E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtatzëna shkon për të lindur, vdes në spital. Familjarët akuzojnë mjekët

LEZHE – Një 22-vjeçare shtatzënë ka humbur jetën në spitalin e Lezhës, për shkaqe ende të panjohura. Mësohet se Lorena Imeri, nga fshati Shullaz i Kurbinit, ishte në muajin e nëntë të shtatzënisë dhe kishte shkuar për të lindur në spital, por ka humbur jetën përpara se të sillte në jetë foshnjën e saj.

Familjarët tregojnë se e kanë çuar me urgjencë vajzën fillimisht në spitalin e Laçit, por aty nuk kishte mjekë të specializuar dhe për këtë arsye janë detyruar ta dërgojnë në Maternitetin e Lezhës.

Mësohet se 22-vjeçarja është paraqitur në spitalin e Lezhës rreth mesnatës, dhe ka humbur jetën një orë më pas. Fatkeqësisht as foshnja nuk ka mundur të mbijetojë. 

Xhaxhai i vajzës tregon se mjekët u kishin thënë se vajza ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa shpëtimi i saj ishte i pamundur.

Familjarët e 22-vjeçares akuzojnë mjekët për neglizhencë, ndërsa kanë ende paqartësi për shkaqet e vdekjes së saj. Familjarët po presin tërheqjen e trupit nga morgu i spitalit, ndërkohë që fillimisht do të pritet ekspertiza mjekoligjore që do të përcaktojë edhe shkaqet e vdekjes së Lorenës dhe foshnjës së saj. 

Ata protestojnë para morgut të spitalit, duke kërkuar tërheqjen e kufomës, pasi kanë caktuar ceremoninë funebre për në orën 16:00.

“Orari i varrimit po afron, mjekët ende s’kanë ardhur për ekspertizën mjeko-ligjore.”- shprehen familjarët.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›