E Diel, 1 Nëntor 2026

Një qoshe për shtëpinë e Nënë Terezës

 

Nisën punimet për ringritjen e shtëpisë së Nënë Terezës. Guri i themelit nuk vendoset në vendin ku shtëpia ngrihej dikur. Protestojnë historianët shqiptarë

U vendos gurthemeli për ngritjen e shtëpisë muze të Nënë Terezës në qytetin e Shkupit. Në ceremoni morën pjesë zyrtarë të lartë dhe trupi diplomatik në Maqedoni dhe përfaqësues të fesë. Kryeministri Nikolla Gruevski, ndër të tjera thase me ndërtimin e shtëpisë së Nënë Terezës "do të kemi një memorial, dyert e të cilit do të qëndrojnë gjithmonë hapur aq sa dhe kishte dashuri në zemrën e saj". Ndërkohë që ministri i Kulturës së Maqedonisë, Arifikmet Xhemali, u shpreh se ky objekt do të jetë "simboli i zjarrit të pashuar të humanistes së madhe". Por ashtu siç ishte paralajmëruar edhe më pare, gurthemeli nuk u vendos atje ku është pllaka përkujtimore, tek shtëpia e vjetër ekzistuese e Bojaxhinjve, ku ka lindur nobelistja, në qendër, por në një cep tjetër, pranë shtëpisë së ushtarakëve (Armatës së Maqedonisë ). Prej disa muajsh, Shoqata e Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë dhe Lëvizja Qytetare "Zgjohu" po proteston fuqishëm ndaj këtij akti të papërgjegjshëm. Ata njoftuan edhe Selinë e Shenjtë në Vatikan, trupin Diplomatik në Shkup dhe qeverinë shqiptare për këtë akt të paprecedent, duke nënvizuar se ngritja e shtëpisë së Nënë Terezës jo tek vendi ku ajo ka qënë e ku sot ndodhet vetëm një pllakë përkujtimore, por në një vend tjetër, është një vendim absurd. Kryetari i Shoqatës së Historianëve Shqiptarë në Maqedoni, Nebi Dervishi, tepër i indinjuar e quajti këtë një vendim "vandal, një akt jo civilizues me tendencë që të zbehë figurën e nobelistes së madhe shqiptare". Ndërkohë që përfaqësuesit e lëvizjes qytetare "Zgjohu" e quajnë "një prapavijë politike të qeverisë Gruevski, e cila prej kohësh ka filluar sipas një skenari të caktuar që të zhveshë qendrën e Shkupit nga elementët shqiptarë që ndodhen atje".

Pikërisht mbi themelet e shtëpisë së Nënë Terezës, atje në qendër të Shkupit do të ngrihet një kishë e madhe ortodokse dhe ky bekim u arrit edhe me miratimin e ministrave shqiptarë në qeverinë Gruevski. Nisma për ringritjen e shtëpisë së Nënë Terezës lindi para katër vjetësh,mbi themelet e shtëpisë së vjetër të Bojaxhinjve. Por ishte kryetaria e komunës së qendrës së Shkupit, Violeta Allarova, që e shtyu projektin mbi katër vjet, deri sa bëri zhvendosjen nga vendi real afër qendrës së Shkupit, në një cep të tij, për t'i lënë vendin e lirë kishës ortodokse. Para pak kohësh, në mbledhjen e Këshillit të Shkupit, nga 9 këshilltarët shqiptarë pati një propozim konkret që sheshit të qendrës së Shkupit "Makedonia" t`i vendosej emri i Nënë Terezës, por 35 votat kundër të partive maqedonase në këshill e hodhën poshtë me një herë këtë propozim madje me nervozizëm. Kryetarja e këshillit të Shkupit, Misheva, e pyetur nga gazeta "Shekulli" tha sepropozimi u hodh në votë dhe ajo është e detyruar të respektojë shumicën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›