Anbeta, balerina etalon
Nga konkurente në balerinë profesioniste pranë shkollës "Amici" të Maria De Filippit, balerina shqiptare, Anbeta Toromani është kthyer në një "masë" matëse për të gjitha balerinat e reja
Çdo nxënës do të donte të ishte si ajo. Është maja, etaloni. Nëse do të bëhesh balerinë dhe të fitosh, duhet të jesh si Anbeta Toromani. Këtë e thonë njëzëri pedagogët e "Amicit", shkollës-spektakël të Maria De Filippit, një nga transmetimet më të famshme të rrjetit televiziv italian "Mediaset". Në sezonin 2002-2003 balerina shqiptare, e cila kishte provuar se ç'ishte suksesi në një skenë të vërtetë si ajo kombëtare e Teatrit të Operës dhe Baletit, në Tiranë, merr pjesë në shkollën e De Filippit. Arrin deri në finale, duke fituar të drejtën të jetë balerinë profesioniste pranë kësaj shkolle. Ajo është aty, pas kuintave, për të demonstruar numra artistikë, por jo vetëm. Kush ka ndjekur përmes ekranit puntatat më të fundit të "Amicit", ka kuptuar se Anbeta tashmë është një etalon. Çdo nxënëse që konkurron tek "Amici", duhet të "përballet" me Anbetën. Kur vjen radha e gjykimeve nga ana e pedagogëve, të gjitha e dinë se Alessandra Celentano (mjeshtre baleti pranë Teatrit "La Scala", Teatrit të Operës së Romës, Teatrit Komunal të Firences, "S. Carlo" të Napolit, etj.), nuk ta thotë kurrë një fjalë të mirë. Ajo është e "egër" dhe nuk druhet aspak t'ua thotë në sy vajzave se "nuk bëjnë", "nuk do bëhen kurrë balerina". Veçse një pikë të dobët e ka edhe Celentano. Është Anbeta. Për pedagogen italiane nuk mund të jesh balerinë nëse nuk ke trupin si të Anbetës, nëse nuk ke profilin e saj. Jo rrallë herë ka ndodhur që ta thërrasin balerinën, vetëm për t'u krahasuar me aspirantet dhe për të treguar se çdo të thotë të kesh sharmin dhe prerjen e një balerine. Nëse të rejat nuk realizojnë një plie, apo një arabesque (pozicione baleti) si ajo, atëherë është e kotë të vazhdojnë konkursin dhe për Celentanon gjithnjë vota do të jetë negative. Një tjetër pedagog i "Amicit", Garrison Rochelle (balerin e më tej koreograf në kompani të ndryshme baleti në Amerikë e më pas në Itali, ku ka mbuluar programe të mëdha si "Buona Domenica", Festivalbar, "La sai l'ultima", etj. Ka mësuar të kërcejnë disa nga yjet e popit), vazhdimisht thotë se "i dridhet zemra" kur sheh Anbetën teksa kërcen. Kur do të mbrojë përballë Celentanos ndonjë nxënëse të preferuar të hip-hopit, jo edhe aq "klasike" në dukje, gjithnjë provokon nëse Anbeta mund ta realizojë një kërcim të tillë. Ndonjëherë të qënurit një "masë" matëse e ka bezdisur balerinën, e cila nuk është e vetmja profesioniste në "Amici". Në një nga puntatat e fundit u pa tek iu përgjigj pedagogut të hip-hopit "E kam mbyllur me "Amicin", tani nuk kam pse të demonstroj asgjë". Sa herë që ajo del në skenë shoqërohet me duartrokitje të forta nga ana e spektatorit në sallë, ndërkohë që në internet janë ngritur sa e sa forume, të cilat flasin vetëm për shqiptaren. Nuk bëhet fjalë thjesht për komente mbi paraqitjen artistike, për dalje të caktuara në skenë, apo shfaqje të saj, por edhe për formën fizike. Madje me dhjetëra njerëz diskutojnë nëse është anoreksike apo jo. Fatmirësisht në këto forume nuk demonstrohet asnjë lloj negativiteti përsa i përket origjinës së saj shqiptare, që Anbeta e përmend sa herë që mundet gjatë transmetimit. I qartë është fakti që Anbeta ka shumë adhurues në Itali, që nuk ngurojnë ta quajnë edhe "Divina" (hyjnore). Por rrënjët hyjnore të saj duhen kërkuar në Shqipëri. E vërteta është që Anbeta shkoi në Itali si një profesioniste. Ajo ishte prima ballerina e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë. E diplomuar në Akademinë e Arteve e më tej e specializuar në Baku (Azerbaixhan), Toromani ka interpretuar në skenën shqiptare në rolet kryesore në vepra të mëdha baleti si "Zhizel", "Don Kishoti", "Hirushja", "Karmen", etj. Në sezonin 2002-2003 merr pjesë në shkollën e Maria De Filippit, duke arritur deri në finale. Ky spektakël televiziv e bëri të njohur, duke i hapur të tjera porta. Menjëherë zgjidhet nga regjisori Patrick Rossi Gastaldi për të interpretuar në shfaqjen e tij "L'Histoire du soldat", së bashku me Rocco Papaleo. Ka merituar çmimet "Gino Tani" dhe "Danza&Danza". Vetëm pak kohë më parë ajo u bë protagoniste e në operën "Makbeth", që e ngjiti Toromanin sërish në skenën e vërtetë të baletit, në rolin e Ekatës. Një rol që u komentua pozitivisht nga kritika italiane. Momentalisht, përveçse profesioniste tek "Amici" është edhe imazhi i sponsorit kryesor të spektaklit, për të cilin ka realizuar një seri fotografike shumë interesante.