Greva e urisë, uri e Edi Ramës për pushtet
Edvini nuk jeton më në ankthin se zgjedhësit do ta përzënë nga bashkia e Tiranës e më pas edhe nga politika, prandaj po i shkel me të dyja këmbët të gjitha rregullat e politikës dhe përmes shantazhit po tenton të sigurojë mbijetesën. Uria e tij për pushtet po synon të plotësohet me karikaturën e një revolucioni, por kjo kauzë ka dekada që s’ka gjasa suksesi në Perëndim
Dora e zezë serbo-ruse, i çel dritën jeshile operacioneve antikombëtare të Ramës dhe Ruçit, për rokadën shtetërore dhe shlyerjen e urisë së Edvinit, për llokmën e pushtetit.
Në prag të mbajtjes së zgjedhjeve vendore, Edi Rama e di shumë mirë se bashkia e Tiranës nuk do të jetë më parcela e realizimit të interesave të tij financiare dhe në kushtet e një hiçi të ardhshëm, po tenton me çdo kusht, të bindë ndërkombëtarët se Shqipëria zhvilloi procesin më të parregullt elektoral, në mënyrë që rotacioni i pushtetit t’i kalojë vetë atij, pa garë të mirëfilltë. Gjithçka e sajuar deri më tani, ka vetëm një përgjigje: interesin personal si kryefjala e çdo lëvizjeje dhe zhvillimi...
është plotësisht e konfirmuar dhe e bindur se Edi Rama dhe aleanca e skarcuar e përbërë nga Gramoz Ruçi, Spartak Ngjela, Skënder Gjinushi, Paskal Milo dhe Erjon Veliaj, filosllavë të përjetshëm, po u kundërvihen strukturave shtetërore, për masivizimin e qëndresës antikombëtare, me qëllimin e zi, të marrjes së pushtetit me dhunë, duke ideuar kështu përdhosjen e të drejtës kushtetuese të sovranit, për të zgjedhur. Prej muajsh të tërë, opinioni publik në Shqipëri dhe më gjerë është dogmatizuar nga hymeret më të pazakonta të Edi Ramës, për zgjedhjet e kaluara, standardin ekonomik, punësimin, pagat dhe pensionet, por fatkeqësisht për asnjë moment nuk ka arritur në nivelet e kënaqura të besueshmërisë. Nisja e protestave, si shenjë pakënaqësie dhe dëshpërimi, se gjasme u manipuluan zgjedhjet e përgjithshme, nuk solli asnjë risi dhe për asnjë moment nuk shërbyen në linjën e kauzës socialiste. Edi Rama, i ndjekur nga disa të quajtur ‘aleatë’, por që kurdoherë kanë lakmuar llokmën e pushtetit dhe kurrsesi s’kanë pasur interesin e atyre pak socialistëve të thjeshtë që i kanë mbështetur kaherë, nuk ka mundur të dalë përtej spekulimeve dhe mashtrimeve nga më anormalet, për një përfaqësues politik, aq më tepër për kryetarin e opozitës shqiptare.
Klika ramiziste e ndjekur nga xhaketat e vjetra Ruçi, Gjinushi, Milo, Ndoka dhe Ngjela, po organizojnë ngërçet më të rrezikshme, për cenimin e institucionalizimit politik të Shqipërisë. Pavarësisht se mbështetja popullore, për asnjë moment nuk ka treguar epërsinë e socialistëve, të bën të mendosh se Edvini dhe vasalët e lakuriqësisë, janë gjunjëzuar në atë rrugicë automobilistike, për të kërkuar mëshirën e mazhorancës dhe koordinimin prej aty të planit ogurzi serbo-rus për shkeljen e kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, në mënyrë që shqiptarët të dënohen për një tjetër gjysmëshekull dhe të lihen pas ‘hekurave’ të politikës dashakeqe të pinjollëve të bllokut. Pas shuplakave dhe reagimeve të përditshme të kancelarive evropiane, Edi Rama pa të udhës si të vetmen mundësi shpëtimi dhe mbijetese në kaskierën politike, zbarkimin e disa dhjetëra protestuesve të paguar në kryeqytet, për të rifilluar valën e protestave duke tejkaluar edhe ekstremitetet me futjen në grevë urie të 22 deputetëve të zgjedhur nga populli, por që asnjë shërbim s’po kryejnë për të. Histeria politike e Edvinit, është e pashoqe, por që fatkeqësisht vazhdon të konsiderohet si një makth i rrezikshëm, për proceset shqiptare të integrimit në BE.
Mbledhja pas vetes e një grupi ish-përfaqësuesish politik, ish-deputetë, plotësisht të dështuar dhe të dalë jashtë tregut politik, pra, asnjë prej tyre nuk gëzon asnjë vlerë të gjallë demokracie, por të nënshtruar nga skarciteti intelektual, përbën alfën dhe omegën e rrezikut shoqëror dhe integrues për vendin. Fraksionalizimi i opozitës shqiptare dhe tendencat për rrënimin e vendit, sipas porosive të qarqeve staliniste serbo-ruse, janë tashmë një rrezik permanent për Shqipërinë dhe aspiratat e integrimit në Bashkimin Evropian, shto këtu, liberalizimin e vizave, realitet ky fort i afërt dhe i realizueshëm, nëse ndërpritet në kohë dora e zezë sllave, për të mos ushqyer urinë e Ramës për pushtet.