Antropologjia e turmës
Politika e jashtme e Barak Obamës karakterizohet nga përpjekjet e tij për të komunikuar me kundërshtarët apo rivalët e SHBA më e mirë për të shembur komunizmin dhe pothuaj për më shumë se një dekade u përdor edhe si një instrument i antikomunizmit. Protesta kemi pasur në momente delikate, si ngjarjet e vitit 1997, 14 shtatori i 1998. Por, veçoria e hidhur ka qenë se protestat janë drejtuar kundër institucioneve, pra është tentuar të rrezohet shteti. Fatmirësisht, me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve është rrezuar pushteti. U organizuan zgjedhjet e përgjithshme në vitin ‘97, ndodhi dorëheqja e kryeministrit Nano në 1998. Pyetja që qëndron pezull është: Pse kundër shtetit? Pse kundër institucioneve? Përse këto të fundit nuk konsiderohen si aleate, si mbështetës për protestën, në mënyrë që edhe kjo e fundit të institucionalizohet? Ja pra, vijmë në vitin 2010, dhe në Shqipëri protestohet, sepse nuk ka ende sistem demokratik. është vënë në pikëpyetje ecuria dhe zhvillimet 20- vjeçare, por se në fokus vihet vetëm një njeri, kryeministri aktual; dhe e kundërta, ndaj opozitës sulmohet vetëm një njeri, kreu i PS-së.
Kjo skemë tregon se ne nuk besojmë ende në demokraci, sepse ne kemi akoma një antropologjizëm feudal. Kjo, se për arsye historike ne na mungon një sistem, sistemi borgjez. Nuk kemi të ngritur në breza antropoborgjezinë, që përthyhet në shoqërinë e sotme të “demokracisë përmes ligjit” si antropocivilizimi ose “komuniteti civil i ligjit”. Antropologji feudale do të thotë “turma dhe prijësi”. Në mbretëri kishim popullin dhe mbretin, në komunizëm kishim ‘popullin heroik’ dhe sekretarin e parë të partisë – kush mungon tek antropoinstitucionalizmi ynë në një vijimësi historike? MUNGON INDIVIDI SI INSTITUCION. Në njëfarë kuptimi kjo do të thotë se kryeinstitucioni në shoqërinë shqiptare është ende fatkeqësisht udhëheqësi, sipas parimit autoritarist: “Shteti jam unë”.
* * *
Ja përse që në gjysmën e dytë të shek 19-të, filozofët që paraprinë ndërtimin e një kulture demokratike që vë në qendër marrëdhënien kruçiale “individ-shtet”, e vunë theksin te individi si kryeinstitucion dhe njëherësh, e kuptuan rolin e shtetit në shërbim të njeriut. Ne duhet të largohemi nga antropofeudalizmi, dhe filozofia e mendimit europianë duhet takuar jo tek e sotmja, por në një gjurmim historik. Nëse bëhen kapërcime dhe kërkohen modele të sotme të “perëndimit kulturor” për t’i sjellë përmes eksport-importit në realitetin ekzistues, së paku dy prurje janë të sigurta, aventurizmi dhe rinumërimi sipas aritmetikës “një hap përpara disa hapa pas”. Le të takohemi duke ju referuar, me disa nga filozofët që e ndihmuan antropoeuropianizmin të linte pas medivalitetin njerëzor dhe institucional, me qëllimin e mirë aspak denigrues, që të fillojmë të nyjëzohemi në histori pikërisht atje ku filli është këputur!
Njëri prej tyre është Herbert Spencer. Më 1842 ai boton veprën “Sfera e Njëmendët e Qeverisjes”. Në këtë vepër ai përcakton se, “detyra parësore e qeverisjes është e lidhur me mbrojtjen e të drejtave të individit, dhe jo me përpjekjen për tek e mira e përgjithshme”. Këtë ide, Spenceri e zgjeron në një vepër tjetër me karakter sociologjik, “Social Statics” – këtë term ai e kishte huazuar nga August Comte, por e artikulon në mënyrë shteruese ne parimin “individualizmi kundër etatizmit”. Spenceri mendonte se shteti nuk duhet të ndërhyjë në jetët e individëve, “ai mund ta bëjë këtë gjë vetëm në disa raste të veçanta, si për të ndëshkuar krimet ndaj personit, krimet ndaj pronës, por jo përtej këtij caku”. Në vitin 1844, Spenceri pat botuar 4 ese në një revistë, të cilat më vonë u përmblodhën në kryeveprën e tij, “Njeriu Kundër Shtetit”. Për problematikën që po hulumtojmë ka rëndësi eseja që titullohet “Besëtytnia e madhe politike”. është e qartë që pushtetet mbretërore ndërtoheshin mbi besëtytninë, sepse pushteti mbretëror konsiderohej si i deleguar nga Zoti dhe gjaku i mbretit si një gjak blu, madje ka edhe një ceremonial që fillon në vitin 800, kur papa Leon II, për herë të parë kurorëzoi Karlin e Madh si Perandor. Oliver Cromwell e shpuri Mbretin Stjuart në gijotinë dhe pasi e leu pëllëmbën me gjakun e tij, ju drejtua njerëzve me fjalët çmitizuese: “E shihni, është i kuq, nuk është blu”. Por, ai që dëmtoi këtë ceremonial ishte Napoleoni, i cili i tha Papës: “Kurorën do ta vë vetë”. Spenceri paralajmëroi se edhe pushtetet legjislative mund të shkojnë në besëtytni: “Besëtytnia e madhe politike e së kaluarës ishte e drejta hyjnore e mbretërve. Besëtytnia e madhe e tanishme është e drejta hyjnore e parlamenteve. Duket se ky vaj i shenjtë ka rrjedhur si pa u vënë re nga koka e njeriut (Njëshit), tek koka e një shumësie individësh, duke u dhënë shenjtërim edhe atyre, edhe dekreteve të tyre”.
Pra, nuk është çudi që jo vetëm në Lindjen Islame ku flitet hapur për të drejtën hyjnore, por edhe në Perëndimin sekular, në preambula kushtetutash, në betime presidenciale, në diskutime dhe debate parlamentare dhe në përbetime për kushtetutshmërinë, të thirret në ndihmë Zoti. çdo lloj fetishizimi është i dëmshëm, pra n.q.s gjen një alibi, gjoja për të mbrojtur kushtetutshmërinë dhe me këtë instrument të dëmtosh lirinë e individit (në rastin tonë votën e lirë, të drejtën e pronës apo të fjalës së lirë), kjo të shpie në një lloj besëtytnie kushtetuese. Besëtytninë parlamentare e takuam në fushatën zgjedhore të vitit të kaluar. Në të nuk munguan nga të dy palët kryesore, përdorimi i dekorit historik mbretëror, referencat dhe njësimet me heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. “Unë hyra në Krujë - ata u larguan”, ose: “Unë, ja ku u riktheva ata janë larguar”. Ai dhe ata ishin Skënderbeu dhe Turqit. Po në këtë linjë shkojnë gjestikulacioni, retorika apo deri akomodimi në sallën e parlamentit. “Nëse jetoj 100 vjet, këtu më keni në krye (reminishencë e pushtetit të trashëguar). Ose ulja e ndonjërit/ndonjërës në “Big Chair” nga ato që me dimensione të risjellin në mendje kohën e ruajalizmit.
Për ta darovitur këtë situatë, “autorët e besëtytnisë” marrin kompasin historik, e vendosin në pikën e sotme, por masin vetëm në të kaluarën, duke spekuluar me faktin se sot jemi më të lirë se ç’ishim dje, se ky është sistemi që kemi kërkuar, ai i djeshmi ishte anti -liri, dhe ndalen të stigmatizojnë ata që kërkojnë më shumë liri si njerëz të lajthitur, si “krizë personale”, si “bijë të etërve” etj.
Por pse liria nuk matet dot me një gjysmë rreth? Kjo sepse liria nuk është pragu i fundëm, ajo është pafundësi në mundësinë e ndryshimit. Liria nuk është një objekt tek i cili shkohet, sepse sa më shumë i afrohesh aq më shumë të largohet – kjo në aspektin virtual. Shkurt, po të këqyrim filozofikisht, çdo shkallë lirie të formon dhe edukon për më shumë liri. Ja si shprehej Spenceri, “zgjerimi i lirisë nuk e rrit kënaqësinë, por zgjeron pakënaqësinë”. Dhe një nga shfaqjet më të çuditshme kur kalohet nga tirania në liri, dhe nga një nivel më i ulët në një nivel më të lartë lirie, është se njerëzit sa më shumë liri që të kenë aq më të pakënaqur duken. Këtë deduksion thelbësor të Spencerit e gjejmë të formuluar: “kur gjërat përmirësohen ngaherë e më tepër, ngaherë e më të forta bëhen britmat se gjërat janë shumë keq”. Duke analizuar autokracinë dhe demokracinë në Angli, Spenceri paralajmëron se “zgjerimi i madh i së drejtës së votës shpejt u pasua nga ankesat se gjërat po shkojnë keq, për mungesë të një zgjerimi më të madh.”
Njeriu nuk mund të dali jashtë ekskursionit historik të tij duke qëndruar dorëlidhur, pra duke mos vepruar. Do që të jetë i lirë, vepron për të qenë i tillë, ndaj te njeriu i zakonshëm, njeriu mesatar, tipari i kudogjendur është të vepruarit, dhe mbledhja e fryteve të këtij veprimi. Edhe të protestuarit është një lloj të vepruari kolektiv, por veprimi në filozofi ka një term identifikues: pragmatizëm.
Siç thotë William James, “Pragmatizëm – emër i ri për mënyra të vjetra të të menduari”. James ia dedikon veprën e tij filozofit të lirisë, John Stuart Mill. Nga ky, thotë James, unë dëgjova për herë të parë “për pakufishmërinë pragmatike të mendjes”. Aq veneracion derdh Jamesi për Millin sa thotë, “po të ishte gjallë duhet të ishte udhëheqësi ynë”. Antropoindividi e ka ushqyer pragmatizmin e mendjes duke ndihmuar kështu veten që si njeri i zakonshëm të kapërcente edhe gardhin e empirizmit, edhe murin e racionalizmit. I ka takuar të dyja, i ka vlerësuar, por ua ka njohur edhe pamjaftueshmërinë: “Empirizmi jep fakte për besimin”. Por, jo gjithnjë përmes tij njeriu takon ndryshimin, ndaj shpesh ai ndjehet i zhgënjyer. “Racionalizmi jep besimin për faktet”, por jo gjithnjë ky besim dhe këto fakte janë në interesin utilitar të njeriut. Pandryshueshmëria e tyre bën që racionalizmi të ngurtësohet dhe besimi që ai sjell të na vijë si një dogmatizëm autoritar. Ja pse njeriut i duhet ndryshimi, të vepruarit për të ndryshuar, sepse besimi mbi fakte që nuk ndryshojnë e lë atë në qerthullin e të paditurit (unë e di një gjë por ajo s’më ndihmon për të ndryshuar realitetin). Kësaj i thonë, sipas Jamesit, jorealja në sistemet racionaliste. Mbi faktologjinë sociale të realitetit ku jetojmë, asnjëra palë politike e djathë apo e majtë nuk tenton të kryejë anatominë reale. Ose entuziazëm ose pesimizëm, ose çdo gjë shkon për mrekulli ose çdo gjë po shkon zi e më zi. Kemi mbetur nën darën e “mohimit të mohimit” dhe nuk janë shtruar shinat e “opozitës binare”. Njëra palë thotë “krizë nuk ka”, kur ajo erdhi thuhej se ajo nuk kishte punë me ne. Tani që shifrat flasin për efekte të saj,pranohet që kriza kaloi lehtë si një “bronshit stinor”. Po me që termi krizë nuk vjen si adekuatë, atëherë le të përdorim terminologjinë e duhur në raport me një realitet faktik të përditshëm.
Po shtrenjtim jetese a ka?! Po sigurisht që ka, vetëm faturat e energjisë elektrike dhe të ujit të pijshëm po të shohim, nuk gjen vend për refuzim. Madje edhe TVSH-20% që nuk e merr OSSH-ja, por shteti ynë, në vend që ta mbanim të llogaritur mbi tarifën bazë, e paguajmë të gjithë si një përllogaritje mbi një shifër vërtetë fikse por mbi një çmim që nuk po ndalet duke u rritur!
Po borxhi publik apo ritet, po deficiti tregtar a është ende me salto negative, po mungesë likuiditetesh a ka që quhet gjendje deflacioniste dhe që për të askush nuk flet për të treguar sa është % e deflacionit??!!! Të gjitha janë prezente. Veçse askush nuk duhet të thotë kjo është përgjegjësia e atij tjetrit jo e imja. Hiqeni atë të vijë unë dhe do të shihni mrekullinë. Mbi faktet reale nuk ka dorëjashtësi në një shoqëri të demokracisë institucionale. Në këtë sistem dallohesh për rrugën që ndjek në sjellje me realitetin dhe kurrsesi në aspektin që njëri është fajtori dhe tjetri “sauver”(shpëtimtari).
Diversiteti në arsyetim e shmang imponimin, mban larg konfliktin, dhe jep hapësirë lirie, ndërsa qëndrimet e pandryshuara nuk ofrojnë zgjidhje, nuk të nxisin që të veprosh. Dilema është, nëse problemi që kam përpara nuk zgjidhet në këtë mënyrë, është e drejtë të thuash që nuk ka kurrëfarë zgjidhjeje? Mendja pragmatike thotë se ka, zgjidhe ndryshe, vepro për të takuar një zgjidhje tjetër. Ky arsyetim ka rëndësi për të sqaruar se pragmatizmi ka metodë. “Metoda pragmatike është pikësëpari një mënyrë për të zgjidhur mosmarrëveshjet që s’mund të zgjidhen ndryshe”.
Le ta zhvendosim fokusin tek realiteti ynë. Njëra palë-opozita, empirikja, do fakte që të krijojë besimin. Pozita, racionalizmi, e jep besimin te kushtetuta, te certifikimi i zgjedhjeve, për faktet-e mbyllura. Të dyja palët nuk ofrojnë zgjidhje, asnjëra prej tyre nuk ka mendje pragmatike. Ja përse ditët e fundit, të gjithë emisarët e lartë të shtetit që kanë vizituar institucionet e BE, kanë marrë të njëjtën përgjigje, që shkurt mund të formulohet, “nuk na duhet se kush e ka përgjegjësinë, ne na duhet zgjidhja”. Ndryshe kjo situatë tek ne mund të quhet me plot gojën një “teatër absurd”! Pikëvështrimet plurale, qëndrimet individuale, sado kundërthënëse që të jenë mund të akomodohen lehtë dhe butë tek pragmatizmi. Kjo edhe për konfliktet politike. Ja se çfarë thotë Jamesi: “Metoda pragmatike përpiqet të interpretojë secilën ndër to duke studiuar pasojat praktike”. Pra, nëse njëra palë apo tjetra ka të drejtë, këtë pragmatizmi e zgjidh duke treguar ndryshimet praktike. Pragmatizmi është i thjeshtë në veprim. Fillimisht fikson objektin dhe ndërton mendimin mbi këtë objekt. Por kur ky mendim është pragmatik? Kur ai llogarit efektet e dukshme të llojit praktik, që përmbledh tërësinë e ndjesive që mund të na shkaktojë ky veprim, dhe reagimet për të cilat duhet të përgatitemi. Konceptimi i këtyre efekteve, qofshin të menjëhershme apo të vonuara, përbën, thotë James, “gjithë konceptimin e objektit në rast se ai ka një kuptim”. Shembulli në realitetin tonë do të vinte pak a shumë i tillë: Objekti është “demokracia funksionale”. Zgjidhjet praktike që ofrojnë të dyja palët mungojnë, sepse të dyja alternativat e propozuara nuk ofrojnë nuk cedojnë në zgjidhje praktike. Janë shprehje e një “revolucionarizmi reformist”, ku njëra palë kërkon të mundë tjetrën, kur njëri krah politik don të përmbysë krahun tjetër. Njëra palë thotë “demokracia fillon tek Kushtetuta”, tjetra se “demokracia zë fill tek vota e lirë”!
Për më shumë se një dekadë, dialogun pozitë-opozitë, bashkëjetesën dhe bashkëveprimin ndërkombëtarët e nxitën dhe e mbajtën në Shqipëri përmes qeverisjeve të gjëra, ndarjes së pushtetit, dhe bipartizanizmit, aq sa edhe KQZ, KKRT, ndërtoheshin me një strukturë të llogaritjeve aritmetike. U mendua se gradualisht do të lindte kultura demokratike e bashkëjetesës, e mospërjashtimit, e komunikimit dhe bashkëveprimit. Mirëpo sapo u hoq dorë nga këto skema ra edhe godina, aq sa edhe një deputetet 30vjeçare deklaron në TV “se kundërshtari im politik është armiku im”. Kjo nuk është një çështje personale por një çështje filozofike, ne nuk kemi një filozofi bashkëjetese, na mungon dialogu dhe nuk pranojmë të na drejtojë pragmatizmi. Ende nuk ka edukatë sipas sloganit,” jo të kundërt por të ndryshëm”. Fatkeqësisht mentaliteti jonë është ende feudalë nga koha, komunistë nga propaganda, vulgarë dhe vandalë nga mjetet. S’ka rëndësi se në ç’strehë institucionale spërkatet dhe në cilën garderobë dokumentesh gjen veshjen e radhës për tu paraqitur bashkëkohore. Zgjidhjet praktike mungojë ndaj politika nuk drejton në shërbim të njeriut. Njëri krah prodhon entuziazëm edhe kur nuk ka të tillë, krahu tjetër nxiton të sjellë si kundërpeshë mbidoza pesimizmi dhe pakënaqësie duke moduluar me mospengim objektiviteti tërë strukturën e fakteve sociale. Krijohen virtualisht dy realitete për të njëjtën antropologji dhe harmonia sociale duket si një pamundësi në realitetin tonë njerëzor dhe institucional. Përjashtimi partiak krijoi përjashtimin antropologjik, urrejtja dhe denigrimi partitist asfikson institucionet sepse antropoinstitucionalizmi është sëmurur me politizim, klientelizëm dhe shtabe partiake si stafe shtetërore.
Të mos e bëjmë më gri duke shtuar edhe klimën rajonale apo mikroklimën krahinore. Përpara godinës së MPJ-së, mbështetësit e partisë së ministrit kërkojnë shpërblim punësimi dhe postesh sepse e kanë mbështetur në fushatën e fundit elektorale.
Por ta trajtosh njeriun në planin sociologjik, duhet ta mbash atë në binomin moral-fakte sociale. Morali është një rregull brenda njeriut, por edhe një rregull e marrëdhënie brenda apo ndërmjet njerëzve. Ndërsa faktet sociale që janë jashtë njeriut, janë të njerëzve dhe për njeriun. Parulla e sotme e opozitës “me njerëzit – për njerëzit” është vërtet e gjetur. Kërkohet të vihen përballë faktet sociale dhe njeriu, dhe njëkohësisht “të grushtohet në qoshe fajtori”. Kjo parullë i ka rrënjët në ngjarjet e 1848-ës. I pari që e formuloi ishte Lajosh Kosshuth. Ai formuloi tezën “gjithçka me popullin, për popullin – asgjë kundër popullit”. Prej tij e mori presidenti amerikan, Abraham Lincoln.
Njeriu përpiqet ta ndryshojë shoqërinë, pra të krijojë një mozaik të fakteve sociale ndryshe. Për këtë aksion sociologjik, Emile Durkheim theksonte se “faktet sociale dhe, më në veçanti, rregullat morale, bëhen udhërrëfyes të efektshëm dhe kontrollues të sjelljes vetëm në shtrirjen ku ato bëhen pjesë e brendshme e ndërgjegjes së individëve, ndërkohë që vazhdojnë të ekzistojnë në mënyrë të pavarur nga individët”. Sipas këtij formulimi, detyrimi nuk është thjesht një imponim i kontrolleve të jashtme mbi vullnetin e individit, por një formë detyrimi moral për t’iu bindur një rregulli.
Le ta transkriptojmë këtë thënie në realitetin tonë: Faktet janë ekonomike, sociale, politike, madje edhe për funksionimin e demokracisë, por çështja është se, a vijnë këto si një detyrim i jashtëm mbi vullnetin e njeriut? Sigurisht që po, sepse njeriu kërkon të ndryshojë gjendjen! Po, a funksionon ky dialog si një marrëdhënie morale në mënyrë që masa antropologjike t’i bindet rregullit? Kjo nuk ndodh, sepse energjia antropologjike e ndryshimit kontaminohet nga politika. Forcat partiake janë në llogore, njëra me parullën “këtu ndodhet morali i heroit”, tjetra me parullën “këtu ndodhet morali i viktimës”. Llogorja e heroit ngre lart flamujt e fitores, llogorja e viktimave mban dy flamuj, një flamur të bardhë kur dorëzohet dhe një flamur të kuq kur ngrihet për shpagim.
Për dreq kanë kaluar 20 vjet demokraci, por nuk është krijuar ende morali i bashkëqeverisjes, nuk ka një kod moral që do t’i detyronte të gjitha palët që imponimin ta shikonin në emër të rregullit dhe si autoritet të ligjit. Si nënvizon shkolla anglosaksone, në fillim rregulli dhe pastaj liria; një shoqëri jashtë rregullave nuk prodhon lirinë, as për (pseudo)heronj e as për (pseudo)viktima. Të dyja palët duhet të kuptojnë atë që nënvizonte Dyrkheimi se “shoqëria është njëherësh diçka jashtë nesh, por edhe brenda nesh”. Të kërkosh të ndryshosh jashtë pa ndryshuar brenda, do të thotë të komandosh realitetin dhe të mos mbash përgjegjësi si subjekt që ke detyrime.
Politikanët në Shqipëri nuk e kanë kuptuar dhe nuk e trajtojnë faktologjinë sociale si pjesë e njerëzve dhe si një realitet jashtë tyre. Ata e trajtojnë veten si Babagjyshi i Vitit të Ri që mund të dhurojnë fate njerëzore. Në aspektin teorik, kjo do të thotë se ata nuk vlerësojnë individin, institucionalizmin, dhe antropoinstitucionalizmin. Pra i shohin njerëzit si turma që presin fatin e dhuruar. Kur prijësi i premton turmës mrekullira, ndryshime, as më shumë e as më pak, ai vetë-trajtohet si një “alkimist politik”. Por njeriu në çfarëdo niveli që të jetë nuk ç’fokusohet nga objektivi themelor, jeta. Ai e do jetën dhe dëshiron që ta përmirësojë atë. Analizën e turmave dhe revoltës së tyre të lidhur me jetën e ka bërë Jose Ortega Y Gasset. Formulimet e Ortegës ndonjëherë të duken si lodra fjalësh, sikur përdor një ironi të hollë, por njëherësh ai shpotit me përfundime të thekura. Ja çfarë thotë ai për raportin e njeriut për jetën: “Jeta në vetvete nuk mjafton, ndaj qenia njerëzore vuan për një gjë të tillë; pra, si të thuash, ka një lloj vështirësie të caktuar të të jetuarit të jetës”. Të jetosh jetën, kjo i bën njerëzit të ngjashëm, i bën të barabartë. Ata dallojnë nga mënyra se si e jetojnë jetën, nga investimi që bëjnë për jetën, nga marrëdhëniet që krijojnë me rrethanat, nga frytet që i marrin jetës, nga kuptimi që i japin asaj.
Ka të jetuar instiktiv, thjesht lënia e pasardhësve; ka të jetuar pa motive; ka njerëz që jetojnë gjatë në një jetë të shkurtët (Moxarti); ka njerëz që përtojnë të jetojnë; ka njerëz që në mënyrë jo cinike, por shumë kuptimplotë, mund të thonë “që unë kam vdekur por si kam tregurar kërkujt”.
Jeta është Kronos, ndaj një shkrimtar thotë “mos i mbaj mbyllur sytë 60 sekonda sepse ke humbur një minutë jetë”. Ka nga ata që të joshur nga “idol-adhurimi për të zotëruar sa më shumë”, janë zhytur në pellgun e makutërisë, hedonizmit, dhe drejtohen nga filozofia “unë jam çfarë unë kam”, që derivon “që të jem sa më shumë duhet të kem sa më shumë”.
Kjo është një patologji e kohëve tona. Ja si shprehet George Soros për Bill Gate: “Ai ka aq shumë para, saqë nuk ka kohë që ta jetojë jetën”. Në të gjitha rastet, një gjë është konstante. Njeriu përpiqet të ndryshojë, përpiqet të ikë nga vetvetja, të emigrojë nga e sotmja. “Në esencë të vetë, - thotë Ortega, - njeriu është emigrant përderisa konsiston në mosqenien akoma të atij që duhet të jetë. Ashtu siç është dashuria vazhdimisht e tërhequr nga gravitacioni pas personit të dashuruar, ashtu si Erosi ushqehej pareshtur nga iluzionet dhe imagjinata, po ashtu edhe njeriu gjendet në një migrim të përhershëm për të kaluar përtej vetes”.
Pra, “njeri ik nga vetja për t’u bërë ndryshe, për t’u bërë më mirë – mos u kënaq asnjëherë me këtë që ke”. Por, kur kjo ikje bën kalërim mbi kalin e revoltës, të kundërshtimit, në këto rrethana iluzionet dhe dëshirat për ndryshim e bëjnë që ai të shfaqet ndryshe. Emigron nga vetja për t’u strehuar te turma. Turmëzimi në protestë e karikon njeriun, i jep mundësinë të provojë fuqinë përballë botës jashtë tij, madje e shtyn atë që të krijojë një inekuacion. Me që unë e ndryshoj atë, unë jam më i fuqishëm se bota. “Në fakt, - thotë Ortega, - vetëm kur dimë të lëshohemi e të thëthitemi nga ndonjë shqetësim apo interes, të përqendrohemi mbi diçka apo mbi dikë, ne mund të arrijmë të mos e ndiejmë atë gjë që në mënyrë origjinale është baza e çdo moslumturie, ose e thënë ndryshe, e mosekuilibrit midis qenies sonë në fuqi dhe qenies sonë në akt”.
Revolta ose protesta, pikërisht këtë gjë shpreh, kalimin nga antropofuqia e paprovuar tek antropofuqia që provohet, pra që shndërrohet në një akt veprues. “Madje, thotë Ortega, sa më e vogël të jetë shtrirja e aktiviteteve tona, në një masë po kaq të madhe ne do të mbetemi spektatorë të vetvetes”. Ka një trinom, ndrysho, ik nga vetja - por mbaj parasysh që akti i ndryshimit të jetë produkt që energjia e ndryshimit të kthehet në një akt ndryshimi – nëse dëshirat i ke por akti është i vogël, atëherë njeriu rezulton një spektator i vetvetes = unë nuk kam emigruar nga vetja për të bërë ndryshimin. Ky është zhgënjimi i gjatë i njerëzve në këto dy dekadat e fundit. është fjala për njeriun mesatar që është nën peshën e pasigurisë dhe mban pasojat e diferencimit të thellë ekonomik. Protesta e afron këtë mundësi të të qenit edhe në aktin e ndryshimit, por po dështove, edhe në pozitën e spektatorit të vetes kë humbur. Kjo lloj “energjie e protestë-ndryshimit” kur materializohet krijon karizëm, e bën individin antropologjik që të faktorizohet, por kur shkrihet në turmë ai nuk ka më individualitet. është momenti që të vigjilojmë mbi pyetjen, ç’është turma?
Le t’i kthehemi sërish Ortegës: “Turma është njeriu mesatar, në këtë kuptim ajo çka ishte thjesht sasia si shumësia e tyre, sot është shndërruar në një përcaktueshmëri cilësore, është shndërruar në një cilësi të zakonshme shoqërore, çka do të thotë, njeri i padiferencuar nga tjetri dhe, përsëritës në vetvete i të njëjtit tip.”
I pari që e paralajmëroi shoqërinë për rrezikun e turmave ishte Hegeli. Ai tha: “Kujdes po vijnë turmat”! Sasi uniforme, cilësi uniforme, mungesa e individualitetit. Cilësia e zakonshme shoqërore (njerëzit mesatarë të grumbulluar) prodhon protestën, por nuk prodhon patjetër ndryshime.
Ajo mund të krijojë revoltë, por jo oponencë civile. Ishte po Hegeli ai që përballë turmave vuri shoqërinë civile. Një nga kushtet e demokracisë funksionale është roli i shoqërisë civile në vendimmarrje, ndaj le të lëvizim në fokusin tonë. Njerëzit sot janë në rrugë, protestojnë për fakte reale, por sa oponencë civile prodhojnë? Zero, një ...tre??!! Atëherë ka dy alternativa.
Ose dëshpërim, ose revolta të pakontrolluara – që të dyja janë të gabuara.
“Njeriu i padiferencuar nga tjetri e bën njeriun mesatar turmë”. Ata as kanë identitet e as mund ta kuptojnë se ç’është identiteti. Kur turmat hyjnë në aksion, në panelin e tyre të komandimit vepron vetëm një timon, vetëm psikologjia. Por ç’është dhe ç’farë ofron psikologjia e turmave?
Kur antropoindividi futet në turmë ai i nënshtrohet një metamorfoze. Njerëzit e turmës, thotë Freud-i, i lënë pas dallimet, veçoritë dhe inteligjencën, ata pajisen me një shpirt kolektiv. Kështu, ky grumbullim njerëzish mesatarë krijon turmën psikologjike që është një qenie e përkohshme, e përbërë nga elementë heterogjenë, vetëm për një moment të caktuar. Kësaj lloji turme i vjen në ndihmë jo thjesht propaganda e ditës dhe utilitariteti faktik, por diçka më e thellë: “mbetjet e lashta e të panumërta stërgjyshore që përbëjnë shpirtin e racës”. është për këtë shkak, siç thotë Freud-i, “shumica e veprimeve tona të përditshme janë pasojë e motiveve të fshehta që nuk arrijmë t’i konstatojmë”.
Si antropologji historikisht e izoluar, e ngarkuar me energji luftarake, e mbetur në periudhën Mesjetare, si antropologji feudale, ne na pëlqen të adhurojmë prijësit, t’i miklojmë ata, deri në hyjnizim, dhe të mos ndalemi në këtë narcizëm-mesjetar për të zëvendësuar prijësin e vjetër me një prijës të ri. Të vjetrin e shajmë dhe e baltosim, ndërsa me të riun fillojmë ta mbështjellim me të njëjtin ritual. Lavdërim, miklim, ngritjen e kultit. Individi në turmë takon lirinë, por lirinë e anarkisë, fiton ndjenjën e një fuqie të pamposhtur, energji e cila e lejon që ai t’u hapë rrugë disa instinkteve, të cilat nuk i kishte kur ishte i vetëm, dhe ai tregohej i frenuar.
Në turmë instinktet marrin pushtet sepse si grumbullim antropologjik, ajo përbëhet nga njerëz anonimë, e për pasojë turma është e papërgjegjshme. Ndjenja e përgjegjësisë që e ndihmon individin të vetëkontrollohet zhduket kur ai kthehet në nulitet të anonimitetit. Në këto rrethana, ndërgjegjja morale fashitet, humbet përgjegjësia qytetare që do duhej të merrte trajtën e “frikës sociale”.
Kur futemi në turmë kjo bashkësi instiktive e ngarkuar me mbifuqi, e zbrazur nga vetëpërgjegjësia i nënshtrohet një patologjie që Freudi e quan “ngjitja mendore”, çka do të thotë, që çdo ndjenjë, çdo veprim, çdo akt në turmë është ngjitës. Kjo do të thotë se çdo individ, sa hap e mbyll sytë, e flijon si pa të keq çdo lloj interesimi vetjak për atë kolektiv, sepse ai është ushtari i bindur i pushtetit shpirtëror të turmës. Kjo gjendje komplekse shpirtërore bën që në turmë, më shumë se kudo, të zërë vend sugjestionimi. Madje ka sisteme politike që mbështeten te turma. Në shekullin 20-të janë fashizmi dhe komunizmi. Ndërsa jashtë sistemeve politiko-shoqërore i tillë është anarkizmi që bashkëshoqëron ambientet antropologjike në postinerci.
Në veprën e tij “Lufta Ime”, Hitleri shkruan, “puna me masat është art, dhe si çdo art ka nevojë për virtualitetin. Unë në fillim e përziej masën, pastaj, ashtu si te kafsha, i drejtohem instinkteve të saj, dhe e bëj atë një vegël të politikës sime”. Freudi thotë: “Shpërbërja e personalitetit të vetëdijshëm dhe mbizotërimi i personalitetit të pavetëdijshëm, orientimi në udhën e sugjestionit e të ngjitjes së ndjenjave dhe ideve në të njëjtin drejtim, prirja për të shndërruar menjëherë në veprime idetë e sugjeruara janë cilësitë kryesore të individit në turmë. Ai nuk përfaqëson më vetveten por një automat që nuk është në gjendje të komandojë me vullnetin e vet.”
Si individ në turmë ai-antropoindividi zbret disa shkallë më poshtë sesa kultura apo qytetërimi që ka pasur para se të futej në turmë. Nëse ka qenë i kulturuar, në turmë ai bëhet qenie instiktive. Turma kërkon të protestojë, pra është impulsive, e lëvizshme, por edhe e irrituar. Të gjitha këto varen nga rrethanat. Impulsivitetet e saj, përcaktuar prej rrethanave, mund të jenë fisnike ose të egra, heroike ose frikacake, thotë Freud-i, por në çdo rast, janë të komanduara për të mos lejuar individualitetin që sjell vetëkontrollin.
Në aspektin e ndjenjave, duhet të themi se turma i ka ndjenjat të thjeshta dhe të lëvizshme, sepse ka labilitet psikik, ndaj turma mund të shkojë menjëherë në ekstreme. Kështu, dyshimi mund të shndërrohet menjëherë në një siguri të patundur. Antipatia mund të kthehet menjëherë në urrejtje. Për turmën nuk ka kuptim të flitet për moralin e saj, sepse turma nuk ka moral, ajo është e uniformizar përmes instinkteve. Jo më kot Freud-i për këtë tipar theksonte: “Instinktet e egra brutale, shkatërruese, mbeturinat e viteve të barbarisë që flenë te gjithsecili prej tyre rizgjohen duke iu dhënë liri kënaqësie instinkteve”.
Nëse turma nuk kontrollohet në instinktet e saj përbën një rrezik të madh për shoqërinë. Në turmë, idetë e kundërta çuditërisht bashkëjetojnë pa krijuar konflikte, sepse masa turmore është antropologji e komanduar dhe nën peshën e pushtetit instiktiv. Turma ka edhe një defekt tjetër. Ajo manipulohet nga oraliteti spontan, ose dhe i përgatitur, por në të dyja mënyrat, ky instrument komunikimi bën që sa hap e mbyll sytë, turma të karikohet instiktivisht.
“Turma i nënshtrohet forcës magjike të fjalës që mund t’i nxisin në shpirtin e turmës stuhitë më të tmerrëshme, si edhe mund t’i qetësojnë ato”. Turmat nuk kanë etje për të vërtetën, nuk e shtrojnë dhe nuk e mbajnë këtë marrëdhënie. Turmës i pëlqejnë iluzionet, irrealja merr përparësi ndaj reales aq sa turma dhe njeriu i turmës nuk bën dot dallimin midis fakteve reale dhe irrealitetit të fakteve. Kështu, turma vjen si kope që e do një çoban, ndaj i nënshtrohet kujtdo që sillet si i tillë. Ky tip që merr pozicionin e drejtuesit të turmës duhet të ketë një besim të thellë në vetvete, që të zgjojë besim te turma. Ai duhet të ketë një vullnet të fortë që ta bindi turmën e pavullnetshme. Pra, prijësit të turmës i lypset një fuqi gati misterioze, dhe mbi këtë lloj energjie, ky prijës krijon atë që quhet “prestigj i prijësit”.
“Ky sundim brenda turmës i paralizon të gjitha aftësitë tona kritike, dhe e mbush shpirtin tonë me habi dhe respekt ndaj këtij prijësi. Duket sikur prestigji i prijësit të turmës i nënshtron të gjithë dhe gjithçka si me magji. Por çdo prestigj e ka edhe një pikë të dobët: varet nga suksesi, sa më i gjatë ai, aq më i gjatë prestigji, dhe zhduket kur nuk ka sukses, duke ia lënë vendin zhgënjimit”.
Zhgënjimi i turmës është i tmerrshëm. Në këtë klimë i humbur është njeriu dhe idealizmi i tij. Tek turmëzimi kanë humbur njerëzit energjinë dhe ndryshimi nuk vjen.
Humbitet kështu në kohë dhe objektivat të largohen. Humbet tek e fundit institucionalizmi dhe treni i zhvillimit tragjikisht ecën jashtë shinave, ndaj të humbur jemi të gjithë! Duket sikur jemi në një karusel ku ecet me shpejtësi, por vetëm brenda një rrethi të mbyllur! E gjithë kjo sepse në “bulevardin e fatit marshojnë e krekosen trimosha të së djeshmes për kohën e së nesërmes”. Kemi ende turma ndaj dhe na mbajnë peng heronjtë. Na komandon heroizmi nostalgjik dhe për rrjedhojë grupohen njerëzit në antropoturma! Topat e komandantëve të tyre gjëmojnë vetëm brenda qenies dhe interesave të prijësve. Demokracia institucionale nuk ka lidhje me depot e barutit konfliktual! Të ikim nga antropologjia feudale ky do të ishte migrimi më i nevojshëm!Shtegu është institucionalizmi. Autoritet është ligji. Klimë është liria e jetës,e pronës e shprehej. Institucioni bazë antropologjik është individi me të drejtat e tij të patjetërsueshme.
I gjithë investimi është për një jetë më të mirë, ndaj greva e urisë për ti dhënë fund jetës do të ishte e mjaftueshme edhe me vetëm një person. Askush këtu tek ne interpretues të vetëflijimit të saj në 1991-in dhe aktorë të radhës në 2010-ën, nuk janë gati të kryejnë atë që bëri Bobi Sensi në Irlandë, Raimond de Dië në Francë apo Julius Fuçik në Pragë. Madje as edhe atë që bën çdo ditë ai minatori anonim në Bulqizë, që për të ushqyer vocërrakët hyn në zgafellë duke e ditur se edhe mund të mos dalë më që andej! Nëse një ditë në Shqipëri është gati qoftë edhe një person të flijojë jetën për votën dhe për demokracinë që rrjedh prej saj, atë ditë në “ajrin e kohës” do të shkruhej:
Ky ambient antropologjik prodhon heronjtë modernë për mileniumin e ri!