Disa nga skeletet mund të identifikohen së shpejti
Krimet e komunizmit
Mjeko-ligjorët thonë se nëpërmjet metodës së antropologjisë mjekoligjore, disa nga skeletet mund të identifikohen pa qenë e nevojshme kryerja e analizave të ADN-së, e cila kërkon shumë kohë
Artan CENA
TIRANë - Shtohet numri i skeleteve të rindërtuar nga ekspertët e Mjekësisë Ligjore, të cilët edhe përgjatë ditës së djeshme kanë vazhduar punën për ekzaminimin e eshtrave të gjetura disa ditë më parë rrëzë malit të Dajtit, fare pranë tuneleve të ish-udhëheqjes. Burime pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore thanë se gjatë ditës së djeshme ka shkuar në 11 numri i skeleteve të rindërtuar, ndërsa mësohet se ka ende kocka të tjera, që presin t’i nënshtrohen ekzaminimit gjatë ditës së sotme. Nga të dhënat që ekspertët kanë mundur të sigurojnë, mësohet se disa prej tyre mund të identifikohen pa qenë nevoja e kryerjes së analizave të ADN-së, pasi mund të krahasohen me të dhënat që disponojnë autoritetet apo dhe familjarët e të pushkatuarve. Sipas burimeve nga Mjekësia Ligjorë, mësohet se me rindërtimin e skeleteve, do të ketë më shumë mundësi për identifikimin e tyre. Identifikim do të bëhet në bazë të të dhënave skeletike me metodën e antropologjisë mjekoligjore. Pikërisht me anë të kësaj metode pretendohet që të bëhet një identifikimin e skeleteve, për t’u vënë dhe një emër, me qëllim që njihen edhe familjarët e tyre t’i varrosin sipas riteve. Siç bëhet e ditur nga ekspertët, për kryerjen e identifikimit do të ketë një procedurë të caktuar, ndërsa aktualisht puna për ekzaminimin e skeleteve mund të quhet vetëm faza e parë e kësaj çështjeje.
Ekzaminimet
Ditën e djeshme, grupi i ekspertëve që është caktuar për këtë çështje, ka mundur të ekzaminojë edhe dy kufoma të tjera, nga ku rezulton se ato janë ekzekutuar rreth 30 vjet më parë, pra rreth viteve 1980. Burimet nga grupi hetimor dhe nga ekspertët e mjekësisë ligjore shpjegojnë se ende nuk mund të jepet numri i saktë i femrave të vrara, por kjo mund të vërtetohet lehtë brenda pak ditësh. Gjithashtu, vihet re se në kafkat e tyre ka nga një plumb pas koke. Plumbat janë të armëve të kalibrit të vogël dhe do të dërgohen për ekspertizë në laboratorin e kriminalistikës, në Ministrinë e Brendshme. Dhe pse ka dy ditë që është duke u punuar, ende nuk është përcaktuar numri i saktë i eshtrave të gjetura në malin e Dajtit. Puna për kompletimin dhe identifikimin e skeleteve do të kalojë në disa faza, ku janë duke punuar ekspertët më të mirë të fushës. Ekzaminimi i këtyre eshtrave konsiderohet si rast unik. Por përcaktimi dhe dhënia e rezultateve, lidhur me kohën, identifikimin dhe mënyrën e ekzekutimit, kërkon një periudhë relativisht të gjatë.
Hetimi
Për eshtrat e gjetura disa ditë më parë rrëzë malit të Dajtit, në periferi të kryeqytetit, ka nisur edhe një hetim nga Prokuroria e Tiranës, e cila pret rezultatet e ekspertëve mjeko-ligjorë për të nisur nga puna për identifikimin e skeleteve. Sipas burimeve nga kjo prokurori, bëhet me dije se është kërkuar zyrtarisht nga arkiva e Ministrisë së Brendshme lista e personave që dyshohet se janë pushkatuar në zonën e Dajtit, kryesisht që pas vitit 1970, ndërsa këto të dhëna pritet të krahasohen më pas me rezultatet që Mjekësia Ligjore do të nxjerrë pas përfundimit të procesit të ekzaminimit të skeleteve. Eshtrat u gjetën disa ditë më parë në një fshat në malin e Dajtit, nga një person i cili po kërkonte për babanë e tij të vrarë në vitet e komunizmit. Rastësisht ai ka gjetur një varr masiv, ku mendohet të jenë më shumë se 19 kufoma.
Viktimat e komunizmit
Përkujtimi i të vrarëve, LSI kundër PD-së
TIRANë - Ish-të përndjekurit politikë kërkojnë shpalljen e 29 nëntorit si dita përkujtimore e masakrës komuniste në Shqipëri. Një grup ish-të përndjekurish kanë qenë dje në malin e Dajtit, aty ku pak ditë më parë u gjendën eshtrat e 19 viktimave, të cilët dyshohen se janë ekzekutuar nga regjimi komunist. “Ne ecim mbi eshtra. Janë me mijëra familje që nuk kanë një vend për të vënë një lule në një ditë të caktuar”, - deklaron një përfaqësues i grupit të ish-të përndjekurve. Ata shpresojnë që kërkimet të mos vazhdojnë në mënyrë individuale, por të krijohet një komision, të caktohen hartat e të bëhen kërkimet. “Janë me mijëra varre individuale masive, të cilat janë nëpër pyje e ferra. Se ku ndodhen këto varre i dinë prokurorët, ata që u kanë vënë plumbin pas koke. Ne u bëjmë thirrje komunistëve që të tregojnë se ku ndodhen eshtrat. Se është turp i kombit që të bëjnë varret e grekëve, anglezëve dhe të mos ketë një varr për vëllezërit tanë”, - deklaroi një tjetër përfaqësues i të përndjekurve politikë. Kërkesa për shpalljen e 29 nëntorit si dita përkujtimore e masakrës së komuniste në Shqipëri, e cila u kërkua një ditë më parë nga një grup deputetësh demokratë, u përsërit dje nga Kurt Kula, kryetar i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë. Por ky propozim është kundërshtuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila e quajti këtë ide si një provokim. Në një prononcim për median, anëtari i LSI-së, Luan Rama, tha se kjo është një nismë provokative, duke marrë parasysh faktin se kjo datë ka pasur kundërshti mes partive politike në vend dhe simbolizon Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Sipas Ramës, do të ishte e tepër që kjo datë të shënonte një tjetër histori. “Dëshiroj të nënvizoj, se propozimi i disa deputetëve të Partisë Demokratike që 29 nëntori të jetë dita e nderimit të viktimave të regjimit totalitar, është i pamenduar dhe më i papërshtatshmi, pasi 29 nëntori është referencë e rëndësishme e historisë antifashiste të popullit tonë, si një popull antifashist e kontributor me shumë sakrifica në koalicionin e madh antifashist”, - deklaroi Luan Rama.
Eshtrat e të vrarëve
Berisha urdhëron ngritjen e Taskë Forcës
TIRANë - Pak ditë pas gjetjes së disa skeleteve njerëzorë para pak ditësh në malin e Dajtit, qeveria angazhohet të ngrejë një grup të posaçëm pune për zbulimin e trupave që u ekzekutuan u ekzekutuan nga regjimi komunist. Edhe pse ky fenomen është bërë i njohur prej rreth 20 vjetësh nga familjarët e të pushkatuarve nga sistemi komunist, Këshilli i Ministrave vendosi vetëm dje të ngrejë strukturën e posaçme, që do të lehtësojë sado pak dhimbjen e të afërmve të atyre që u pushkatuan në sistemin e kaluar dhe ende sot e kësaj dite nuk kanë një varr ku t’u prehen eshtrat. Sipas kryeministrit, qeveria që ai drejton, në mbledhjen e ardhshme do të miratojë ngritjen e një Taskë Force për kërkimin këtyre eshtrave. Gjatë mbledhjes së djeshme, kryeministri vuri theksin mbi këtë çështje, ndërsa tha se ky vendim është tepër i rëndësishëm, duke sqaruar se njësia e re Taske Forcë që të ngrihet, do të ketë si detyrë vetëm kërkimin dhe gjetjen e trupave të burrave dhe grave, intelektualëve dhe punonjësve, qytetarëve të këtij vendi, që u ekzekutuan barbarisht nga regjimi komunist, vetëm sepse besonin te fjala e lirë, te Zoti, te vendi i tyre, pra në vlera sa hyjnore, aq edhe njerëzore. Kryeministri kërkoi që Ministria e Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë të përgatisin vendimin që përcakton procedurat e ngritjes së kësaj Taskë Force dhe ta sjellin atë në qeveri. Por një vendim i tillë duket se është me shumë vonesë, pasi kryeministri aktual, i cili në vazhdimësi ka shfaqur mendimin për hapjen e dosjeve të komunizmit, që prej vitit 1992 ka mbajtur detyrën e Presidentit të Republikës, por asnjëherë nuk ka kërkuar gjetjen e eshtrave të të ekzekutuarve nga sistemi komunist. Debati për ligjin e dosjeve, që përfshihu kohët e fundit politikën dhe institucionet ndërkombëtare, mund të konsiderohet një nismë e mazhorancës aktuale, për pastrimin e administratës nga ish-persekutorët e sistemit të kaluar, por sërish mbetet i vonuar. Për rreth 18 vjet, asnjë institucion nuk ka ndërmarrë nisma serioze për identifikimin e varreve masive ku janë të vrarët e sistemit të kaluar, ndërsa vetëm dy vjet më parë, Avokati i Popullit ka nisur një hetim për këtë çështje, por pa rezultate konkrete, të paktën deri tani.
Kryengritja e Qafës së Barit, ekzekutori pranon krimin
TIRANë - Gjatë hetimeve të Avokatit të Popullit është evidentuar një rast, kur një prej pjesëmarrësve të skuadrës së ekzekutimit të dy të dënuarve për kryengritjen e burgut të Qafë-Barit, ka pranuar krimin, por nuk ka mundur të kujtojë vendin ku janë varrosur dy të pushkatuarit. Në një prej raporteve hetimore në kuadër të gjetjes së eshtrave të të vrarëve në sistemin komunist, thuhet se një nga komisionerët e Avokatit të Popullit ka takuar në Shkodër një prej tre pjesëmarrësve të skuadrës së pushkatimit, i cili deri në vitin 2006 ka mbajtur funksione të larta në radhët e Policisë së Shtetit. “Një nga tre personat që ka marrë pjesë në ekzekutimin e Tom Ndojës dhe Sokol Sokolit, të cilët janë pushkatuar në Shkodër në orën 24:00 të datës 9 qershor të vitit 1984, ka treguar vendin e ekzekutimit të dy të dënuarve me vdekje si pjesëmarrës në revoltën e burgut të Qafë-Barit në Pukë”, - thuhet në raportin hetimor të Avokatit të Popullit. Në takimin që komisioneri ka pasur me shtetasin me inicialet M. R., ky i fundit ka pranuar së ka marrë pjesë në pushkatimin e dy të dënuarve, të cilët janë ekzekutuar në periferi të Shkodrës, në territorin e antenave të radio “Shkodrës”, por është shprehur se nuk e mbante mend vendin ku janë varrosur të pushkatuarit, pasi sipërfaqja e këtij territorit është tepër e madhe. Ky është vetëm një nga rastet, kur ekzekutorët kanë pranuar të bashkëpunojnë, por pa treguar të dhëna të sakta mbi varrin e të pushkatuarve. Por në shumicën e rasteve, ekzekutorët apo pjesëmarrësit e tjerë që kanë qenë prezentë gjatë ekzekutimeve, nuk pranojnë të tregojnë asgjë, edhe pse u është premtuar ruajtja e anonimatit.
43 të pushkatuar me vendim gjykate, ende pa varr
Skënder Haluca thotë se ekzekutorët që edhe sot vazhdojnë të jenë pjesë e administratës publike, nuk pranojnë të tregojnë vendet ku janë pushkatuar 43 të dënuarit me vdekje
Leonard Bakillari
TIRANë - Kur kanë kaluar më shumë se 20 vjet nga shembja e një prej sistemeve më të egra në Euvropë, pasojat e komunizmit vazhdojnë të jenë ende një plagë e hapur për mijëra e mijëra njerëz që kërkojnë eshtrat e të afërmeve të tyre, të pushkatuar nga ai sistem për shkak të bindjeve të tyre. Gjetja e një prej varreve masive në vend ka ngjallur shpresat e vakëta të familjarëve të të pushkatuarve, që shpresojnë ende për gjetjen e eshtrat e të afërmve të tyre, të pushkatuar s’dihet se ku nga xhelatët e komunizmit. Me shpresën se një ditë viktimat e atij sistemi do të kujtohen dhe nderohen me respektin që u takon, një grup pune pranë Avokatit të Popullit ka rihapur dosjet e të paktën 43 të pushkatuarve, eshtrat e të cilëve nuk janë gjendur ende, edhe pse familjarët e tyre për 20 vite nuk kanë reshtur së kërkuari. Janë 43 intelektualë dhe njerëz të nderuar të pushkatuar, për shkak se pikëpamjet e tyre nuk u pajtuan me sistemin komunist, të cilët janë ende pa varr. Në kuadër të një investigimi të nisur nga Avokati i Popullit, që prej vitit 2008 është bërë e mundur që për të gjithë këta persona të krijohet një minisdosje, por siç shpjegon komisioneri Skënder Haluça, gjithçka ka ngecur, pasi pjesëmarrësit në këto krime nuk pranojnë të japin detaje mbi vendin e ekzekutimit, edhe pse u është premtuar ruajtja e anonimatit.
Dokumentet
Për dy vite me radhë, Avokati i Popullit ka mundur të sigurojë vendimet e gjykatave për 43 të pushkatuarit, që edhe sot e kësaj dite janë pa varr, ndërsa për shumicën e tyre ka mangësi në dokumentacion, çka mund të sjellë edhe identifikimin e vendit ku ata janë ekzekutuar. Sipas Halucës, ka raste kur në procesverbalin e ekzekutimit, strukturat përkatëse kanë shënuar edhe vendin ku është zbatuar vendimi i dënimit me vdekje të dhënë nga gjykata. Por kjo e dhënë, që është mjaft e rëndësishme, ekziston vetëm në disa raste sporadike, pasi në shumicën e ekzekutimeve, pjesëmarrësit, disa prej të cilëve vazhdojnë të jenë ende në administratë, nuk kanë shënuar vendin ku është kryer ekzekutimi i të dënuarit. Por kjo është vetëm një nga pengesat, që sipas Halucës është hasur gjatë dy viteve investigim për këtë çështje, pasi në raste të tilla vendi i ekzekutimit përcaktohej me vendim të ministrit të Brendshëm të kohës. Duke iu referuar disa rasteve konkrete, si Dajti, apo zona e antenave të radio “Shkodrës”, dy vende këto, ku dyshohet se janë ekzekutuar me dhjetëra të dënuar me vdekje, Haluca sqaron se pas një periudhe të caktuar kohore, me vendim të ministrit të Brendshëm, këto zona janë hequr nga lista e vendeve ku do të pushkatoheshin të dënuarit dhe janë caktuar zona të tjera, vendndodhja e të cilave nuk gjendet në dokumentacionit që disponon Ministria e Brendshme apo Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Bashkëpunimi
Një tjetër problem që ka paralizuar procesin e identifikimit dhe gjetjes së eshtrave të të vrarëve nga sistemi komunist, është edhe mungesa e bashkëpunimit me institucionet që disponojnë dokumentacionin e nevojshëm. Sipas Halucës, në fillim të kësaj nisme, pati një vullnet pozitiv nga Ministria e Brendshme, e cila disponon gjithë dokumentacionin për të pushkatuarit e asaj periudhe, apo edhe procesverbalet e të ekzekutuarve, por me kalimin e kohës gjithçka mbeti në diskutimet teorike, pasi ndihma reale që u ofrua ishte tepër e vogël. Po ashtu, sipas tij, ka një mungesë totale bashkëpunimi nga ata që ishin pjesë e grupeve të ekzekutimit, qoftë skuadra e pushkatimit, apo edhe persona të tjerë që kanë firmosur procesverbalet gjatë ekzekutimeve të të dënuarve politik. Shumë prej tyre, thotë Haluca, janë ende pjesë e administratës shtetërore apo sistemit të drejtësisë, por askush nuk pranon të tregojë për vendet e ekzekutimeve, ku edhe sot janë eshtrat dhjetëra të pushkatuarve. “Edhe pse u është premtuar ruajtja e konfidencialitetit, sërish ekzekutorët apo urdhëruesit e vrasjeve nuk japin asnjë detaj për krimet e kryera”, - thotë Haluca, i cili gjithashtu shpjegon se gjatë dy viteve hetime për këtë çështjen, ka pasur vetëm një rast, kur një ish-funksionar i lartë ka treguar vendin e ekzekutimit të atyre që u cilësuan si organizatorët e kryengritjes së Qafës së Barit.
Lista e të pushkatuarve që s’u dihen varret
1- Xhelal Koprencka
2- Fadil Kokomani
3- Vangjel Lezho
4- Hajro Pashaj
5- Skënder Dajo
6- Pol Zefi
7- Dervish Bejko
8- Sokol Sokoli
9- Tonin Ndoj
10- Fran Mirakaj
11- Petro Daja
12- Fuat Kurti
13- Skënder Muço
14- Zef Prela
15- Riza Zoti
16- Kamber Prishta
17- Pertef Prishta
18- Myrteza Prishta
19- Qamil Prishta
20- Sherif Prishta
21- Ali çoku
22- çerçiz Qendro
23- Xhafer Qendro
24- Feti Mema
25- Musa Kerma
26- Atem Qendro
27- Lab Shena
28- Haziz Kaloshi
29- Asllan Kaloshi
30- Muharrem Kaloshi
31- Sefedin Kaloshi
32- Mahmut Kaloshi
33- Qemal Kaloshi
34- Osman Kaloshi
35- Selim Sulë Kaloshi
36- Elez Kaloshi
37- Rabije Kaloshi
38- Nazif Bajraktari
39- Sulltana Ndreu
40- Gani Ndreu
41- Zenel Qendro
42- Dali Ndreu
43- Liri Gega
.... Dhe qindra të tjerë ......