E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-futbollisti Bubeqi, i dyshuar për një tjetër krim

VLORË/ 47-vjeçari nuk ka pranuar përgjegjësinë për krimin e kryer duke u shprehur se viktimat e tij ishin tallur me të.


VLORË - "Ata më ngacmuan mua fillimisht, ndaj dhe unë veprova". Kjo ka qenë deklarata që kanë mundur t'i marrin Agim Bubeqit oficerët e policisë gjyqësore të Vlorës në lidhje me sulmin e realizuar prej tij ku mbeti i vrarë një 24-vjeçar, ndërsa u plagosën 4 persona të tjerë.


Me akuzën e vrasjes së kryer në rrethana cilësuese, pas prerjes së fletë-arrestit, ish-futbollisti i Flamurtarit është marrë në pyetje në lidhje me veprimet e tij të së enjtes mbrëma.


Dëshmia është marrë me rezerva, për shkak të gjendjes jo normale të autorit të vrasjes, referuar çrregullimeve në shëndetin e tij mendor. Më tepër se te përgjigjet e tij, efektivët janë mbështetur në dëshmitë e të plagosurve dhe pronarëve të lokalit, ku ndodhi ngjarja, për të ndërtuar të plotë skenarin.


Dëshmitë


Pavarësisht gjendjes së tij mendore, ish-futbollisti është marrë në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore. Qëndrimi i Bubeqit ka qenë deri edhe tek sugjerimi "shikoni ata, sepse ata s'ishin në rregull. Unë veprova pasi ata më fyen dhe më tallën".


Por, të marrë në pyetje, katër të plagosurit në spital kanë pohuar se në lokal ata kanë qenë për qejf të tyre. Sipas dëshmive të të plagosurve, ata janë bashkuar te një miku i tyre kasap, që ndodhet në lagjen "Isa Boletini".


Pasi ky i fundit u ka bërë gati për të ngrënë mishrat ishte thënë se kishte nxitim, të rinjtë janë vendosur në një nga lokalet ngjitur, lokal ky që ndodhet pranë shtëpisë ku banonte Bubeqi. Në një moment të caktuar Bubeqi, i cili ndodhej gjithashtu në këtë lokal, i është drejtuar grupit që ishte në tavolinë në gjendje të hareshme, duke iu thënë se nuk talleshin e qeshnin dot me të.


Por përgjigjja ka ardhur me indiferencë, duke i bërë me dije se nuk e njihnin dhe as që merreshin me të. Paskësaj, njerëzit e ndodhur në tavolinë kanë vijuar sërish të pinë dhe bisedojnë, pa ditur se u kanosej ndonjë rrezik.


Rikthimi i të sapombërriturit ka qenë fatal. Dy prej tyre janë goditur me forcë teksa ishin ulur. 24-vjeçarit Edmond Ngucaj thika i ka depërtuar deri në zemër, e si pasojë ai ka humbur jetën nga goditja. Po me shpejtësi është qëlluar dhe një nga të rinjtë e tjerë, ndërsa tre të tjerët kanë kundërreaguar me karrige.


Por fiziku i fortë i ish-futbollistit falë edhe stërvitjes që bënte, duket se nuk ka lejuar ndaljen e tij nga karriget e kauçukta. Goditja e thikës i ka prekur të pesë personat. Ndërsa Ngucaj ka ndërruar jetë, të plagosur kanë mbetur Juljan Islamaj, 27 vjeç, nga fshati Drashovicë e me banim në Vlorë, Eniard Nuraj, 21 vjeç, Gëzim Bardhaj, 40 vjeç, me banim në lagjen "Isa Boletini", si dhe Isa Brahimaj, 28 vjeç.


Hetimi


Ish-futbollisti i Flamurtarit, Agim Bubeqi, dikur emër shumë i njohur në vitet e arta të skuadrës vlonjate, njihet si njeri me çrregullime të sistemit nervor. Vite më parë ai kishte emigruar në Itali dhe pas rikthimit i ishte përkushtuar fesë, periudhë që nuk zgjati shumë. Ai jetonte i vetëm, duke mos pranuar as kontaktet me familjarët. Aktualisht për të pritet dhënia e masës së sigurisë dhe paskësaj do të transferohet drejt spitalit të burgut në kryeqytet.

Dyshimi: Bubeqi, personi
që plagosi neurologun Koçi


Por Agim Bubeqi dyshohet se është i përfshirë edhe në një krim tjetër. Dyshimi është hedhur menjëherë pas vrasjes dhe plagosjeve të kryera mbrëmjen e së enjtes.


Kështu, burime nga policia bëjnë të ditur se nga të dhënat e marra është mësuar se ish-futbollisti është parë edhe më parë që të mbante me vete thikën. Ngjarja për të cilën ai dyshohet të jetë i përfshirë është pikërisht plagosja e mjekut neurolog Kosta Koçi, ngjarje e ndodhur në fundshtatorin e vitit të kaluar.


Mjeku 65-vjeçar në atë kohë është goditur me thikë disa herë në qafë, shpatull, në trup e në dorë. I gjatë, esmer, veshur me një tip kostumi të lehtë sportiv blu të errët. Këto kanë qenë të dhënat për vrasësin, që mbeti i paidentifikuar. Referuar ngjarjes së vjetër, oficerët e policisë gjyqësore nuk bëjnë me dije detaje për dyshimet, të cilat pritet të sqarohen, së bashku me dokumentimin e vrasjes së ndodhur dy net më parë.

Mjekimi: Ish-futbollisti kurohej për shkak të problemeve mendore


Burime nga policia bëjnë të ditur se Agim Bubeqi kurohej për shkak të problemeve mendore që kishte. Madje, mësohet se ka qenë pikërisht neurologu Kosta Koçi personi që merrej me kurimin e tij.


Pas dyshimeve të ngritura, ende nuk dihet nëse fakti që ish-futbollisti shfaqte probleme të tilla ka bërë që mjeku të druhet në identifikimin e tij para uniformave blu të personit i cili e qëlloi.


Dyshohet se ndeshja Flamurtari - Modherueli mund të ketë pasur ndikim në gjendjen psikike të ish-futbollistit, dikur një nga emrat më të njohur të kësaj skuadre. E pyetur lidhur me këtë çështje, drejtoresha e psikiatrisë së Vlorës, Antonela Agaj thotë se "Bubeqi nuk ka qenë i shtruar asnjëherë në këtë institucion dhe nuk ka pasur kartelë të hapur e gjithashtu, nuk është kuruar pranë këtij spitali.


Por rasti i tij është diskutuar mes mjekësh, të cilët e kanë perifrazuar si një person me karakter psikopatik më tepër sesa një i sëmurë mendor". E shpjeguar më thjesht personi shfaq disa shenja të të sëmurëve, por kjo nuk do të thotë se kategorizohet i tillë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›