E Shtunë, 31 Tetor 2026

Perëndimi i hedh sytë nga Kina për ndihmë

Ekonomitë më të rëndësishme botërore iu drejtuan të dielën Kinës për t‘i ndihur në zbutjen e recesionit të pritshëm në shumë shtete, ndërkohë që Pekini ka aprovuar një plan gjigand për stimulimin e ekonomisë, e fundmit ndër përpjekjet globale për të dalë nga kriza.

Ministra Finance, zyrtarë të niveleve të larta dhe guvernatorë të disa prej bankave më rëndësishme të Grupit të 20-ve, u takuan dje në Brazil, për të diskutuar rrugët që duhen ndjekur për ringjalljen e ekonomive të shteteve të tyre, të cilat në total përfaqësojnë rreth 90 për qind të prodhimit botëror. Zyrtarët bënë me dije se u diskutuan masa për të rritur kërkesën nëpër tregje - përmes projektesh infrastrukturore apo pakësimit të taksave - ashtu si edhe për mundësinë e uljes së normave të interesave në disa shtete.

"Ato shtete që i kanë mundësitë nxiten të marrin masa mbështetëse", tha të dielën ministrja franceze e Ekonomisë Kristinë Lagard. "Ministri kinez tha se vendi i tij është i vendosur të mbështesë kërkesën e brendshme", u tha ajo reporterëve, duke iu referuar bisedimeve të zhvilluara në Berazil me shteteve që bëjnë pjesë në G20, i përbërë nga ekonomitë më të avancuara dhe nga ekonomitë më të mëdha në zhvillim. Kreu i Bankës Botërore dhe zyrtarë të tjerë të lartë që morën pjesë në takimin e përvitshëm të G20-ës konsideruan njëzëri Kinën si aktor të rëndësishëm në përpjekjet për t‘i dhënë impuls rritjes ekonomike botërore.

Në Evropë stimuli më i madh i rritjes do të vijë nga ulja e normave të interesave, vërejti Lagard, duke përsëritur edhe një herë komentet e mëparshme, sipas të cilëve Banka Qendrore Evropian së shpejti do të ulë përsëri normat e interesit. "Për sa u përket vendeve evropiane, ne kemi në vazhdim e sipër planin tonë monetar, që parashikon uljen e mëtejshme të normave të interesit, gjë që mund të ndodhë javëve në vazhdim", sqaroi Lagard. Sipas mediave shtetërore, qeveria kineze ka aprovuar një paketë gjigande stimuluese me vlerë rreth 600 miliardë dollarë, e cila mendohet se deri në vitin 2010 do arrijë të rigjallërojë kërkesën e brendshme dhe të rimëkëmbë eksportet. Agjencia e lajmeve, Xinhua, bëri me dije se paratë do përdoren për ndërtimin e aeroporteve, hekurudhave dhe autostradave në mbarë Kinën. Kabineti kinez deklaroi gjithashtu edhe ndërhyrje të vendosura në politikat monetare.

Guvernatori i Bankës Qendrore Kineze, Zhou Ksiaoçuan, bëri me dije të shtunën se lokomotiva eksportuese aziatike, një prej motorëve të paktë aktivë në kuadrin e rritjes ekonomike botërore, ka ndër mend ta ruajë ritmin e rritjes ekonomike, të cilën e parashikoi 8 deri 9 për qind për vitin 2009. Disa ekonomistë kanë parashikuar se ritmi i rritjes ekonomike të Kinës mund të ulet në më pak se 8 për qind vitin e ardhshëm, shumë më pak se nivelet me dy shifra të rritjes që janë shënuar gjatë pesë viteve të shkuara.

Krerët e financave që po marrin pjesë në takimin e G20-ës në Sao Paolo po përpiqen të arrijnë në propozime konkrete, të cilat do të trajtohen nga liderët e vendeve të tyre gjatë samitit të emergjencës mbi krizën financiare, që do mbahet fundjavën tjetër në Uashington. Takimi në fjalë ka synim edhe këqyrjen e kërkesave të disa ekonomive të mëdha në zhvillim, siç është Brazili, për të pasur më shumë peshë në procesin e vendimmarrjes globale, së bashku me ekonomitë e zhvilluara botërore. Ndër çështjet e tjera të diskutuara gjatë samitit është edhe ajo e përcaktimit të rregullave të reja në tregjet financiare, për të parandaluar përsëritjen e krizës së kredisë, që shpërtheu vitin e shkuar, duke shtyrë shumë prej ekonomive më të rëndësishme botërore drejt recesionit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›