E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtepia e alfabetit e pret 100-vjetorin si gërmadhë

Nga Evis Halili
Restaurimi është ndërprerë, edhe pse ishte parashikuar të përfundonte me 20 nëntor. Aktivitetet për jubileun do të anashkalojnë shtëpinë e famshme. 

SHKUP- Edhe këtë vit kremtimi kryesor me dimensione mbarëshqiptare i 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit nuk do të zhvendoset më larg se Shkupi. Shkak është bërë ndërrprerja e procesit të restaurimit të shtëpisë simbol, që vazhdon të jetë një gërmadhë me shumë pronarë. Punimet restauruese të Shtëpisë së Alfabetit janë shumë larg finishit, por edhe angazhimit serioz për t'i përshpejtuar. Objekti ka gjasa të dorëzohet nga mesi i vitit të ardhshëm, thonë realizuesit e projektit. Ndërsa Këshilli Organizativ i kryesuar nga zëvendëskryeministri, Abdylaqim Ademi, kanë përgatitur programin i cili ndër të tjera, parashikon që më datë 20 nëntor të organizojë ceremoninë e inaugurimit të Shtëpisë. Por është absurde për të folur për ceremoni të këtij lloji. Madje edhe kërkesa drejtuar Ministrisë së Kulturës nga ana e drejtuesit të Këshillit organizativ për mbarëvajtjen e kësaj date, për të restauruar të paktën një prej hapësirave, ka gjasa të mos realizohet. Kështu pohojnë në Drejtorinë e Trashëgimisë Kulturore. "Po punohet sipas procedurave, duhet të tejkalojmë ndonjë të tillë për të arritur deri te restaurimi i ndonjë prej hapësirave, por është vështirë të thuhet. Nga Ademi kemi vetëm kërkesa, na duhet ndihmë reale, vetë nuk mundemi", thotë kreu i Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore, Pasko Kuzman. Sipas tij, inaugurimi do të shtyhet vitin e ardhshëm, por edhe mund të zgjatet nëse kontesti pronësor nuk do të arrijë të zgjidhet. Nga ana tjetër, në Këshillin Organizativ të krijuar enkas për të realizuar këtë datë, kanë miratuar programin e ditëve të Kongresit. Kremtimi fillon që prej datës 18 nëntor. Manastiri dhe Shkupi janë qytetet ku do të mbahen aktivitetet e ndryshme, si promovime librash, koleksione me pulla postale të Shtëpisë së Alfabetit, ekspozita me momente të fiksuara në celuloid nga ngjarja historike, inaugurimi i Shtëpisë, konkurs për shpalljen e esesë më të mirë, si edhe Akademia solemne që mbahet më 22 nëntor në Shkup, në Teatrin e Operës dhe Baletit. Në Këshillin Organizativ që ka në përbërje krerë të disa ministrive, Elizabeta Kamçevska-Milevska, kulturë, Pero Stojanovski i Arsimit, Musa Xhaferi i Pushtetit Lokal, si edhe akademikët Luan Starova, Ali Aliu, Alajdin Abazi, Mateja Matevski, e Gane Todorovski, nuk japin hollësira, se cilët do të jenë emrat e personaliteteve nga Shqipëria dhe Kosova që priten të jenë prezentë gjatë këtyre ditëve. Kremtimi i kësaj date i lakuar prej kohësh në media, u trumbetua si një manifestim i madh që vazhdonte në aksin Tiranë-Prishtinë. Meqenëse bëhej fjalë për një kremtim jubile, pritej që të paktën manifestimi të kishte epiqendrën në qytetit e origjinës - në Manastir. Por edhe pse vitin e kaluar kremtimi u organizua në Shkup, në pamundësi për ta zhvendosur në Manastir për shkak të pamjes së mjerueshme të Shtëpisë së Alfabetit. Projekti për restaurimin e objektit dhe kthimin e tij në një shtëpi muze nisi vitin e kaluar dhe parashikohej të përfundonte këtë kohë. Por edhe pse ndajnë vetëm gjashtë javë nga dita kur planifikohet inaugurimi dhe zhvillimi i manifestimit, objekti është restauruar pjesërisht - vetëm fasada. Ndërsa po punohet me riparimi e çatisë dhe ende nuk është vënë dorë në hapësirat e brendshme të saj. Procesi i restaurimeve të brendshme pritet të shoqërohet edhe me tejzgjatje për shkak të tenderëve dhe formalitete të tjera që ndikojnë në ngadalësimin e ritmit të punimeve.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›