E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtëpitë, shtrenjtohen 50% kostot e ndërtimit

Autori i Lajmit: Denisa Kona
Argjila, zhavorri, gëlqerja, rëra, materiale që gjenden në natyrë, në malet dhe brigjet e lumenjve e deteve, pasuri kombëtare, na shiten në formën e banesave me çmime jashtëzakonisht të shtrenjta. A thua se të gjitha këto materiale nuk i ka prodhuar mëma natyrë me bujarinë e saj, por një laborator njerëzor! Një banesë, gjëja më e rëndësishme jo vetëm materiale, brenda së cilës zhvillon jetën, krijon familjen njeriu, është kaq e kushtueshme, saqë vetëm me pagat që marrin pjesa më e madhe e popullsisë nuk mund të blihet as me gjithë vitet e jetës punë. Nëse do të përjashtohej emigracioni, trafiqet dhe të gjitha punët e ndaluara që ofrojnë të ardhura të mëdha si dhe fakti që një pjesë e madhe e familjeve “trashëgojnë” nga një shtëpi nga sistemi i kaluar, shqiptarët do të ishin pa çati, bohemë....

Çmimet e apartamenteve të shitura në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit janë të fryra. Këto çmime abuzive që sigurojnë fitime të mëdha, vendosen shpesh mbi kosto joreale, gjithashtu të fryra. Më tepër se shpenzimet e ndërtimit, çmimin e tyre e ka fryrë nevoja e madhe e popullsisë për strehim, kur aktualisht janë më tepër se 50 mijë familje të pastrehuara në të gjithë vendin. Ndonëse specialistë që punojnë pranë firmave ndërtuese shprehen të rezervuar e disa herë përpiqen të justifikojnë çmimet me kostot e larta të materialeve të ndërtimit dhe me rritjen e pagesës për krahun e punës, absurditeti i çmimeve del zbuluar, kur krahasohen çmimet e apartamenteve me të njëjtat kubatura në kryeqytet me qytetet e tjera të vendit. Ndonëse në Tiranë, fuqia punëtore paguhet më mirë, kostoja e ndërtimit disa herë është më e lartë në qytete të tjera për shkak të largësisë nga lumenjtë prej nga merren materialet e ndërtimit, transportit më të kushtueshëm. E prapëseprapë, çmimet më të kripura janë gjithnjë këtu, në Tiranë.
Kostot e ndërtimit të vitit 2007, sipas udhëzimit të shkurtit 2008, kulmojnë në Pukë me 34 590 lekë/m2 dhe Tropojë me 35 970 lekë/m2, të cilat kapërcenin koston e ndërtimit në Tiranë (30 mijë lekë m/2), ndërkohë që gjithë qytetet e tjera, figuronin me kosto më të ulëta- nga 20 100 lëkë/ m2 në Skrapar deri në 28.350 në Shkodër (Kostot e përcaktuara për zonat e tjera të vendit çmimet vërtiteshin rreth 23-24 mijë lekë m/2.)
Por, kostot e ndërtimit për vitin 2008 sjellin një tjetër panoramë. Eshtë përsëri EKB që na ofron pasqyrën e kostove për të gjitha qytetet dhe ajo që bie në sy, është rënia e kostos së ndërtimeve në Tiranë në kolonën e çmimit të sipërfaqes së ndërtimit, dhe rritja e tyre në shumicën e qyteteve të vendit. Kështu, në Tiranë, kostoja ka rënë nga 30 mijë në 27 439 lekë m/2. Po ashtu ka rënë në Tropojë nga 35 970 lekë/m2 në 29 679 lekë/m2. Në Pukë gjithashtu ka një rënie të ndjeshme të kostos për sipërfaqen e ndërtimit, në krahasim me koston e referencës.
Ndërkohë, kostot e ndëririmit për të gjithë qytetet e tjera kanë pësuar një rritje të ndjeshme. Këto kosto pra, kapërcejnë ato të caktuara për efekt tatimi. Por sakaq, sipas Entit Kombëtar të Banesave, në vendosjen e këtyre kostove të ndërtimit nuk janë përfshirë vlerat e rrjetit inxhinierik, projektit, studimit gjeologjik, lejes së ndërtimit, truallit, shpenzimeve operacionale të EKB-së 4%, gjë që do të thotë, se kostot reale janë edhe më të larta. Por nuk është e qartë, se çfarë e ka penguar Entin që të përpunojë kostot reale dhe se sa të vlefshme mund të jenë kostot në kushtet e mospërfshirjes së disa grupeve të shpenzimeve.
Kur është fjala për çmimet e referencës dhe ato të tregut të lirë, të dhënat për Tiranën janë të ndara sipas zonave, kurse për kostot e ndërtimit nuk ka diferencime. Kjo përforcon argumentin se kostot e deklaruara nga Enti janë të paplota, duke mos përfshirë në to edhe kostot e truallit.
Kostoja për sipërfaqe shfrytëzimi
Ndërkohë, çmimet për sipërfaqe shfrytëzimi janë ndjeëshëm më të larta se çmimet për sipërfaqe ndërtimi dhe duke iu referuar atyre, kostot e ndërtimit janë rritur afro 50% krahasuar me një vit më parë. Është pikërisht kjo kosto, mbi të cilën Enti Kombëtar i Banesave ka përcaktuar mesataren në shkallë vendi. Në këtë rast, kostot e sipërfaqeve të shfrytëzimit janë që të gjitha më të larta (përfshirë edhe Tiranën), sesa kostot e përcaktuara për vitin 2007 e që në udhëzimin e shkurtit kanë efekt tatimi. Ndërsa, duke i krahasuar me kostot e vitit 1995, ato janë rritur gati dyfish në të gjithë vendin.
Kostot e ndërtimit në qytetet e tjera të vendit për vitin 2007 sipas shifrave të Entit Kombëtar të Banesave ishin përgjithësisht më të ulëta se në 2008. Por, nga ana tjetër, shpenzimet ndjeshëm më të ulëta të shtëpive që ndërtohen vetë, nga shpenzimet që na merr blerja e një banese tek firmat, dëshmojnë se fitimet e firmave ndërtuese janë tepër të mëdha.
Rritja e kostove mesatare në ndërtim duhet të pasohej me rritjen e çmimeve në shitje të banesave e rrjedhimisht, edhe në ndryshim të çmimit fiskal të tyre mbi të cilin qytetarët do të tatohen. Por, në vendimin e fundit të qeverisë, bie në sy se ndërsa kostot e ndërtimit janë rritur për shumicën e qyteteve, çmimet e tregut të lirë të tyre, gjithnjë sipas EKB, për vitin 2008 kanë pësuar një kontrastim të dyfishtë: janë ulur në 2/3 e qyteteve dhe janë rritur në kryeqytet e në pak qytete të tjera. Këto kosto e çmime të reja tregojnë për një korrelacion gjithnjë e më të largët e më të ftohtë midis kostove të ndërtimit dhe çmimeve të shitjes në qytetet e vogla të vendit, për shkak të fuqisë së ulët blerëse.
Kostoja mesatare e ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave në shkallë vendi, për vitin 2008, është 33 464 lekë/m2 (kjo cilësohet nga Enti si sipërfaqe shfrytëzimi). Rritja e kostove të ndërtimit mund të thotë vështirësi në rritje për ndërtimin e banesave sociale.

NR.1, DATË 20.8.2008
PËR MIRATIMIN E KOSTOS MESATARE TË NDËRTIMIT TË BANESAVE, NGA
ENTI KOMBËTAR I BANESAVE, PËR VITIN 2008
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “dh” të nenit 34/1 të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004 “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave
UDHËZON:
1. Kostoja mesatare e ndërtimit të banesave, nga Enti Kombëtar i Banesave, në shkallë republike, për vitin 2008, të jetë 33 464 (tridhjetë e tre mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e katër) lekë/m2, sipërfaqe shfrytëzimi.
2. Kostoja mesatare e ndërtimit dhe vlera mesatare e apartamenteve, në tregun e lirë të banesave, sipas qyteteve, për vitin 2008, është sipas tabelave 1 e 2, që i bashkëlidhen këtij udhëzimi.
3. Për qytetet, për të cilat nuk është nxjerrë kostoja mesatare e ndërtimit, do të zbatohet kostoja e qytetit më të afërt, e përcaktuar në tabelën 1, që i bashkëlidhet këtij udhëzimi.

TABELA NR.1

KOSTOJA MESATARE E NDËRTIMIT PËR VITIN 2008

Në vlerën e kostos mesatare nuk janë përfshirë vlerat e:
1. rrjetit inxhinierik,
2. projektit,
3. studimit gjeologjik,
4. lejes së ndërtimit,
5. truallit,
6. shpenzimeve operacionale të EKB-së 4%.

Nr. Qytetet Çmimi për njësi
(mesatare aritmetike)
Sip.shfrytëzimi Sip.ndërtimi
1 Berat 33 187 27 450
2 Dibër 34 842 28 826
3 Durrës 35 195 29 108
4 Elbasan 31 532 26 081
5 Ersekë 33 544 27 742
6 Fier 33 499 27 710
7 Gramsh 32 096 26 551
8 Gjirokastër 33 876 28 024
9 Korçë 33 427 27 640
10 Krujë 33 228 27 490
11 Kavajë 33 526 27 736
12 Kuçovë 32 982 27 279
13 Kukës 35 494 29 366
14 Laç 32 739 27 082
15 Lezhë 33 745 27 906
16 Librazhd 31 805 26 307
17 Lushnjë 33 311 27 555
18 Burrel 35 539 27 744
19 Përrenjas 31 990 26 459
20 Peqin 31 945 26 425
21 Përmet 33 905 28 045
22 Pogradec 33 368 27 594
23 Pukë 33 961 28 092
24 Rrëshen 32 978 27 281
25 Çorovodë 33 552 27 759
26 Sarandë 33 387 27 617
27 Shkodër 33 830 27 981
28 Tepelenë 33 706 27 891
29 Bajram Curri 35 872 29 679
30 Tiranë 33 174 27 439
31 Vlorë 34 156 28 252

Kostoja mesatare 33 464 27 681

V.O. Për qytetet që nuk janë përfshirë në listë, si kosto mesatare të merret kostoja mesatare e qytetit më të afërt.
Ky lajm është publikuar: 25/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›