Erzen Shkololli ekspozon në "Pompidou"
Qendra Pompidou në Paris ka ftuar artistin nga Kosova Erzen Shkololli për të paraqitur në qershor 2008 videoartet e tij. Ekspozita është ideuar tashmë nga Christine Macel, kurator i Muzeut Kombëtar të artit modern. Macel dhe Joanna Mytkoëska, po ashtu kuratore e këtij muzeu, pasi vizituan Kosovën në nëntor 2007 e ftojnë Shkololli të ekspozojë për herë të parë që nga 26 qershori në një sallë të madhe kinemaje me rreth 400 vende në Qendrën Pompidou. Veprat që ekspozohen janë "Nusja" vidoeinstalacion i vitit 2001, "Kanagjeçi" 2003, "Hej ti" 2002, "E bardhë" 2005.
Erzen Shkololli (i lindur në Pejë më 1976 jeton dhe punon në Prishtinë) është artist dhe kurator, bashkëthemelues i Institutit të Artit Bashkëkohor EXIT në Pejë. Është një nga emrat kosovarë më në zë në arenën ndërkombëtare të arteve pamore.
Ai punon kryesisht me folklorin dhe ritualet lokale duke u fokusuar në situata dhe social politike. Pasiguria ndërmjet së shkuarës dhe së tashmes që ndihet në veprën e tij e bën atë një shembull tipik të asaj çka do të thotë sot të punosh në Ballkan.
Shkololli është ekspozuar në muze të rëndësishëm të artit bashkëkohor si Stedelijk Museum në Amsterdam apo Tate Modern i Londrës. Është fitues i çmimit "Michetti" më 2001 dhe së fundi ka fituar bursën për të qenë artist rezident në Berlin.
Është hera e parë që një artist shqiptar prezantohet me një ekspozitë personale në një qendër prestigjioze të kulturës si Qendra Kombëtare e artit dhe kulturës "Georges Pompidou" si homazh për ish- presidentin Georges Pompidou i cili donte të krijonte një institucion origjinal për kulturën në zemër të Parisit që të fokusohej në artin bashkëkohor dhe modern dhe përkrah tij të rrinin artet e tjera si teatri, kinemaja, letërsia. Për herë të parë i hapi dyert për publikun më 1977. Është qendër mjaft e vizituar, çdo vit aty hyjnë 6 milionë njerëz. Ka një koleksion me 54.500 vepra të artit modern.