Fëmijët shqiptarë nuk kanë çfarë të festojnë
Altin Hazizaj
Më 1 Qershor, me qindra e mijëra fëmijë anembanë Shqipërisë nisën ditën e tyre, jo duke festuar, por duke lypur e duke u shitur atyre që festojnë në emër të tyre. Ata lanë xhamat e makinave dhe kërkuan lëmoshë nga kryetarët e Bashkive e Komunave, ministrat e deputetët, sepse për ta nuk u kujtua askush, as në 1 Qershor Ditën e Fëmijëve. Sot, në 1 Qershor, do të festojnë fëmijët që kanë, jo ata që nuk kanë. Ata që nuk kanë do të vazhdojnë të mos kenë as ushqim, as veshmbathje dhe vetëm një pjesë e tyre mbështeten nga ndihma ekonomike apo me shërbime nga shumë pak qendra sociale publike dhe të OJF-ve. Prej vitesh, Shqipëria ka krijuar një rreth vicioz ku fëmijët e varfër po bëhen më të varfër dhe ndihma ekonomike që shteti jep për mbështetjen e tyre nuk mjafton as për të plotësuar nevojat më minimale të mbijetesës së tyre.
Dua të parashtrojmë një sërë çështjesh të cilat kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien fizike dhe psikologjike të fëmijëve, për të cilat instancat shtetërore, zyrtarët publikë dhe komuniteti në tërësi duhet të marrin masat e nevojshme.
Legjislacioni shqiptar paraqet mangësi serioze për mbrojtjen e fëmijëve nga pornografia. Pornografia e fëmijëve, përfshi edhe atë në internet, është një fenomen i ri në Shqipëri, dhe kjo kërkon përmirësimin serioz të kuadrit ligjor. Çdo vit, numri i përdoruesve të internetit rritet me 300 për qind e, kësisoj, rriten edhe rreziqet e mundshme nga përdorimi jo në mënyrë të sigurt të internetit. Gjatë vitit 2011 janë referuar 16 raste ku fëmijët janë ndeshur me postime të pahijshme, me kërcënime, ofendime, shantazhe dhe ftesa për tu bërë pjesë të faqeve me përmbajtje pornografike. Dita ditës, numri i rasteve të raportuara shtohet, tregues ky që fëmijët shqiptare po ekspozohen çdo ditë e më tepër ndaj pornografisë, sidomos asaj në internet. Dështimi i Parlamentit shqiptar për adresimin e këtij fenomeni në ndryshimet e fundit të Kodit Penal, vetëm ka rritur mundësitë që fëmijët të jenë akoma më të rrezikuar për tu bërë viktima të shfrytëzimit për qëllime seksuale.
Fëmijët në Shqipëri kanë qenë, janë dhe vazhdojnë të jenë të pambrojtur nga pedofilia. Rasti i djalit 9-vjeçar nga Korça, i cili, sipas raporteve në media, u shfrytëzua nga daja i tij për qëllime përfitimi, duke ofruar shërbime seksuale, është një tregues i frikshëm se mirëqenia e fëmijëve rrezikohet seriozisht nga të rriturit dhe, njëkohësisht, ngre dyshime mbi ekzistencën e një rrjeti të organizuar pedofilie në vend. Deri më sot, organi i Prokurorisë ka heshtur, duke mos dhënë asnjë informacion mbi përmasat dhe personat e përfshirë në këtë fenomen.
Ka kaluar shumë kohë që kur Bleona Mata dhe Mateo Bejaj kanë humbur, dhe kërkimet e kryera deri më sot ende nuk kanë hedhur dritë mbi fatin e tyre.