E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shteti me vizë

18 vite pas thirrjeve të qindra-mijëra shqiptarëve "E duam Shqipërinë si gjithë Europa", Atdheu i tyre duket shumë larg ëndrrës së hyrjes në Bashkimin Europian dhe me ta mund të tallet dhe të vendosë klonin e dikurshëm edhe një fqinj si Maqedonia. Viti 2008 nisi me një shpresë të re që do të sillte liberalizimi i lëvizjes së shqiptarëve në vendet që janë përfshirë në nismën "Shengen", duke favorizuar grupe të veçanta të popullatës. Por dëshmitë e shqiptarëve vizakërkues dhe raportimet nga përfaqësitë konsullore të vendeve europiane në Shqipëri, flasin se gjendja ka ndryshuar (as)pak dhe për shtetasit shqiptarë kalvari do të vazhdojë. Mjerisht, viti i ri solli në kujtesën e shqiptarëve se fqinjët po të duan na rikthejnë në gjendjen ku ishin para se të nisnim thirrjet për Europën. Të na izolojnë si dikur, duke ndarë njerëz të një gjaku. Maqedonia, me regjimin e ri të vizave alla-Shengen na tregoi se mund të mbetemi i vetmi vend në Ballkan, që i duhet vizë konsullore për të qarkulluar lirisht në rajon, sepse përveç Malit të Zi, na duhet vizë për të shkuar në gjithë shtetet e rajonit.
Dje ndodhi zhvillimi i tretë, që brengos çdo shqiptar të madh e të vogël. Këshilli i Europës është gati që të lejojë udhëtimin pa viza të mbi 6 milionë serbëve në vendet e BE-së. Sigurisht që është një vendim me sfond politik, dy ditë para zgjedhjeve presidenciale në Serbi, për të inkurajuar bllokun pro-europian të presidentit Tadiç dhe të ndikojë te elektorati i tërhequr prej toneve nacionaliste të radikalit Nikoliç. Sigurisht që për serbët kjo do të ishte si një ftesë ripranimi sepse deri afër viteve '90 shtetasit e ish-Jugosllavisë qarkullonin pa viza në shtetet e Europës. Dhe sigurisht kjo është politika europiane për të "blerë" një pranim "de facto" nga ana e Serbisë e faktit se Kosova tashmë është një çështje europiane dhe jo e Serbisë. Por kjo ftesë europiane për shtetin që përgjaku Ballkanin deri 9 vite më parë, i vret shpirtërisht shqiptarët që e kanë ëndërruar Europën, që kanë bërë të tyren kredon europiane dhe kanë bërë maksimumin për të qenë sa më afër parimeve mbi të cilat është ngritur dhe funksionon BE-ja. I vret fakti se kanë një të tretën e popullsisë emigrante në vendet e Europës dhe gjithsecili është atje me shpirt, paçka se me trup nuk e lë burokracia "Shengen", se duhet të zvarriten dhe të nëpërkëmben konsullatave me vandakë letrash, se ngado që shkojnë, i shikojnë me dyshim dhe përçmim pse janë shqiptarë, pse shumë europianë i dinë se janë njerëz me bisht, se vendi i tyre është anatemuar si vend që nuk bëhet dhe që është i destinuar të mbetet primitiv, si një rezervat egërsirash për turistët kuriozë.
Por shqiptarët janë të vetëdijshëm për gjendjen ku ndodhet vendi i tyre dhe ku ndodhen fqinjët. Ata e dinë se Maqedonia, mund t'ua vërë kufirin te thana dhe të nxitojë të adaptojë sistemin "Shengen" të vizave për shqiptarët, pse ka nxituar shumë para Shqipërisë që të përmbushë reformat e kërkuara nga BE-ja. Ata e dinë se Serbia ka vetëm kushtin e dorëzimit të kriminelëve të luftës në Gjykatën e Hagës, sepse ka ditur të bëjë shtet. Shqiptarët e dinë se mungesa e shtetit i ka lënë pas dyerve të Europës. Për shumë vite, qeveritë kanë ardhur dhe ikur duke ndërtuar pasuritë e pushtetarëve, por jo institucionet ligjore. Për shumë vite, qeveritarët kanë qenë frymëzues dhe përfitues të anti-shtetit duke vjelë përfitimet e paligjshmërisë. Për shumë vite, për interesat politike të momentit, qeveritë nuk punuan për të ditur se sa shtetas kishte vendi tyre, për të përpiluar një Regjistër Civil dhe për t'i dhënë çdo shtetasi një dokument të denjë për në Europë. Për hir të ambicieve politike, qeveria aktuale është gati t'i çojë sërish në votime shqiptarët të panumëruar, pa identitet dhe pa perspektivë europiane. Kjo panoramë mjerane është e vërtetë, sepse plotësimi i kushteve të mësipërme ishte në çdo raport të kancelarive europiane. Politikanët shqiptarë kanë bërë sikur kanë dëgjuar, nuk kanë plotësuar asnjë prej tyre dhe bota i ka vënë vizë anti-shtetit tonë. Haraçin e paguajnë shtetasit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›