E Shtunë, 31 Tetor 2026

Femrat “pushtojnë” Tiranën, meshkujt në pakicë



Emanuela Sako

Femrat janë mbizotëruese në kryeqytet. Kjo jo për ndonjë arsye të veçantë, por sepse ato janë më të shumta në numër. Sipas një studimi të kryer nga specialistët e Bashkisë së Tiranës rezulton se numri i femrave në kryeqytet përbën 50.6 për qind të popullsisë, kundrejt 49,4 për qind të numrit të meshkujve. Sipas Zyrës së Gjendjes Civile pranë Bashkisë së Tiranës, popullsia e qytetit gjatë këtij viti ka arritur në rreth 602 041 banorë, nga të cilët është bërë dhe kjo ndarje. Femrat dominojnë kryeqytetin me një diferencë jo shumë të lartë, por gjithsesi ato klasifikohen në majën e popullsisë të kryeqytetit. Numri i popullsisë në kryeqytet po rritet çdo ditë e më tepër, ndërsa regjistrat e gjendjeve civile në njësitë bashkiake bëjnë regjistrimin e të ardhurve nga rrethet drejt metropolit.
Statistikat
Përveç të dhënave që tregojnë se femrat janë në shumicë, ajo që është më interesante ka të bëjë me faktin se numri i femrave të punësuara në institucione të rëndësishme dhe vendimmarrëse po vjen duke u rritur. Madje Bashkia e Tiranës nuk është vetëm ideatorja e kryerjes së statistikave të tilla, por është bërë dhe promovuese e punësimit të gruas në institucione të rëndësishme. Kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, shpeshherë ka iniciuar nisma të shumta për forcimin e rolit të gruas në shoqëri dhe në institucione. Në Bashkinë e Tiranës pjesën dërrmuese të administratës dhe të drejtorive të veçanta e përbëjnë gratë.
Sipas disa statistikave të kryera nga Ministria e Punës për femrat në të gjithë vendin, përfaqësimi i gruas në arsimim tashmë është i barabartë me burrat. Megjithëse kjo nuk u siguron atyre të njëjtat mundësi në tregun e punës. Situata e punësimit të gruas është më e favorshme në sektorin e administratës publike, ku gruaja zë 56 për qind të të punësuarve, ndërsa burrat 44 për qind. Pabarazia është shume e dukshme në sektorin privat, ku një numër shumë i vogël i grave, vetëm 17 për qind, arrin në nivelin e menaxhereve.
Punësimi
Rreth 17 për qind e drejtueseve të biznesit privat janë gra. Numri më i madh i bizneseve të regjistruara, që drejtohen nga gratë, ka një përqendrim të madh në zonat urbane, ku edhe mundësitë për biznese janë më të mëdha. Rreth 85 për qind e këtyre bizneseve të drejtuara nga gratë ndodhen në zonat urbane dhe 15 për qind në zonat rurale. Vendin e parë e zë Tirana, me përqendrim 31 për qind, Durrësi me 8.7 për qind dhe Elbasani me 6.2 për qind. Statistikat janë kryer nëpërmjet Drejtorisë së Politikave të Shanseve të Barabarta në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Punësimi te gratë shqiptare kufizohet nga një sërë faktorësh: detyrimi dhe përgjegjësia për rritjen e fëmijëve, kryerja e punëve të shtëpisë, niveli arsimor, aksesi i kufizuar në formimin profesional, pronësia dhe mundësia për të përfituar kredi etj.
Vitet e fundit gratë janë angazhuar më tepër në bizneset private, duke drejtuar biznese të ndryshme sipas mundësive të kushtëzuara nga faktorët ekonomikë apo arsimorë. Gratë kanë ngritur bizneset e tyre kryesisht në aktivitete ekonomike të tilla si tregti, shitje me shumicë, dyqane, shërbime të ndryshme si dentist, noteri, avokati, parukeri, agro-biznes, industri, në prodhimin e bulmetit, tekstil, botime librash, rrobaqepësi dhe punime artizanale.

3 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›