E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita: Prokuroria të hetojë projektin e Bankës Botërore

Braçe: “Shqipëria rrezikon të humbasë mbështetjen e BB-së”. Olldashi: “Opozita gënjen, BB-ja i rrëzoi akuzat e saj”

Deputetët e Partisë Socialiste e cilësuan shqetësues qëndrimin e qeverisë në lidhje me hetimin e Bankës Botërore për projektin e bregdetit jugor të vendit dhe në veçanti për prishjen e ndërtimeve në fshatin e Jalës. Socialisti Taulant Balla kërkoi, gjatë fjalës së mbajtur në seancën e djeshme parlamentare, që Prokuroria e Përgjithshme të nisë hetime mbi këtë çështje duke pretenduar se qeveritarë të lartë, si dhe drejtuesi i projektit të BB-së, dhëndri i kryeministrit Berisha, janë të përfshirë në korrupsion. Ndërsa ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, rrëzoi akuzat e opozitës ndërsa citoi pjesë të raportit të Bankës Botërore sipas të cilit gabimet janë bërë nga zyrtarë të kësaj banke dhe jo nga qeveria shqiptare.
Opozita
“Hetimi i kësaj çështjeje tani po fillon dhe do të përfshijë një gamë shumë të gjerë problematike të kësaj çështjeje. Ashtu siç çështja nuk mund të konsiderohet e mbyllur nga ana e qeverisë për aq kohë sa në paragrafin më poshtë thuhet që projekti u pezullua nga ekipi i menaxherëve më datën 9 janar 2009 dhe vazhdon të jetë i pezulluar derisa të merret një vendim ose për të ristrukturuar projektin pa aktivitetet e planifikimit të tokës, ose për anulimin e plotë të tij”, - është shprehur Braçe. Ai u shpreh se nëse Banka vendos anulimin e projektit, Shqipëria humbet mbështetjen e një ndër institucioneve më të rëndësishme dhe rrezikojmë fondet nga kjo Bankë për menaxhimin e projektit të Jugut të vendit. Braçe tha se Banka Botërore, e cila, pasi ka nxjerrë përgjegjësitë e veta, kërkon që edhe qeveria shqiptare të nxjerrë përgjegjësitë e veta dhe ta trajtojë me seriozitet këtë çështje. Më tej ka shkuar socialisti Balla, i cili, duke cituar pjesë të raportit të BB-së, akuzoi dhëndrin e kryeministrit Berisha për shtrembërim të projektit të Jugut. Balla tha se opozita ka të drejtë të kërkojë hetimin e kësaj çështjeje nga organet e Drejtësisë. “Banka Botërore u shpreh dy ditë më parë për pozicionin e saj ndaj atij që tashmë njihet si skandali i Jalës. Banka mori përgjegjësitë e veta në lidhje me parregullsitë e bëra në emër të saj. Por, nga ana tjetër, qeveria shqiptare dhe Sali Berisha dje, të mbetur të zbuluar, u munduan të fshehin të gjitha pisllëqet që janë bërë përmes këtij projekti, duke akuzuar në ajër njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me këtë çështje. Sali Berisha duhet të sqarojë publikisht se përse në mars të 2007-s, vetëm pak javë përpara shkatërrimit të Jalës, dhëndri i tij i dërgoi një letër Policisë Ndërtimore, duke u bazuar në projektin e Bankës.
Sipas raporteve të panelit, kjo letër diskutonte prishjen për shkaqe të zhvillimit dhe kërkonte ndihmën e policisë për një veprim sa më shpejt të ishte e mundur. Dy ditë më parë, Banka Botërore pranoi se është përdorur autoriteti i saj për të prishur shtëpitë e banorëve në Jalë të Vlorës duke shtrembëruar thelbin e projektit dhe duke anashkaluar mbikëqyrje korrekte të tij”, - është shprehur Balla gjatë fjalës së mbajtur dje në Kuvend.
Qeveria
Ministri i Transportit, Sokol Olldashi, në përgjigje të akuzave të opozitës, tha se menaxheri i projektit, Jamarbër Malltezi, ka zbatuar vetëm urdhrat e Bankës Botërore, e cila që në 2004-n ka kërkuar shembjen e ndërtimeve pa leje në Jalë. “Askush nga zyrtarët e qeverisë apo nga anëtarët e njësisë së implementimit të projektit nuk është hetuar dhe nuk po hetohet për korrupsion. Banka Botërore ka parashikuar blerjen e pajisjeve për fuqizimin e policisë së ndërtimit, pikërisht në funksion të detyrës së parë, heqjes së ndërtimeve të paligjshme”, - është shprehur Olldashi. Më tej, ai akuzoi opozitën, e cila, sipas tij, po stimulon politikisht shkeljen e ligjit. “Ka pasur një debat për Jalën dhe një mal me spekulime që lidhen me emrin e drejtorit të këtij projekti vetëm për faktin se ai është dhëndri i Sali Berishës. Në fakt, BB-ja ua rrëzoi argumentet dhe duhej të ishte në dinjitetin tuaj që sot të kërkonit ndjesë dhe nisur nga ky fakt të merrnit përsipër një përgjegjësi tjetër”, - është shprehur Olldashi. Gjatë fjalës së tij, ai bëri me dije Kuvendin se në Parkun e Butrintit janë ndërtuar objekte pa leje, të cilat do të shemben menjëherë nga qeveria.

20 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›