E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letër e hapur lexuesve të Shekullit

Adrian Thano

Të shkruash një editorial ku u kumton lexuesve rritjen e çmimit të gazetës që ata lexojnë prej vitesh nuk është nga ato vepra që bëhen me dëshirë. Dhe asnjë përpjekje e tillë nuk do ishte e fisme, nëse nuk do kishte brenda të vetmen plazëm që e shpëton nga bataku: ndershmërinë.

Ky editorial, të paktën për mua, do jetë i tillë: i ndershëm dhe i sinqertë nga rreshti i parë në të fundit. Ndryshe nuk do ta shkruaja. Lexuesit do kenë gjykimin e tyre dhe do marrin vendimin e tyre padyshim.  Por pavarësisht asaj që do bëjnë, unë e di që shumica e tyre do më besojnë. Arsyeja pse i njoh vetes të drejtën për ta pretenduar këtë besim – është e njëjta me detyrimin që kam për ta shkruar pikërisht unë këtë editorial: është çereku i jetës sime: çereku i një gazetari që po u afrohet të 40-ve, çereku i një burri që ka zgjedhur të ketë para pak dhe miq shumë dhe jo të kundërtën; çereku i një bashkë-lexuesi dhe bashkë-kritiku të Shekullit që për më shumë se një dekadë e gjysëm e ka ndarë çdo ditë të jetës me lexuesit dhe kritikët e kësaj gazete. Ata më lexojnë mirë edhe kur nuk ma shohin emrin, unë i njoh personalisht mijëra prej tyre; kam shkëmbyer me ta këto vite të gjatë letra, emaile, sms, telefonata, takime, kafe

*****

Shekulli nga sot do të rrisë çmimin e shitjes nga 20 në 30 lekë. Po e them që në fillim që kjo nuk më bën të ndihem mirë. Për shumë arsye. Po të ishte në dorën tonë, do ta shpërndanim Shekullin falas. Por kjo nuk ka qenë e mundur asnjëherë, dhe është bërë edhe më e pamundur sot. PSE-të, shumë prej lexuesve tanë, i dinë. Është rasti ti rendisim, megjithatë.

E para fare është situata në të cilën gjendet sot Shekulli dhe në përgjithësi, media e pakët kritike e mbetur në vend; situatë e ardhur mbi të gjitha si pasojë e një sulmi të lig, primitiv dhe të pandalshëm të qeverisë mbi këtë gazetë dhe mbështetësin e saj financiar, i cili prej disa javësh ka zgjedhur të jetë vetë në rolin e drejtpërdrejtë të kryeredaktorit. Nuk do zgjatem këtu me listën e gjatë të bizneseve të një botuesi kritik që janë shkatërruar gjatë këtyre viteve për shkak të gjobave dhe sekuestrove qeveritare mbi to; as te fakti që kryeministri i këtij vendi prej vitesh e ka bërë atë shënjestër konstante të sulmeve verbale e financiare, me shpifje deri edhe halucinative; as te ato pistoletat e çuditshme plastike që megjithëse i kam flakur dhe riflakur, i kam rigjetur sërish në derën e shtëpisë sime mëngjeseve; po i lëmë mënjanë pra, shumë nga brengat e atyre që kanë investuar ose punuar në Shekulli, sepse ata që duan ti dinë, i dinë.

Siç dinë që ka media e kolegë të cilët nuk i kanë këto brengat tona. Çfarë i ka shpëtuar? Robëria i ka shpëtuar. E di që do marr tallje skeptikësh për vargjet e mëposhtme, e megjithatë, unë do ta citoj me qejf Prometeun e copëtuar të lidhur për shkëmbi, kur i thotë të dërguarit të Zeusit: Dije mirë ti.. Se skllav unë sbëhem / Dhe me robërinë nuk i ndërroj këto brenga / Më mirë rri këtu pas shkëmbit lidhur / Sesa të bëhem shërbëtor besnik i tij

Lajmi i keq është që kjo qeveri e synon ditë-natë kolapsin e plotë të medias kritike. Lajmi i mirë është që Shekulli nuk do ti ndërrojë brengat me robërinë. Do vdesë mëlçishqyer nga kjo? Këtë le tia lemë kohës. Por nuk bën ti lypim mëshirë qeverisë. As mercenarëve rreth saj barkngopur e shpirtzbrazur. Do tu kërkojmë ndihmë lexuesve. Për këtë shkak po shkruhet ky editorial.  Për këtë shkak madje, edhe arsyet e renditura këtu dëshiroj ti theksoj si ngushtësisht të destinuara për tu ndarë me lexuesit e Shekullit.

Dhe njëra sjell tjetrën. Vimë këtu tek disa nga rrethanat shtesë për rritjen e çmimit: rënia drastike e të ardhurave nga reklamat (rrethanë që gjithsesi është rrjedhojë e së parës për të cilën folëm më lart). Reklama në versionin online është inegzistente, reklama në versionin print të gazetës po shkon drejt zeros. Nëse shikoni Shekullin e sotëm, nuk do shihni më thuajse asnjë faqe të plotë reklamë. Shumë do përmendnin në këtë pikë krizën e përgjithshme financiare të bizneseve, përfshirë ato reklamuese. E vërtetë është, por jo e gjithë e vërteta. E vërteta e plotë është që reklamuesit marrin porosi dhe shantazhe nëse shfaqen në faqet e një gazete kritike me qeverinë.

Presim dhe shpresojmë mirëkuptimin e lexuesit edhe për një rrethanë që e njohim të gjithë mirë: zhvlerësimi i pashmangshëm i lekut. Niveli më i ulët zyrtar i pranuar në këto 10 vjet është nga 3 deri në 8 përqind, por mund të jetë edhe më i lartë se kaq. Megjithatë, shtypi ka rezistuar me dhëmbët shtrënguar për të mbetur nga të vetmet produkte në gjithë këto vite rritje çmimesh që nuk e ka reflektuar këtë zhvlerësim.

E fundit që dua të ndaj me ju është fakti që shumë reporterë dhe punonjës të tjerë të gazetës, përveçse gazetarë, janë prindër, familjarë apo pjesëtarë të familjeve me shumë probleme ekonomike dhe rrethanat që renditëm më lart e kanë rënduar situatën e tyre. Kjo gazetë, pavarësisht ulje-ngritjeve, ka zgjedhur për fat të mirë ti rrijë besnike asaj që beson. Kjo na tregon udhën. Me këtë dëshirë në zemër ne sakrifikuam rreth një vit më parë, për tu rritur në cilësi duke investuar vlera të shtuara në dizajn dhe në staf; me qëllimin për tu dhënë lexuesve tanë një gazetë të re që sheh përtej dukjes; me freski mendore dhe higjenë shpirtërore; investuam për një gazetë këmbëngulëse në vlerat që e lidhin tradicionalisht me lexuesin e saj, por edhe e balancuar me humanizmin e duhur. Investuam për të rritur të menduarin kritik, objektivitetin e realitetit dhe perceptimin e së vërtetës nga publiku. Ne besojmë me modesti se ky produkt meriton të paguhet. Ne po përpiqemi fort për këtë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›