Shteti në mbrojtje të Taçit, dy truproja vijojnë të jenë të lirë, tatimorët e quajnë “të pastër”Nga TemaNgjarja brutale e dhunës fizike ndaj gazetarit Mero Baze, edhe pse ka emra të qartë autorësh, nuk e ka mbyllur ciklin e ndëshkimit. Rezart Taçi i
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Shteti në mbrojtje të Taçit, dy truproja vijojnë të jenë të lirë, tatimorët e quajnë “të pastër”Nga TemaNgjarja brutale e dhunës fizike ndaj gazetarit Mero Baze, edhe pse ka emra të qartë autorësh, nuk e ka mbyllur ciklin e ndëshkimit.
Rezart Taçi iu fsheh policisë për më shume se tri ditë, megjithëse ishte shpallur në kërkim paraditen e së martës, të nesërmen e aktit kriminal.
Dy shoqëruesit e të ashtuquajturit biznesmen i naftës, Bledar Lilo dhe Irgen Selfo, u vunë në pranga menjëherë, por për dy të tjerët, që mbronin e sulmonin në emër të bosit të ARMO-s, nuk thuhet më asnjë fjalë.
Vetë Rezart Taçi u dorëzua në Drejtorinë e Policisë të enjten pasdite, vetëm pasi gjykata e Tiranës vendosi për të masën e sigurisë “Burg pa afat”, duke shpresuar deri atëherë që me paratë e tij të mund të siguronte lirinë, pa i hyrë gjemb në këmbë, njëlloj siç kishte bërë edhe pas publikimit të aferave dhe mënyrës së dyshimtë se si e bleu pa asnjë lek kompaninë shtetërore të naftës.
***
Në mënyrë paradoksale e në ditën kur biznesmeni po përballet me akuzën e një krimineli ordiner, shteti po përplaset edhe me vetveten për ta nxjerrë edhe këtë herë të larë njeriun që privatizoi kompaninë ARMO. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani, me lehtësinë më të madhe tha dje para kamerave se kompania ARMO ka paguar të gjitha detyrimet fiskale ndaj shtetit, por kanë mbetur të pazgjidhura borxhet që ky subjekt ka në vite dhe që mësohet të jenë mbi 1 miliard lekë. Nga ana tjetër, kreu i Tatimeve pohoi se gjatë muajit tetor, kompania ARMO ka pasur vonesa në derdhjen e pagesave, çka sipas tij ishte arsyeja që detyroi tatimorët të ndërmarrin një kontroll ndaj rafinerisë. Ai madje arriti deri aty sa tha se, për shkak të vonesave prej 15 ditësh në pagesa është marrë veprimi ekstrem.
Por ndryshe kishin deklaruar tatimorët më parë kur ndërmorën aksionin.
“Tatimpaguesi ARMO Sh. A. nuk është i pajisur me autorizim si tatimpagues-akcize, si dhe nuk ka miratim të magazinave tatimore sipas kërkesave që përcakton ligji, nuk ka plotësuar detyrimin ligjor si tatimpagues-akcize për vendosjen e matësve në të gjitha pikat e hyrjes, përpunimit dhe daljes së lëndëve të para, prodhimit gjysmë të gatshëm dhe atij të gatshëm. Administrata tatimore mbetet plotësisht e angazhuar për zbatimin e ligjit tatimor në mënyrë të barabartë dhe të drejtë për çdo tatimpagues. Luftimi i evazionit fiskal dhe i akteve korruptive në të gjitha format dhe trajtat e tyre mbeten prioritet i punës sonë”, - theksonte deklarata e tatimorëve.
Drejtori Papajani shkoi më tej, kur deklaroi se vetëm Tirana tashmë kishte të drejtë që të kontrollonte ARMO-n.
Për të shkuar deri te kjo deklaratë, qeveria e ka përgatitur mirë terrenin.
Kështu, dy javë pas emërimit në detyrë, kreu i Drejtorisë së Tatimeve në Fier, Halil Lamaj, është shkarkuar nga posti që mbante me një vendim të Ministrisë së Financave, propozuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Gjatë kohës që Drejtoria e Tatimeve në Fier drejtohej nga Lamaj, vetëm pak ditë më parë, Policia Tatimore vendosi bllokimin e kompanisë ARMO, për shkak të mosshlyerjes së detyrimeve në arkën e shtetit.
Ndërkohë, drejtori i policisë së Fierit, Shemsi Premçi, është rritur në detyrë duke u emëruar komandant i Forcave Speciale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.
Në varësinë e Premçit, efektivat e policisë së Fierit u përplasën me Policinë Tatimore pranë hyrjes së kompanisë ARMO duket hequr shiritat bllokues.