E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarkozi: “Kosova ishte rast special, jo si Osetia e Abkhazia”



Presidenti francez Nikola Sarkozi i është referuar sërish krahasimit të Kosovës me dy republikat separatiste Abkhazi e Oseti Jugore të njohura si shtete nga Moska. Duke folur pas përfundimit të Samitit të jashtëzakonshëm të BE-së, kreu francez, vendi i të cilit mban dhe presidencen europiane tha se Kosova është rast special, dhe se për Kosoven, janë zhvilluar dhjetra takime e forume ndërkombëtare para se ajo të njihej deri më sot nga vendet e BE. “Ata flasin për Kosoven si precedent. Por, para se të njihej Kosova, u deshën vite e vite ndërmjetësim nga OKB-ja ”,- ka thënë Sarkozi në konferencën për shtyp pas Samitit. Ai tha se BE-ja e dënon vendimin e Rusisë për njohjen e pavarësisë së Osetisë Jugore dhe të Abkhazisë, ashtu siç bëri Rusia, kur dënoi vendimin e disa shteteve europiane, për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Sarkozi më tej u shpreh se i ka kujtuar presidentit rus Dimitri Medvedev se kur Europa e pranoi Kosovën, Rusia e dënoi vendimin e Europës. Sarkozi shtoi se në këtë rast, rusët nuk duhet të habiten kur BE-ja dënon një vendim të tyre. Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike të Serbisë, Vojisllav Koshtunica ka vlerësuar se “Kosova është dëshmuar se nuk është rast unik” dhe se “një virus i rrezikshëm i pavarësisë së kundërligjshme” do të godasë vende të ndryshme. Në një deklaratë dhënë për mediat serbe, ai ka theksuar se “vlerësimi i presidentit francez, Sarkozi se Kosova është rast unik dhe se nga të gjitha shtetet në botë vetëm sovraniteti dhe integriteti territorial i Serbisë mund të shkelet, paraqet vazhdimin e politikës thellë të gabueshme të cilën e udhëheq Bashkimi Europian.

Serbia nuk njeh vulat e Kosovës në pasaportat e të huajve

Autoritetet serbe në vendkalimin kufitar Tabanoc-Preshevë kanë ndaluar hyrjen për shtetasit e Maqedonisë dhe të huaj për shkak të vulave të Kosovës në pasaportat e tyre. Shefi i Drejtorisë për çështje konsulore, Refet Hajdari ka deklaruar se ministria po grumbullon të gjitha të dhënat dhe së shpejti pritet reagimi i nevojshëm. “Ne i bëjmë thirrje shtetasve që të sjellin si dëshmi pasaportat e tyre në ministri, sepse neve na duhen argumente për të vërtetuar një gjë të tillë dhe për të pasur parasysh ankesat e qytetarëve”,- theksoi Hajdari. Sipas agjencive të lajmeve, në pikën kufitare të Tabanocit, autoritetet serbe kanë kthyer edhe shtetas të BE-së, për shkak se në pasaportat e tyre kanë pasur vulën e Kosovës. Serbia aplikoi ndalesat për shtetasit e huaj edhe në fillim të përdorimit të vulave të UNMIK-ut.

3 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›