QSUT, operacionet e parashikuara në shtator nuk kanë filluar
Pezullimi i operacioneve gjatë sezonit të verës parashikonte që të fillonin në shtator, por duket edhe shtatori do të kalojë pa operacione. Burime nga QSUT-ja sqaruan se ende nuk ka një përgjigje për fillimin e tyre. Shkak për vonesat është bërë mungesa e medikamenteve, ku procedurat për kryerjen e tenderave nuk kanë përfunduar në Ministrinë e Shëndetësisë. Drejtoresha e QSUT-së, Gjeorgjina Kuli, është shprehur se pritet që së shpejti të bëhet furnizimi me medikamente dhe se këtë vit, do të bëhet mirëmenaxhimi i fondeve për të shmangur mungesat. Sipas të njëjtave burime, në QSUT janë mjaft pacientë që presin të kryejnë operacione për probleme të ndryshme. Aktualisht në QSUT zhvillohen operacione vetëm për rastet e urgjencave. Operacionet në QSUT u ndërprenë gjatë sezonit të nxehtë të verës. Shkak për ndërprerjen e operacioneve u bënë temperaturat e larta dhe marrja e lejeve nga personeli mjekësor. Sipas stafit të mjekëve, kjo ndërprerje është normale sepse temperaturat e larta janë të dëmshme për mbarëvajtjen e pacientëve që kanë kryer operacion. Gjatë kësaj periudhë në spital qëndroni një staf i reduktuar mjekësh që prisnin rastet e urgjencave. E thënë ndryshe, operacionet që do të kryheshin në QSUT gjatë muajve të nxehtë të verës, ishin parashikuar të fillonin në shtator. Duke u nisur që nga muaji korrik, në regjistrat e spitaleve nuk regjistrohej asnjë datë të përcaktuar për kryerjen e operacioneve. Ndërprerja e operacioneve gjatë muajve të nxehtë u bë edhe për shkak të mungesës së furnizimit me ujë të pavijoneve dhe sallave kirurgjikale. ǒka do të thotë se po nuk pati ujë nuk ka kryerje të operacioneve. Ky është një problem i përvitshëm në qendrat spitalore të vendit, ku mungesa e ujit është kthyer në një rutinë të sezonit veror. Ndërsa ata që do të përballen me vështirësi më të mëdha shëndetësore do të jenë pacientët. Ata janë të detyruar që të caktojnë datën për kryerjen e operacioneve pas muajit shtator. Pacientët do të marrin shërbim ambulator derisa mjekët të vendosin për kryerjen e operacioneve.
3 Shtator 2008