E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtëpia botuese padit dy librashitës

Dy persona janë dërguar në
prokurori për ndjekje penale,
pasi dyshohen se me anë të mashtrimit
kanë vjedhur rreth 77 milionë
lekë të vjetra. Bëhet fjalë për
dy librashitës, që janë denoncuar
nga pronarja e shtëpisë botuese
"Erik", e cila pretendon se të dyshuarit
kanë shitur librat dhe nuk i
kanë dhënë paratë. Burimet zyrtare
nga Drejtoria e Policisë së Tiranës
bënë të ditur se çështja është
ndjekur nga seksioni kundër
krimit ekonomik dhe financiar. Sipas
tyre, materialet u dërguan në
prokurori dy ditë më parë dhe u
vendos që Ramiz Hamzollari, 54
vjeç dhe Adelina Toli, 40 vjeçe, të
ndiqen në gjendje të lirë për veprën
penale të vjedhjes me anë të
"mashtrimit" në bashkëpunim.
Policia konfirmoi se ndaj tyre ka
bërë kallëzim Dëshira Shehu, 59
vjeçe, lindur në Korçë dhe banuese
në Rrugën e Durrësit. Kjo e fundit
është pronarja e shtëpisë botuese
"Erik", të cilët nuk i kanë likuiduar
detyrimin prej 7 780 202 lekë të
reja, nga shitja e librave të kësaj shtëpie
botuese, ndodhur në muajin
nëntor 2008. Megjithatë, kjo çështje
pritet të sqarohet më tej në
prokurori dhe gjykatë, pasi të merren
në pyetje të gjithë palët dhe të
hetohet nëse dy të dyshuarit e kanë
kryer këtë akt apo jo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›