Tërhiqet Topalli, letër Topit: Verifikojini vetë gjyqtarët
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka hedhur hapin e parë për të shkrirë akujt mes institucionit që ajo drejton dhe Presidencës. Prej disa javësh këto dy institucione janë përfshirë në debate të ashpra mes njëri-tjetrit, ku shkak për këtë tension, është bërë vonesa që Kryetarja e Kuvendit, ka shkaktuar mos-shqyrtimin e pesë dekreteve të Presidentit Topi, për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Si për të harruar këtë mosmarrëveshje, Kryetarja Topalli është ngjitur dje në Pallatin Presidencial, duke marrë pjesë në ceremoninë e dekorimit me urdhrin "Gjergj Kastrioti Skënderbeu" me motivacionin "Për kontribut të veçantë dhe shumë të rëndësishëm në zhvillimin dhe mbështetjen e demokracisë në Shqipëri", të kryetarit të grupit parlamentar të miqësisë Austri-Shqipëri, Volfgang Grosruk. Mësohet se propozimi për këtë dekorim ka qenë i Kryetares Topalli, propozim, i cili është pranuar nga Presidenti Topi. Nga burime brenda takimit, bëhet e ditur se ceremonia është zhvilluar sipas protokollit dhe mes Presidentit Topi dhe Kryetares Topalli nuk ka pasur asnjë fjalë më shumë përveç shtrëngimit të duarve reciprok. Ndërkaq, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, i ka dërguar një letër Presidentit Topi, ku i kërkon verifikim për pesë gjyqtarët e emëruar. Realisht me këtë veprim, Topalli është tërhequr nga qëndrimi i ashpër dhe bëhet me dije se letra është informate dhe jo me nota zyrtare. Është dashur ndërmjetësimi i të huajve, që institucionet më të larta shqiptare të rinisin bashkëpunimin mes tyre. Kujtojmë këtu se javën që shkoi, ambasadorët më të rëndësishëm në vendin tonë dhe konkretisht ambasadori i BE-së, Lohan, dhe ambasadori i SHBA-së, Uithers, kanë zhvilluar takime intensive si me Presidentin Topi ashtu edhe me Kryetaren e Kuvendit, Topalli. Takime të cilat duket se kanë shërbyer mjaft pozitivisht, pasi Kryetarja e Kuvendit ka zhvilluar po dje, disa takime konsultative me konstitucionalistë dhe juristë të njohur. Nga këto takime bëhet e ditur se thelbi i diskutimit kanë qenë dekretet e Presidentit Topi për anëtarët e Gjykatës së Lartë, si dhe interpretimi i Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje. Topalli ka deklaruar dje në sallën e Kuvendit, se dekretet do të diskutohen në komisione të cilat do të vendosin për ta, pasi Kuvendi ka merita ligjore për këto dekrete. Prej javësh, politika është përfshirë në debate të ashpra, duke e akuzuar Kryetaren Topalli se po merr kompetenca më shumë sesa ia lejon Kushtetuta dhe ligjet në fuqi. Kompetenca, të cilat për rrjedhojë sjellin edhe paralizimin e punës së institucioneve të tjera siç është Gjykata e Lartë, e cila prej muajsh është e paplotësuar, për shkak se Topalli nuk pranon të sjellë në Kuvend emrat e anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë. Shkak i vonesës së këtyre emrave sipas Topallit, është verifikimi që Kuvendi po u bën këtyre kandidaturave. Por opozita, në sallën e Kuvendit i ka kujtuar Topallit se nuk është detyrë e saj të bëjë verifikimin e kandidaturave, ajo është detyrë e Komisionit të Ligjeve, tek i cili ende nuk ka nisur puna për verifikimin e kandidaturave. Sot pritet që në këtë komision të nisë puna për shqyrtimin nga ana ligjore të pesë dekreteve të Presidentit. Puna e këtij komisioni është shtyrë për gati një javë, pasi kryetari i komisionit, Beja, ka qenë me shërbim jashtë vendit.
Ofensiva diplomatike për të zbutur
përplasjen mes krerëve
Mosmarrëveshjet e shpeshta të politikës shqiptare, si dhe krizat institucionale, i kanë detyruar ndërkombëtarët të ndërhyjnë nëpërmjet ambasadorëve të tyre për të qetësuar ujërat. E njëjta gjë ka ndodhur edhe ditët e fundit ku debati mes Presidencës dhe Kuvendit ka detyruar që të ndërhyjnë ndërkombëtarët për të kthyer normalitetin e tyre. Si gjithmonë pesha më e rëndë i bie ambasadës së SHBA-së në vendin tonë. Ambasadori Uithers, ditët e fundit ka zhvilluar disa takime intensive si me Presidentin Topi ashtu edhe me Kryetaren Topalli, takime të cilat kanë dhënë rezultate pozitive. Gjithashtu, takime intensive me drejtuesit e lartë të këtyre institucioneve kanë zhvilluar edhe ambasadorë të tjerë siç është ai i Këshillit të Evropës, Lohan.