E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarret përfshijnë vendin, në flakë Fieri, Saranda, Puka

Rruga Fier-Levan ka mbetur e bllokuar për shkak se flakët e zjarrit ndodheshin shumë pranë rrugës nacionale

Zjarre të fuqishme kanë përfshirë të gjithë vendin përgjatë ditës së djeshme. Tre shtëpi janë djegur, ndërsa disa të tjera rrezikoheshin. Po kështu rruga Fier-Levan është bllokuar disa herë nga flakët. Një zjarr i fuqishëm ka shpërthyer mbasditen e djeshme në kodrat e komunës Levan të Fierit në afërsi të vendit të quajtur "Liqeni". Zjarri ka filluar rreth orës 15:30 dhe askush nuk i di rrethanat e rënies së tij. Por i ndihmuar edhe nga era e fortë që frynte, flakët kanë qenë shumë të vështira për t'u shuar. Kështu në vendin e ngjarjes kanë mbërritur tre mjete zjarfikëse. Megjithatë, si pasojë e terrenit të vështirë, ndërhyrja e mjeteve në vatrat e zjarrit paraqiste shumë vështirësi. Në këto kushte, vetë personeli zjarrfikës, i ndihmuar edhe nga banorët që kishin pronën e tyre, ullinjtë, kanë rrëmbyer degë pemësh dhe me to janë munduar të shuanin zjarrin. Ndërkohë, aksi rrugor Fier - Levan është bllokuar disa herë duke krijuar probleme në qarkullimin e automjeteve. Kjo për shkak të flakëve, të cilat ndodheshin shumë afër rrugës nacionale. Një gjë e tillë ka zgjatur për më shumë se një orë. Më pas zjarri është zhvendosur nga rruga në drejtim të lartësisë së kodrës ku mjetet zjarrfikëse e kishin shumë të vështirë të shtrinin tubacionet e ujit. Deri në orën 17:00 ishin djegur rreth 30 ha tokë të mbjella me ullinj shumëvjeçar dhe në prodhimtari.

Por ndërsa mjetet zjarfikëse ishin përqendruar në këto kodra, dy zjarre të tjera: një në Darëzezë dhe tjetri në Fier krijuan probleme serioze. U kërkua ndihmë nga Lushnja, nga ku u dërgua një mjet zjarrfikës dhe së bashku me një mjet nga Fieri bënë të mundur fikjen e dy vatrave të zjarrit. Në Fier u përfshinë nga flakët disa ish-magazina të Hekurudhës, ku u rrezikuan disa banesa. Ndërsa në Darëzezë u dogj një banesë e cila fatmirësisht ishte e pabanuar. Situata në Levan është marrë nën kontroll vetëm në orën 18:30.

Sarandë, shuhet zjarri në Livadhja
Janë dashur rreth 20 orë luftë me flakët deri në shuarjen e plotë të zjarrit që përfshiu disa fshatra të komunës së Livadhjasë. Zjarrfikësit dhe forcat e rendit, të ndihmuar edhe nga banorët e zonës, kanë mundur ta vënë nën kontroll vetëm gjatë mesditës së djeshme, ndërsa zjarri i fuqishëm ka qëndruar i ndezur për orë të tëra, duke vazhduar nga pasditja e së mërkurës dhe gjatë gjithë natës. Përveç dëmeve mjaft të konsiderueshme, ku komisioni i verifikimit të dëmeve ka regjistruar se janë djegur disa hektarë pyje e kullota dhe të paktën 1500 rrënjë ullinj prodhimi, zjarri shkrumboi edhe dy shtëpi të banuara në fshatin Qesarak, në orët e para të mëngjesit të djeshëm, njëra prej të cilave është vlerësuar tërësisht e dëmtuar, ndërsa tjetra pjesërisht. Ndërkaq, për kreun e emergjencave civile, Alfred Olli, i cili shkoi në vendngjarje, "zjarri ka qenë deri diku i përmasave të mëdha. Vendosëm që së bashku me pushtetin vendor dhe nënprefekturën e Sarandës të krijojmë mundësitë për dëmshpërblimin e këtyre familjeve që mbetën të pastreha", u shpreh Olli. Rreth një muaj më parë, si pasojë e vatrës së zjarrit që është shfaqur po në këtë zone, janë djegur plotësisht 550 rrënjë ullinj prodhimi, si dhe 600 ha kullotë.

Zjarr dhe në Pukë
Flakët e zjarrit kanë përpirë hektarë të tërë me pyje në fshatin Iballë të Pukës. Zjarri i rënë mbrëmjen e së mërkurës nuk ishte shuar ende edhe të enjten. Zjarri favorizohet nga temperaturat e larta dhe era e fortë. Banorë dhe zjarrfikës mbërritën pranë vatrës duke u munduar të shuajnë flakët e mëdha, por vështirësitë vijnë në rritje për shkak të terrenit të thyer malor ndaj ndërhyrja propozohet të kryhet vetëm nëpërmjet ajrit. Dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga pakujdesia e banorëve të zonës. Situata është drejt përkeqësimit, duke shkatërruar masivin pyjor që karakterizon zonën e thellë malore të Iballës.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›