A do ta fitojmë betejën ndaj krimit?
Dje iu dha lamtumira katër oficerëve të Policisë së Shtetit, të cilët ranë në krye të detyrës dy ditë më parë, në përpjekje për të kapur një nga personazhet më të njohur të botës së krimit në Shqipëri. Ndarja e parakohshme nga jeta në një mënyrë të tillë, kaq fatale, shënon një nga historitë më tragjike dhe më të pasuksesshme të strukturave të rendit në Shqipëri; mbase që nga koha e aksioneve policore në vitit 1997, kur u shkrumbuan brenda tankut disa gardistë në përpjekje për të qetësuar qytetarët e rebeluar të Cërrikut. Kjo për faktin se pati një bilanc tragjik: katër ekspertët më të mirë të luftës kundër krimit nuk janë më mes nesh dhe jeta jonë, pa dyshim, do të jetë më pak e sigurt. Frika do të jetë më shumë e pranishme dhe ditët nuk do të jenë më shumë të qeta. Ata u sakrifikuan për ne, duke çuar në pranga ata që rrezikojnë çdo ditë rendin dhe sigurinë tonë; ata që kanë ngjyer duart me gjak dhe që lëvizin lirshëm nëpër qytetet e Shqipërisë, në mes të ditës, nën hundët e policisë, duke imponuar ligjin e tyre.
Fatosi, Kastrioti, Sajmiri dhe Altini ishin katër ndër ata që nuk mund të heshtnin; nuk mund të dorëzoheshin dhe nuk mund të pranonin sundimin e krimit. Heronjtë e pazakontë të Shqipërisë së zakontë nuk kishin borxhe ndaj kapos së krimit, nuk ndanin pazare dhe nuk kishin frikë ndaj askujt. Ata thyen heshtjen e turpshme të shtetit të përgjumur dhe të dorëzuar duke dhënë jetën e tyre për një shtet të pakapur nga malavita.
Ata e bënë detyrën e tyre duke zbatuar urdhrat e eprorëve të tyre, ndonëse nuk ishin të sigurt, të mbrojtur apo të konspiruar. Ata e dhanë shembullin e tyre. Por, tashmë, forcat e rendit kanë nevojë për mbështetje në betejën e përditshme ndaj krimit. Policia e Shtetit do të jetë më e fortë nëse kjo ngjarje do të pasohet me analizat dhe përgjegjësitë e saj, me shqyrtimin e shkaqeve që morën padrejtësisht jetën e katër oficerëve. Në një vend të civilizuar me qytetarë dhe shtetarë të përgjegjshëm, përgjegjësit do të kishin pranuar fajin dhe do të kishin hequr gradat. Një gjë të tillë e shohim edhe në Kroacinë fqinje: Një gazetar u vra dhe një aksident i rëndë ndodhi në rrugë, dhe këto u përkthyen me përgjegjësi konkrete, u shoqëruan me dorëheqje deri në nivelet më të larta të pushtetit në Zagreb.
Këtu, te ne, as mbin dhe as rritet fara e përgjegjësisë për gabimet e bëra. Kjo është dukur në të gjitha tragjeditë apo krimet e llojit që pamë dy ditë më parë në Durrës. Tani është rasti që të kërkohen dhe të merren përgjegjësitë për atë që ndodhi të premten e zezë dhe këtë duhet ta bëjmë në emër të ligjit dhe betejës për të fituar ndaj krimit; këtë duhet ta bëjmë në emër të katër dëshmorëve që nuk janë më mes nesh; këtë duhet ta bëjmë edhe për ata që përballen çdo ditë me kapot dhe bandat; duhet ta bëjmë për qytetarët e këtij vendi. Në rast të kundërt, sakrifica dhe gjaku i derdhur deri tani do të shkojnë kot dhe krimi do të bëhet më i fortë sesa ishte deri dje.
10 Gusht 2009