E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shteti iu merr sindikatave, pikat turistike

Sindikatat i administronin këto pasuri që nga viti 1992 me një dekret të ish-presidentit Berisha

Një projektligj parashikon t'iu marrë sindikatave kampet e pushimit, parqet, etj. për t'ia kaluar shtetit në pronësi

TIRANË- Qeveria vendos të rishtetëzojë të gjitha pronat e ish-bashkimeve profesionale, të cilat në vitin 1992 me anë të një dekreti të presidentit Berisha, kishin kaluar në pronësi të sindikatave. Në fjalën e tij në lidhje me këtë çështje, Kryeministri Berisha kërkoi që të gjitha pronat e ish-bashkimeve profesionale, të cilat janë resortet turistike më të mira të vendit, të cilat sipas tij aktualisht nuk janë në pronësi të askujt, të shndërrohen në shoqëri aksionare me pronar shtetin.

Nisma e qeverisë përfshin një sërë shtëpish pushimi, shtëpi kulture, parqe sportive, biblioteka, salla mbledhjesh, ndërtesa shkollimi, makineri, pajisje etj., në të gjithë territorin e vendit që në qershor të vitit 1992, kryeminstri i sotshëm dhe Presidenti në detyrë në atë periudhë, Sali Berisha, ua kishte kaluar në pronësi sindikatave me qëllim shfrytëzimin nga këto të fundit. Ky dekret u lëshua me kusht që gjatë shfrytëzimit sindikatat të mos ndryshonin destinacionin fillestar të pronave të marra duke i shitur apo dhënë me qira për periudha me afat të gjatë ndaj palëve të treta. Megjithëse kishte një dekret të presidentit për arsye ende të paqarta ai nuk u miratua nga Kuvendi, ndërsa të gjitha resurset e mësipërme kaluan nën administrimin e sindikatave.

Por, sipas deklaratave të djeshme të Kryeministrit, për arsye se nuk ka kaluar në kuvend, dekreti me nr.204, datë 5.6.1992 nuk është i vlefshëm dhe pronari i vetëm i pronave në fjalë që njihet është shteti shqiptar. "Në funksion të Presidentit të Republikës, në vitin 1992, në mënyrë që t'i jepja pavarësi ekonomike sindikatave, dekretova kalimin në pronësi të tyre të të gjitha pronave të ish- bashkimeve profesionale.

Ky dekret, në mënyrën më të pakonceptueshme, nuk është votuar në parlament. Faktikisht, ky dekret nuk ka fuqi. Me mosvotimin e dekretit në parlament ato janë pasuri të askujt, në kohën kur ato ishin resortet më të mira turistike të vendit",- tha ai. Më tej Kryeministri sqaroi se kjo nismë merret për t'i shpëtuar abuzimit dhe pasi të ketë bërë rikonstruksionin e plotë, shteti do t'i shesë aksionet e tyre. "Që në momentin që ato do të rindërtohen, shteti është i gatshëm t'i shesë aksionet dhe të vazhdojnë të tjerët. Përndryshe, nëse nuk do të mos jetë shteti i pranishëm, do të vazhdojë bixhozi me këto pasuri, ashtu si ka vazhduar gjatë gjithë kohës",- tha ai duke shtuar se në lidhje me këtë është marrë edhe miratimi i disa përfaqësuesve të rëndësishëm të sindikatave, pasi edhe këta të fundit e kanë kuptuar se aty janë zhvilluar procese tërësisht të papranueshme

Me kalimin në pronësi të sindikatave, një pjesë e mirë e tyre në qytete të ndryshme të vendit, si shtëpitë e pushimit, parqet sportive, ndërtesat e shkollimit, etj., u lëshuan me qira ose u shitën ndaj palëve të treta. Këta të fundit investuan shuma të konsiderueshme mbi këto prona për t'i përshtatur ato me kërkesat e tregut. Ndërsa, ende nuk është bërë e ditur se cili do të jetë fati i këtyre investitorëve, të cilët kanë investuatr mbi një numër ish-kampe pushimi, parqe sportive apo ambiente të tjera në të gjithë territorin e vendit.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›