Athinë, vritet shqiptari gjatë grabitjes me armë
Tre persona të maskuar dhe armatosur kanë hyrë në një zyrë postare në Greqi, ku kanë vjedhur 20 mijë euro
Roja ka hapur zjarr ndaj grabitësve duke lënë të vdekur njërin. Policia nuk publikon emrin
GREQI- Një shtetas shqiptar ka gjetur vdekjen dje në përplasje me policinë greke gjatë një tentative të dështuar për të grabitur me armë një zyrë postare në Athinë. Viktima dhe dy persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë hyrë në zyrën postare dhe e gjithë shuma që do të merrnin ishte vetëm 20 mijë euro. Roja greke nuk ka pasur asnjë hezitim dhe ka hapur zjarr menjëherë në drejtim të grabitësve të maskuar, të cilët më pas u mësua se ishin shqiptarë. Ndërkohë dy grabitësit t jerë kanë qëlluar rreth 30 plumba mbi zyrën postare por për fat të mirë pa shkaktuar asnjë viktimë.
Të dhënat e para të bëra publike nga policia greke flasin për një përplasje të përgjakshme me armë rreth orës 10.10 të mëngjesit të djeshëm. Në këtë orë, zyra postare në rrugën "Sepolia 15" tek sheshi Atikës në kryeqytetin helen, ishte e mbushur me klientë të ndryshëm që dërgonin pako të ndryshme por edhe tërhiqnin para. Teksa askush nuk e kishte mendjen, në zyrë kanë hyrë dy persona me maska në kokë dhe armë në duar. Ata i kanë bërë thirrje të gjithë njerëzve që ndodheshin brenda që të mos lëviznin dhe janë afruar tek arka. Me kërcënimin e armëve i kanë marrë arkëtares një sasi eurosh (të cilat më pas rezultuan se ishin 20 mijë) dhe dolën nga zyra postare. Në këtë moment pas tyre është vënë një nga rojet e sigurimit të zyrës postare, i cili i ka bërë thirrje që të ndalonin. Sapo kanë dëgjuar thirrjen e rojës ata kanë kthyer armët drejt tij për të qëlluar. Por roja i sigurisë është treguar më i shkathët duke qëlluar pesë herë me pistoletën e shërbimit drejt grabitësve. Plumbat kanë prekur njërin prej personave të maskuar, i cili ka gjetur vdekjen në vend. Në ndihmë të grabitësve ishte edhe një person i tretë, i cili ka hapur zjarr me një automatik izraelit tip UZI ndaj zyrës postare. Burimet pohuan se ai ka qëlluar rreth 30 herë por pa shkaktuar viktima. Të dy këta persona më pas kanë arritur që të largohen përmes rrugicave të lagjes pa u kapur nga policia greke.
Informacionet e para pas kësaj ngjarjeje tregonin për vrasjen e një 30-vjeçari grek, i cili kishte marrë pjesë në grabitje. Por kur policia e Athinës kreu verifikimet më të hollësishme rezultoi se bëhej fjalë për një shtetas shqiptar. Emri i këtij personi nuk është bërë ende publik nga policia greke, e cila ka theksuar se viktima ishte një njeri me dosje penale dhe i njohur për policinë. Ai ka qenë i dënuar më parë nga drejtësia greke për veprën penale të grabitjes me armë por emri i tij nuk është bërë publik për arsye hetimi. Policia greke pohoi pas ngjarjes se ka arritur që të sekuestrojë armët e viktimës, një automatik izraelit UZI dhe një pistoletë tip TT si dhe rreth 40 gëzhoja armësh që u gjetën në vendngjarje. Në hetime është përfshirë edhe roja i sigurisë që vrau grabitësin e maskuar, i cili është mbajtur në polici deri në sqarimin e plotë të ngjarjes. Dyshimet e para të policisë janë se bëhet fjalë për një bandë grabitësish që ka realizuar edhe disa vjedhje të tjera në kryeqytetin grek.