Shtator, gati kontrata e re e energjisë
Duke filluar nga muaji shtator i këtij viti, të gjithë konsumatorët shqiptarë do të kenë në dorë tashmë kontratat e reja të energjisë elektrike. Ekspertë të Ministrisë së Ekonomisë bëjnë të ditur për gazetën se, brenda vitit 2011, CEZ Shpërndarje nuk do të ketë më monopol në tregun shqiptar. Në këtë mënyrë, ndaj kompanisë CEZ do të ndryshohen edhe penalitetet. Gjobat që do i vendosen kësaj kompanie do të bazohen në përqindjen e fitimeve vjetore të periudhës paraardhëse. Përsa i përket kontratës së ujit, kontrata tanimë është gati dhe brenda pak ditësh do të përfundojë në duart e qytetarëve. Nga ana tjetër mësohet, sa i takon kontratave të furnizimit me ujë se me një rregullore të posaçme do të jetë operatori, i cili do të përcaktojë kohën dhe riparimet e nevojshme në sistemin e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve. Në rast ndërprerjeje për punime të planifikuara, operatori duhet të njoftojë konsumatorët nëpërmjet medias, të paktën 3 ditë përpara datës së ndërprerjes, për grafikun e përkohshëm të furnizimit me ujë dhe datën kur do të rifillojë grafiku i zakonshëm. Në këtë drejtim, operatori mund të pakësojë ose përkohësisht të ndërpresë shërbimin e furnizimit me ujë, të kanalizimeve ose cilindo prej shërbimeve për të cilat është licencuar, për shkak të defekteve të papritura në sistemet përkatëse ose në secilin prej elementëve që lidhin sistemet me konsumatorin, edhe pa njoftuar konsumatorin. Në këtë rast, operatori duhet të njoftojë konsumatorin për intervalin dhe arsyen e ndërprerjes. Në rastet e emergjencave, forcave madhore ose defekteve të rënda të sistemeve të furnizimit me ujë apo kanalizimeve, të cilat mund të zgjatin më shumë se 24 orë, operatori duhet të plotësojë kërkesat e shërbimeve sipas një plani emergjence të aprovuar.