Sekuestrohen 600 kg mariuanë, arrestohet Besnik Bronkeri
Rreth 600 kg mariuanë janë gjetur sot në karrocerinë e një kamioni i paketuar në 24 çanta të mëdha sportive ngjyrë të zezë. Në secilën çantë kishte nga 20-25 pako me peshë një kilogramë secila , të mbështjella me letër natriban , në formë cilindrike , të mbushura me lëndë narkotike Mariuanë.
Mbrëmë, rreth orës 23.55, në aksin rrugor Tepelenë –Fier, në vendin e quajtur klubi i Ali Pashait, në dalje të qytetit të Memaliajt, patrulla e policisë e Komisariatit të Policisë Tepelenë, pas informacioneve të marra në rrugë operative se kamioni tip Reno, që po lëvizte nga Tepelena në drejtim të Fierit mund të transportonte lëndë narkotike, i kanë dhënë shenjë ndalimi në momentin e paraqitjes në postbllokun e ngritur për këtë qëllim.
Drejtuesi i kamionit shtetasi Besnik Agron Bronkeri, i datëlindjes 1973, lindur në Korcë dhe banues në Vlorë në lagjen Pavarsia , ka ndaluar dhe kur i është kërkuar nga policia të hapte mushamanë e karrocerisë ai është përpjekur ti marrë pistoletën njërit prej punonjësve të policisë dhe në pamundësi të kryerjes së këtij veprimi ky shtetas është larguar me vrap. Njëri prej punonjësve të policisë ka qëlluar disa herë në ajër me pistoletë, me qëllim që drejtuesi i mjetit të ndalonte, por ai ka vazhduar lëvizjen. Punonjësit e policisë e kanë neutralizuar duke e plagosur në këmbën e majtë mbi gju.
Menjëherë është dërguar në spitalin e Gjirokastrës dhe më pas është transportuar për në Tiranë për ndërhyrje më të specializuar (pasi ka carë kockën ) nën masa sigurie.
Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe Specialistë të Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër , ku nga kontrolli që iu bë mjetit rezultoi se .
U bë sekuestrimi i mjetit , arrestimi në flagrancë i shtetasit të lartpërmendur për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, parashikuar nga neni 283 I Kodit Penal dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.