E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtëpia e Scajolës dhe vilat e tanëve

Italia funksionon pavarësisht Berluskonit, ashtu siç ne do të donim që Shqipëria të funksiononte pavarësisht Berishës dhe Ramës. Këto ditë, në sy të njerëzve, falë shtypit, Guardia di Financa, Bankës së Italisë, prokurorëve, por dhe qytetarëve, po bëhet transparenca për një aferë korruptive të Minsitrit italian për Zhvillimin Ekonomik Claudio Scajola. Në shënjestër një shtëpi prej 180 metra katrorë me pamje nga Colosseum, të cilën Ministri e ka paguar me një çmim të kripur e me parà të dyshimta. çmimi është siç janë në të vërtetë apartamentetet me pamje fantastike në Qytetin e Përjetshëm:1.700.000 euro. Alarmi i parë u dha në Bankën e Italisë për një lëvizje nga agjencia nr.582 e Deutche Bank prej 80 çeqesh, 40 për një qytetare dhe 40 në emër të një motres së saj me vlerën 450 mijë euro seicili. çeqet ishin levizur nga arkitekti i një firme ndërtimi në hetim për skandale e afera korruptive në lidhje me ndërtimet në Aquilan e shkatërruar nga tërmeti, por hetuesit panë se mes arkitektit dhe motrave romane nuk ishte lidhur ndonje kontratë juridike shit-blerje që të justifikonte paratë. Ato parà ishin për shtëpinë e ministrit Scajola. Strukturat e shtetit Italian u vunë në alarm për riciklim parash dhe hetimet çuan në gjurmët e shtëpisë së ministrit të Zhvillimit Ekonomik. Siç ndodh në një vend demokratik “burimet” u japin lajmin gazetarëve. Që një ministër hetohet për korrupsion, duhet të merret vesh nga qytetarët dhe hetimi i tij duhet të ndiqet hap pas hapi në media, në publik, që të mos bjerë në ndonjë skutë të errët të shtetit dhe aty të harrohet. Pas përgënjështrimeve të para, që erdhën përditë e duke ulur tonin, ministri Scajola dha dorëheqjen për t’u hetuar plotësisht.
Në një vend me korrupsion të lartë si Shqipëria duket qartë që gjërat nuk funksionojnë kështu. A i kanë sinjalizuar bankat në Shqipëri ndonjëherë lëvizje të dyshimtë Bankës Shqiptare? A janë marrë strukturat e krimit ekonomik me blerje të dyshimta. Transferta parash të ministrave, adminstratës publike, politikanëve? A ndodhen në zyrën e kryeprokurores Ina Rama sinjalizime të tilla? Një gjë është e qartë, në Shqipëri “burimet” nuk u kanë dhënë asgjë gazetarëve. E pra shtëpi e vila luksi i kanë politikanët shqiptarë, pro me siguri, ndryshe nga ata italianë, apo dhe kryeministri izraelit Ehud Olmert që dha dorëheqjen pikërisht pas skandalit të blerjes së vilës së tij në Jeruzalem, këta tanët duhe t’i kenë vënë “me djersën e ballit”.
(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›