E Diel, 1 Nëntor 2026

Shteti do të shesë tokat e tij për t‘ju dhënë para pronarëve

Qeveria vendos që të shesë një pjesë tokash në pronësi të shtetit, dhe paratë e përfituara t‘ua japë ish-pronarëve në fondin e kompensimit financiar. Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e djeshme përcaktoi kushtet dhe procedurën që do të ndiqet për tjetërsimin e sipërfaqeve të tokës. Në këtë mënyrë, ekzekutivi ka hapur rrugën që të gjitha ata persona të cilët kanë toka bujqësore, oborre, kanale kulluese pranë shtëpisë së tyre të kenë të drejtën për t‘i bërë ato si pronë ligjore, kundrejt pagesës.

Këto të ardhura do të shkojnë për llogari të fondit të kompensimit financiar. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave është ngarkuar të kryejë procedurën paraprake për tjetërsimin, në pronësi të pronarëve të ndërtimeve, kundrejt kërkesës dhe për llogari të fondit të kompensimit financiar, të sipërfaqeve të tokës. Sipërfaqet do të jenë rrugëkalime parcelash bujqësore, sipërfaqe të zëna nga impiante bonifikuese, kanale kullimi apo vaditjeje. Ato duhet të jenë në pronësi të shtetit dhe të patransferuara në inventar të organeve të qeverisjes vendore, në bazë të Ligjit Nr. 8744, datë 22.2.2001, "Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore", të jenë të

përfshira brenda një pasurie të paluajtshme, në pronësi të kërkuesit apo që rrethohet ose lidh dy a më shumë pasuri të paluajtshme, në pronësi të kërkuesit. Kërkuesit duhet të kenë paguar në numrin e llogarisë së caktuar nga AKKP-ja, për llogari të fondit të kompensimit të pronave, të krijuar sipas pikës 1, nenit 23, të Ligjit Nr. 9235, datë 29.7.2004, "Për kthimin dhe kompensimin e pronës", të ndryshuar, kapar, në masën 20% të kundërvleftës në lekë, të sipërfaqeve, që do të tjetërsohen në pronësi të tyre, sipas çmimit përkatës, të përcaktuar në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave, sipas metodikës për vlerësimin e pronës së paluajtshme, miratuar me vendimin nr.183, datë 28.4.2005, të Kuvendit. Kapari të jetë paguar për llogari të fondit të kompensimit të pronave jo më vonë se 3 muaj nga data e marrjes së njoftimit prej AKKP-së, por përpara dërgimit të materialeve nga AKKP-ja te ministri i Drejtësisë. Kërkesa duhet të depozitohet në zyrën e AKKP-së në qendër, e shoqëruar me dokumentacion provues, sipas këtij vendimi.

Dokumentet

Kërkesa për tjetërsimin, për llogari të fondit të kompensimit, të sipërfaqeve të përcaktuara në këtë vendim, paraqitet nga kërkuesit pranë zyrës së AKKP-së, në qendër me postë rekomande. Krahas kërkesës, sipas formularit tip, të miratuar nga drejtori i përgjithshëm i AKKP-së, kërkuesit duhet edhe dokumenti i lëshuar nga ZRPP-ja, që vërteton pronësinë e kërkuesit mbi pasuritë e paluajtshme, të cilat ndodhen brenda apo rrethojnë ose lidhen nga sipërfaqja, që kërkohet të tjetërsohet. Krahas dokumenteve duhet edhe vërtetimi i lëshuar nga ZRPP-ja, që tregon pronësinë e shtetit mbi pasuritë e paluajtshme, që kërkohen të tjetërsohen, si edhe gjithashtu duhet edhe planimetria e sipërfaqes së kërkuar për t‘u tjetërsuar, të lëshuar nga ZRPP-ja.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›