bërë për skuadrën, por edhe atë që ne kemi bërë për pilotin. Largimi nga familja e Ferrarit nuk është asnjëherë i lehtë”. Kritikët nuk janë të bindur nga rikthimi i pilotit gjerman, i cili tashmë është 41 vjeç dhe mendohet se do ta ketë mjaft të vështirë të përballet me protagonistët e rinj të Formula 1. Fernando Alonso, Luis Hemilton, Sebastian Fetel, por edhe kampioni në fuqi i botës, Xhenson Baton, pritet të jenë rivalë mjaft të fortë. Pavarësisht kualitetit të tyre, Domenikali nuk e nënvlerëson Shumin: “Të gjithë e kemi të qartë se Mikael është një pilot i jashtëzakonshëm dhe nëse ka vendosur që të përballet me këtë sfidë të re, mendoj se është i bindur që do të shfaqë vlerat e tij të vërteta. A mund ta mposhtë Alonso? Spanjolli ka gjithçka që i nevojitet për të fituar duelin me Shumakerin, por edhe Ferrari duhet të bëjë të pamundurën që t’i sigurojë një makinë konkurruese”.
Ndërkohë, drejtuesi i “kokëkuqes” ka konfirmuar se Valentino Rosi, kampioni i botës në MotoGP, do të bëjë një tjetër testim. “Më 20 dhe 21 janar në pistën e Barcelonës, Valentino do të provojë një prej makinave Ferrari që kanë shkruar historinë e markës sonë. Më pas, si Rosi, ashtu edhe ne, duhet të përqendrohemi tek objektivat sezonalë. A do të jetë Rosi piloti i tretë? Garimi me tri makina mund të diskutohet sërish. Nëse ai do të miratohet dhe Vale do të jetë i interesuar për këtë projekt, afrimi i tij mund të jetë një zgjidhje logjike”, përfundoi Domenikali.
#