E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtetasit e Maqedonise preferojne bregdetin shqiptar per pushime

30 deri 35 për qind është rritur numri i prenotimeve nga turistët e Maqedonisë për në bregdetin shqiptar, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, thonë përfaqësues të agjencive turistike në Shkup. 
Afërsia e bregdetit shqiptar, rikonstruksionet e vazhdueshme në infrastrukturë por edhe në kapacitetet pushuese, vlerësimet e lartë që po merr turizmi nga media dhe institucione ndërkombëtare, po e bëjnë bregdetin shqiptar gjithnjë e më të afërt për turistët nga Maqedonia, të cilët vite me radhë Shqipërinë po e zgjedhin si destinacioin më të preferuar për të kaluar pushimet verore. 
Punonjësit turistik në Shkup përmendin edhe dy shkaqe tjera për rritjen e interesimit të qytetarëve të Maqedonisë për të pushuar në bregdetin shqiptarë. Shkaku i parë është  rritja e çmimeve të hoteleve në Turqi, që sivjet janë madje më të larta se vitin e kaluar. Shkaku i dytë sipas tyre është sjellja e autoriteteve doganore greke, posaçërisht vendimi i fundit për të vendosur  letër ngjitëse në targat e veturave nga Maqedonia, ku sqarohet se Maqedonia për Greqinë është FYROM. Greqia dhe Turqia tradicionalisht kanë qenë destinacione të preferuara të turistëve maqedonas, por tani ata po riorientohen gjithnjë e më tepër kah Shqipëria. 
Lidhur me ngjitëset e doganave greke në  targat e reja që mbajnë kodin MK e që janë aktualizuar me fillimin e sezonit turistik, ka reaguar edhe ministri maqedonas i punëve të jashtme Nikolla Popovski. Ai e ka quajtur provokim këtë vendim të doganave greke dhe ka apeluar te autoritetet e atjeshme që një gjë e tillë të ndërpritet. 
Ka reaguar edhe ambasada greke në Shkup me sqarim se vendimi për ngjitëset është pjesë e marrëveshjes së përkohshme mes Maqedonisë dhe Greqisë, por duke shtuar se ato duhet të vendosen në dritaren e pasme, e jo në targat e veturës. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›