E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Shtëpi-familje", projekti për shëndetin mendor

Largimi i të sëmurëve nga psikiatria, apo izolimi drejt shtëpive- familje, do të ishte një nga reformat më të rëndësishme të rekomanduara dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Dhënia e mundësisë për t‘u integruar në shoqëri për një pjesë të të sëmurëve të shëndetit mendor është kura dhe trajtimi më i mirë për t‘i përmirësuar ata. Realizimi i një projekti të tillë, veç mbështetjes modulistike, kërkon mbështetje financiare dhe bashkëpunim nga ata që kanë më shumë përvojë. Dje, ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, takoi Nuncin Apostolik, ambasadorin e Vatikanit. Në këtë takim u bisedua për zgjerimin e bashkëpunimit të ngushtë, siç është edhe projekti i "Shtëpia-familje", për të sëmurët e shëndetit mendor. Në këtë shtëpi, të sëmurët marrin asistencën e nevojshme, u sigurohet punë, me qëllim që ata të ndihen pjesë e komunitetit. Fryt ky i bashkëpunimit të organeve shëndetësore shqiptare me ato të Vatikanit.

Vatikani ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në dhënien e ndihmës për shëndetësinë shqiptare, në mënyrë të veçantë për fëmijët. Ministrja Godo, në fjalën e saj, theksoi ndihmën dhe prezencën e vazhdueshme të kishës katolike në vendin tonë. "Marrëveshjet me dy spitalet e Vatikanit, të firmosura 2 muaj më parë, janë një hap i rëndësishëm në bashkëpunimin e dy vendeve në fushën e shëndetësisë", tha ministrja Godo. Kisha katolike dhe përfaqësuesit e Vatikanit në vendin tonë kanë bërë të mundur ndryshimin e ndjeshëm në disa spitale, urgjenca dhe jetimore, me ndihmën e tyre.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›