E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtet apo protektorat?

Ndok Malaj

Edhe pse Shqipëria do të festojë sivjet 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, ende nuk është e qartë nëse vendi ynë ka trajtën e një shteti të pavarur apo të një protektorati. Dita-ditës, shohim se në marrëveshjet, rregullat, ligjet dhe zgjedhjet kemi ndikimin e ambasadorëve apo të tjerë faktorëve ndërkombëtarë, dhe kjo për shkak se ne nuk jemi të qartë apo nuk dimë të marrim në dorë fatet tona pa prezencën e të huajve. Shqetësuese në të gjithë këtë është afati që i kemi vendosur vetes. Ende nuk e dimë sesa do të zgjasë kjo situatë, ndërkohë që kjo vjen për shkak të papërgjegjshmërisë së politikës dhe, pse jo, edhe të popullit. Të duket habitshme sesi politikanët shqiptarë vizitojnë vende të ndryshme të botës duke mbajtur leksione dhe fjalime, ndërsa në vendin e tyre nuk janë të zotë ti japin drejtim situatave dhe ngërçeve politike apo sociale.

Në pikëpamjen time, kjo mund të jetë edhe një situatë e stisur për të shpërqendruar vëmendjen e popullit, i cili, prej vitesh, ndodhet përballë një krize të thellë dhe të pasqaruar. Besoj se ka ardhur koha që populli të marrë në dorë fatet e veta duke u bërë më të sjellshëm me njëri-tjetrin dhe duke kërkuar më shumë përgjegjësi nga politika në vend. Kësisoj, luftën e të parëve tanë për një Shqipëri të pavarur nuk duhet ta mohojmë për shkak të dy-tre konflikteve që shkaktojnë përplasjet partiake.

Nuk është aspak e lehtë të themi se jemi një shtet 100-vjeçar, pasi këto 100 vite, mbi të gjitha, janë vite jete të njerëzve të këtij vendi. Për tu kthyer te ndërkombëtarët, nuk dua të aludoj se prezenca dhe konsulenca e tyre nuk është e nevojshme, por kemi nevojën të planifikojmë vetë të ardhmen dhe të vendosim së bashku, të paktën për hir të lirisë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›