E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtëpitë pa tapi, Basha: Në nëntor ndahen hipotekat

KRYEBASHKIAKU I TIRANES, LULZIM BASHA, MINISTRI I PUNEVE PUBLIKE DHE TRANSPORTEVE, SOKOL OLLDASHI DHE MINISTRI I DREJTESISE, EDUART HALIMI DJE GJATE FIRMOSJES SE MEMORANDUMIT

Qytetarët e Tiranës, të cilët nuk kanë hipotekë, pritet që brenda një kohe të shkurtër të marrin certifikatën e pronësisë për banesat e tyre. Javën e dytë të muajit nëntor pritet të përfitojnë një listë e gjatë familjesh. Gjithçka do të arrihet në sajë të memorandumit të bashkëpunimit mes Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Punëve Publike dhe asaj të Drejtësisë. Kreu i Bashkisë së Tiranës, i cili e inicioi këtë marrëveshje, u shpreh se problemi i lejeve të shfrytëzimit për pallatet e reja kërkon zgjidhje urgjente, pasi ka mbetur peng për shkak të mosbashkëpunimit me institucionet e tjera. Vetë qyteti është deprivuar nga një shumë 500-700 milionë euro, shumë kolaterali që përfaqësojnë këto apartamente sot të pahipotekuara. Nesër, me përfundimin e këtij procesi, do të jenë jo vetëm pasuri e këtyre qytetarëve, e regjistruar në emër të tyre, por dhe një kolateral i fuqishëm, i regjistruar në bankat e qytetit të Tiranës dhe një garanci për investime, për rritje ekonomike dhe për punësim, tha Basha. Sipas tij, banorët që kanë blerë apartamentet e tyre në pallate që nuk kanë absolutisht asnjë përgjegjësi për shkeljet nga ndërtuesi, nuk do të deprivohen më nga e drejta e tyre kushtetuese dhe ligjore për të pasur titullin e pronësisë. Ky proces mund të ishte bërë shumë më herët, por, për shkak të dallimeve konceptuale që ka pasur Bashkia e djeshme me Bashkinë e sotme, nuk ka qenë e mundur. Nuk ka qenë e mundur, pasi për asnjë çast nuk ka pasur gatishmëri bashkëpunimi, tha ministri i Transporteve, Sokol Olldashi. Ndërsa ai i Drejtësisë, Eduard Halimi, tha se me këtë memorandum u jepet fund burokracive për tu pajisur me hipotekë, pasi në javët në vazhdim pritet të hartohen akte të reja nënligjore. Ky memorandum do të bëjë të mundur implementimin e këtyre akteve nënligjore dhe finalizimin e përfundimit të procesit të regjistrimit të apartamenteve të Tiranës, tha Halimi. Sipas Bashës, në javët e para të nëntorit pritet të konkretizohet fillimi i kësaj nisme, që do të përfshijë një listë të gjatë familjesh në Tiranë, të cilat presin të ligjërojnë banesat e tyre. Në kryeqytet ka të paktën tri kategori ndërtimesh të pahipotekuara ende. Kategoria e parë përfshin qytetarët që kanë ndërtuar në tokën e tyre, por që e kanë bërë këtë pa leje. Kategoria e dytë janë ndërtimet e ngritura mbi pronat shtetërore dhe së fundi vijnë ato ndërtime që janë bërë në tokën e pronarëve të tjerë. Sa u përket pallateve që kanë devijuar nga projekti, Basha theksoi se ndonëse kjo është kategoria problematike me të cilën merret ky memorandum dhe aktet e tjera që po hartohen në Bashkinë e Tiranës dhe që do të hartohen dhe nga qeverisja qendrore. Çdo pretendim për të kryer ndërhyrje drastike, veçanërisht kur bëhet fjalë për ndërtesa shumëkatëshe, do të ishte jorealist, por në Bashkia e Tiranës, duke mbrojtur interesin publik, në çdo rast do të kërkojmë përgjegjshmërinë dhe përgjegjësinë e plotë të atyre që kanë bërë këto shkelje, por kjo në asnjë moment nuk do të ndalojë procesin e hipotekimit të banorëve që jetojnë në këto pallate, tha Basha.

Certifikata e pronësisë, me postë për 450 pallate
Certifikata e pronësisë do tu dërgohet me postë të gjithë qytetarëve të Tiranës. Këtë e përcakton marrëveshja e nënshkruar dje. Janë rreth 450 pallate të pahipotekuara dhe mbi 5 mijë e 700 shtesa pa leje në pallate. Memorandumi i bashkëpunimit mes Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Punëve Publike, pritet ti hapë rrugën certifikimit të pronës të këtyre objekteve. Dokumenti përcakton detajet dhe rrugën për të legalizuar këto pasuri të paluajtshme. Bashkia e Tiranës do të evidentojë kërkesat dhe objektet që u mungon leja e shfrytëzimit. Lista e këtyre objekteve do ti dërgohet Ministrisë së Drejtësisë, e cila, nëpërmjet Zyrës së Regjistrimit të Pasurive, do të identifikojë të gjithë problematikën e kërkesave që kanë ngelur pezull. Memorandumi ka si qëllim kryesor që qytetarët të pajisen me certifikatat e tyre të pronësisë. Devijimi nga leja e ndërtimit, problemet me pagesën e tatimeve dhe mos deklarimi do të shmangen dhe do të bëhet regjistrimi i objekteve. Në memorandum nuk jepen afate për regjistrimin e pronave, por përcaktohet që brenda 10 ditëve nga nënshkrimi, 3 institucionet të përcaktojnë personin përgjegjës për këtë proces. Pas kësaj urdhërohet regjistrimi i pasurisë dhe dërgimi me postë i certifikatës së pronësisë. Zyrat hipotekore, pasi të lëshojnë certifikatën e pronës, kanë për detyrë që të raportojnë në Ministrinë e Financave rastet kur ndërtuesit nuk kanë paguar detyrimet tatimore me qëllim që të nisë vjelja e tyre. Detyrë tjetër është që të dhënat për objektet e regjistruara ti dërgohen dhe Ministrisë së Punëve Publike dhe ALUIZN-it.

Koordinimi
Ministri i Drejtësisë u shpreh se, pa dyshim që Bashkia e Tiranës ka barrën kryesore të ndalimit të hipotekimit në një numër shumë të madh rastesh, duke mos dhënë lejet e shfrytëzimit. Por, pa dyshim, koordinimi me institucionet e tjera që kanë përgjegjësitë e tyre, siç është në rastin e Ministrisë së Drejtësisë ZRPP, që është hallka përfundimtare e këtij procesi, është i domosdoshëm për ta përfunduar procesin në parametra optimalë për një numër kaq të madh qytetarësh.

Basha me biçikletë në punë
Dje në ditën pa makina kryebashkiaku Lulëzim Basha përdori biçikletën për të shkuar në zyrë. Basha  përcolli disa premtime për korsi të reja për biçikletat apo për një linjë të re moderne të transportit publik. Ra në sy gjithashtu krahu tashmë jo i fashuar i kryebashkiakut, i cili duket se tashmë është shëruar. “Së pari, duhet të sigurojmë stacione biçikletash në të gjithë qytetin dhe Bashkia do të nisë menjëherë nga puna për ta bërë këtë realitet me financimet e veta dhe në partneritet me sektorin privat”, tha Basha.

PËR REGJISTRIMIN E PASURIVE TË PALUAJTSHME NË NJËSINË VENDORE TIRANË
Ministri i Drejtësisë, Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, si dhe Kryetari i Bashkisë Tiranë (në vijim të quajtura Palët)
Duke vlerësuar rëndësinë e të drejtës themelore të qytetarit mbi pronësinë dhe të sigurisë juridike mbi të, si kushte themelore të nxitjes së investimeve, zhvillimit ekonomik dhe parandalimit të korrupsionit;
Duke konfirmuar vullnetin politik dhe angazhimin maksimal për të siguruar dhe zbatuar të gjitha mjetet e nevojshme ligjore dhe ekzekutive për regjistrimin e pasurive të paluajtshme në njësinë e qeverisjes vendore Tiranë;
Duke konsideruar si një ndër objektivat prioritarë në ushtrimin e veprimtarisë së tyre realizimin e të drejtës së pronësisë së qytetarëve mbështetur në parimet e barazisë përpara ligjit dhe sigurisë juridike;
Duke afirmuar vullnetin e mirë dhe vendosmërinë e tyre për të bashkëpunuar dhe kontribuuar në mënyrë konstruktive dhe thelbësore në funksion të realizimit të qëllimit të këtij memorandumi;
Duke u mbështetur në kuadrin e plotë ligjor që normon veprimtarinë e tyre institucionale dhe administrative: në ligjin nr. 8678, datë 14.05.2001 Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë, i ndryshuar, në ligjin nr.  7843, datë 13.7.1994 Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, i ndryshuar , në ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006 Për legalizimin, urban

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›