E Shtunë, 31 Tetor 2026

TemA, tanimë një botim ilegal

Nga Mero Baze

Shoqëria që boton gazetën TemA ka deklaruar pezullimin e veprimtarisë së saj financiare në zyrat e tatimeve, QKR, dhe Bashkinë e Tiranës, për shkak të pamundësisë fizike që ne kemi për të vazhduar veprimet financiare, për të prerë fatura tatimore dhe për të pasur në dorë qoftë dhe fizikisht bllokun e tatimeve apo vulën e shoqërisë. Tashmë produkti i kësaj kompanie, që ka titullin gazeta TemA, nuk është më produkt i veprimtarisë financiare të shoqërisë Mediasoft Albania shpk, pasi kjo shoqëri e ka të pamundur të funksionojë financiarisht. Kryeministri Sali Berisha po udhëheq një operacion personal bllokimi dhe mbikqyrje për të, duke na pamundësuar fizikisht vazhdimin e veprimtarisë. Zyrat e taksave dhe tatimeve në Tiranë, nuk mund të marrin më deklaratat tona për TVSH apo faturat tatimore, dhe as bilancin e shoqërisë, pasi çdo gjë është e burgosur brenda rrethimit policor.

Botimi fizik i titullit “TemA” bëhet në kushte të papërfytyrueshme. Shumica e reporterëve punojnë online, ndërsa një kompjuter qendror për dizajn, një printer dhe 5 kompjutera për redaktorët, zhvendosen thuajse çdo ditë nga një “bamirës” tek tjetri, në pritje që qeveria të respektojë titullin ekzekutiv të Gjykatës që urdhëron zyrën e Përmbarimit të heqë rrethimin policor nga redaksia. Botimi i kufizuar, i cili është më shumë përpjekje për të mbajtur gjallë një titull, se sa një veprimtari e mirëfilltë gazetarie, tashmë është në ilegalitet dhe online. Shumëfishimi i tirazhit të gazetës, i cili ka ardhur dhe për shkak të efekteve publike që ka pasur përplasja me qeverinë, na e ka vështirësuar dhe më tej situatën, pasi na duhet t’i përgjigjemi nevojës për të mbajtur lexuesin të informuar nga një anë, dhe pamundësisë për të punuar në kushte ilegale siç jemi të detyruar. Avokatët e gazetës po përgatisin një padi civile për dëmin e shaktuar ndaj veprimtarisë së biznesit dhe thuajse falimentimit de facto me forcë të kompanisë që boton gazetën, e cila përveç gazetës Tema ka lënë pa printuar dhe së paku 5 tituj të tjerë, të cilët kishin kontrata të rregullta biznesi me të.

Ky shkatërrim i veprimtarisë financiare të shoqërisë si dhe hedhja poshtë e gjithë investimeve prej qindra mijëra euro të realizuara brenda një viti, natyrisht janë një plan i studiuar mirë prej qeverisë për të pamundësuar mbijetesën e gazetës TemA.

Por gazeta TemA do të vazhdojë të botohet përditë. Në pritje të zhbllokimit të situatës juridike që ka krijuar kryeministri Berisha ne do të vazhdojmë të botohemi ilegalisht. Sapo situate të normalizohet dhe kryeministri të kuptojë se ai nuk është pronar i këtij shteti, por administrator edhe për 164 ditë në krye të tij, ne do t’i rikthemi veprimtarisë normale financiare dhe rregullave mbi të cilën zhvillohet biznesi në Shqipëri. Shembulli ynë, është ndoshta ekstremi i dhunës jo vetëm mbi lirinë e fjalës dhe mendimit, por dhe i dhunës mbi lirinë ekonomike në Shqipëri.

Ndërkohë gazeta po shikon mundësinë e zgjerimit të saj dhe ristrukturimit mbi bazën e përfshirjes të një numri të madh gazetarësh si aksionerë dhe kontribues në të. Goditja financiare dhe rrethimi policor që kryeministri na ka imponuar me dhunë, na ka detyruar të punojmë në kushte ilegaliteti, dhe ndoshta të jemi të vetmit të vetëpunësuar në punë të zezë që e deklarojmë publikisht këtë gjë, pasi kjo nuk po ndodh për fajin tonë. Kur kjo situatë absurde të marrë fund, ne do të shkojmë pranë zyrave tatimore dhe të deklarojmë aq sa kemi mundësi për të dokumentuar veprimtarinë tonë, por askush nuk e di nëse kjo kohë do të jetë më pak apo më shumë se 164 ditët që na ndajnë nga vendimi politik i shqiptarëve për kryeministrin Sali Berisha.

Spekullimet e tij të turpshme publike, heshtja e tij zyrtare për djegien e makinës sime para syve të fëmijëve të mi, denigrimi i tij publik ndaj meje si viktimë dhe dalja në krah të agresorëve që dogjën makinën, gënjeshtrat e liga dhe cinike të dala nga zëvendëskryeministri fytyrshpëlarë që thotë s’ka vendime gjykate pro nesh, tregojnë qartë se kryeministri Sali Berisha po udhëheq një fushatë të vetëdijshme shkatërruese ndaj gazetës dhe veprimtarisë së saj. Reagimet e forta ndërkombëtare dhe imazhi i keq që po krijohet për Shqipërinë, duket se atë nuk e shqetësojnë. E kam theksuar se më shumë keq ndjehemi ne si gazetarë që po bëhemi shkak që Shqipëria të lakohet si një vend ku kryeministri dhunon mediat, se sa vetë kryeminstri që kujdeset për gjithë detajet e kësaj fushate denigruese, deri të shkruarit e deklaratve për Ministrin Ruli apo gënjeshtrat që shpërndan lart e poshtë vartësi i tij, tashmë besnik, Genc Pollo.

Të shqetësuar seriozisht për vazhdimin absurd të kësaj situate, ne nuk kemi më asnjë derë ku mund të trokasim. Zyra e përmbarimit, e cila ishte zyra e fundit e këtij shteti që mund ta çante gardhin e policëve me vendimin e gjykatës në dorë, është urdhëruar nga Ministri Alibeaj, i cili po ashtu është urdhëruar nga kryeministri Berisha, ta hedhë në kosh vendimin e gjykatës. Të dënuar të presim rrugëve dhe pa asnjë kontakt fizik me biznesin tonë, sendet personale dhe mjetet e punës, ne po vazhdojmë të botojmë ilegalisht një version të kufizuar të gazetës Tema, i cili për hir të së vërteës po kërkohet në treg disa herë më shumë se sa gazetat normale me shumë faqe. Ne po ashtu u jemi mirënjohës gjithë atyre bizneseve që ofrojnë mundësi financiare për mbijetesën tonë, si dhe atyre organizatave ndërkombëtare që po na mbështesin. Dhe jemi të vendosur ta bëjmë këtë deri në rikthimin e lirisë sonë për të punuar normalisht dhe për të pasur një veprimtari legale biznesi. E vetmja gjë që kemi në dorë dhe që e bëjmë me dëshirë, është që t’i humbasim cdo mëngjes qetësinë kryeministrit kur të shikojë gazetën TemA mbi tavolinë, ashtu sikundër ai na ka humbur qetësinë dhe na ka shkatërruar projektet tona legjitime për shtypin e lirë, duke përdorur policinë, dhunën shtetërore dhe natyrisht urrejtjen e tij primitive ndaj medias së lirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›