Shteti i kameleonëve
Në morinë e mesazheve dhe takimeve që kemi pasur këto ditë, pas dëbimit nga ambientet e redaksisë, më bëri përshtypje takimi me një të njohurin tim, punëtor në ndërmarrjen e Ujësjellësit të Tiranës. Një nga ata njerëzit e këputur, që punojnë prej më shumë se 30 vjetësh atje, dimër e verë, i zhytur në ujë deri në brez për një rrogë qesharake. Teksa shprehte solidarizimin me gazetën “TemA”, më tregonte dhe gjendjen në këtë ndërmarrje, e cila edhe sot e kësaj dite, me gjithë shirat që kanë rënë dhe megjithëse propagandohet shumë, nuk arrin të zgjidhë as kërkesat më minimale për ujë të kryeqytetit. Ndër të tjera, punëtori i rraskapitur më tregonte se sa duhej të stërmundoheshin për të mbajtur vendin e punës dhe presionet e vazhdueshme që iu bëhen këtyre qyqarëve në emër të “luftës kundër korrupsionit”, e cila propagandohet përditë nga kryeministri. Më tregonte se si drejtori i kësaj ndërmarrjeje, Ferdinant Petrela, një kameleon, që shkon pas çdo sistemi, i mban këta 1100 njerëz nën presion me vendin e punës, dhe prej disa kohësh u vonon atë rrogë mjerane që ata marrin. Historia e drejtorit Petrela është ajo e një njeriu që ka zënë vend rëndom në administratën Berisha. I punësuar në këtë ndërmarrje që nga koha e qoftë largut dhe përherë në pozicione drejtuese. Njeri që të pret në besë (ekzistojnë fjalë që ka qenë dhe bashkëpunëtor i Sigurimit), në vitet 1992 zgjidhet deputet i PD, duke u shitur si antikomunist. Në vitin 1997, kur pa që pushteti i PD po merrte rrokullimën, u regjistrua si kundërshtar i Berishës dhe kjo bëri që të rifitonte pozicionin e tij në Ujësjellës, natyrisht në poste të larta drejtuese. Në parazgjedhjet e vitit 2005, u përdor nga drejtori i atëhershëm i PS, Mehmet Hasanlami, si vegël për sigurimin e mandatit të tij. E dërgonte të riparonte defektet në të gjitha zonat ku kandidonin Anastas Angjeli, Igli Toska, Hasanlami në Bathore, Mimi Kodheli etj. Çirrej kundër Berishës në paradhomën e drejtorit, duke u shprehur se fjalët e kreut të opozitës së atëhershme, sot kryeministër, i “ngjallnin krupë”, apo se e njihte mirë këtë njeri që nga 1990 etj. Për ironi të fatit dhe pas ardhjes së demokratëve në fuqi, ai vazhdoi të mbante postin e nëndrejtorit. Në zgjedhjet lokale të vitit 2007, megjithëse kandidatin e PD së asaj kohe, Sokol Olldashin, e etiketonte me gjithfarë epitetesh, sërish e mbante në foto në zyrën e tij, duke u hequr si përkrahës i flaktë. Në korrik të vitit 2008, pas makinacioneve dhe ryshfeteve të ndryshme arriti të marrë postin e drejtorit të Ujësjellësit të Tiranës, në të cilin është akoma dhe sot. Menjëherë pas kësaj mbajti rreth vetes vetëm servilët dhe të paaftët që tashmë i përdor si pushkë ndaj gjithkujt që guxon të ngrenë zërin kundër makinacioneve dhe sjelljes së tij të neveritshme. Natyrisht, njeriut që i serviloset më shumë ky dhe disa të tjerë është Flamur Noka, i cili për njohuritë e tij “të shumta” në fushën e hidroteknikës u zgjodh dhe kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të kësaj ndërmarrjeje jetike për kryeqytetin.
E solla këtë shembull për të ilustruar pak a shumë atë çka po ndodh me administratën e ngritur nga kryeministri aktual. Nuk dua të përgjithësoj, por kameleonë si drejtori në fjalë ka shumë. Qeshin me zor, sa herë bën humor kryeministri ynë, i cili duhet thënë që në këtë fushë është mediokër i shkëlqyer. Janë ata, të cilët po e brejnë ngadalë ekonominë e rrënuar të këtij vendi, që qeshin dhe kënaqen, kur kryeministri ynë nuk zbaton vendimet e gjykatave, manekinë të kompleksuar që nuk shërbejnë për asgjë tjetër, përveç për t’i siguruar pushtetin një njeriu. Askush mos habitet që janë soji i këtyre që sot më shumë se asnjëherë tjetër po gëzohen se po mbyllet një gazetë thelbësisht e djathtë si “TemA”. Sepse kjo gazetë i njeh mirë ata dhe të kaluarën e tyre. E di shumë mirë se çfarë kanë qenë dhe çfarë bëjnë. Njerëz me të shkuar të dyshimtë, të cilët shesin atë moralin fals dhe bajat. Njerëz me të shkuar të dyshimtë, që i kanë përfituar ato vende në bazë të njohjeve personale (drejtori në fjalë është mik i ngushtë me Genc Rulin, shok armësh, kur luftonin Berishën). Drejtori që përmenda është vetëm një hallkë e këtij sistemi, por është shembulli më i mirë i të gjithë kësaj maskarade që po ndodh me këtë shtet. Sepse njerëz të këtij soji, duke ditur të kaluarën e tyre s’kanë guximin të kundërshtojnë, s’kanë guximin të shohin përpara, vetëm guximin të servilosen e kanë me bollëk. Si ai kryepolici, të cilit i tregohej vendimi i gjykatës dhe sërish nuk hapte udhë, megjithëse e dinte që po shkelte ligjin. Si ai drejtori i Tatimeve, i cili urdhërohet nga kryeministri të verë gjoba për bizneset kundër tij, drejtori i Statistikave që duhet të nxjerrë shifrat sipas tekave të kryeministrit etj. Të gjithë rendin kush e kush të tregojë devotshmërinë, për faktin e thjeshtë se ata janë vendosur në ato poste, jo për të bërë shtet, jo për ta bërë këtë vend të ecë përpara, por thjesht për të kënaqur kapriçot dhe tekat e një njeriu. Është e mjerueshme, por kështu është.